Rreth 23 mijë shqiptarë janë në vështirësi financiare për të përballuar kujdesin kirurgjik. Sipas studimit më të fundit të Bankës Botërore, për pacientët shqiptarë, kirurgjia mund të jetë shumë e shtrenjtë, e papërballueshme për 0.8% të tyre, si dhe me pasoja të mëdha financiare më pas, edhe në rast se arrijnë ta kenë atë…
Pesë miliardë njerëz, dy të tretat e popullsisë së botës, nuk kanë qasje në kujdesin kirurgjik, anestezi dhe obstetrik (SAO) të sigurt, në kohë dhe të përballueshëm, nga të dhënat e vëna në dispozicion të Bankës Botërore.
Për pacientët, kirurgjia mund të jetë shumë e shtrenjtë. Jo vetëm që barra financiare e kërkimit të kujdesit kirurgjik të jetë një pengesë e vështirë për ata që kanë nevojë për kirurgji, por gjithashtu mund të ketë ndikim shkatërrues ndaj atyre që janë në gjendje ta marrin atë.
Mbi dy miliardë njerëz nuk mund të përballojnë kirurgjinë, nëse ata kanë nevojë sot dhe nga ata që marrin kirurgji çdo vit, rreth 33 milionë prej tyre do të pësojnë vështirësi financiare nga shpenzimet e tyre të drejtpërdrejta, ndërsa 81 milionë vuajnë ndaj kostove ndihmëse të kujdesit si transport dhe ushqim, thekson BB në një raport të fundit.
Për Shqipërinë, shifrat sugjerojnë se kemi të bëjmë me 0.8% të popullsisë që nuk kanë qasje në shërbime kirurgjike për arsye financiare, gjë që mund të rezultojë në pasoja fatale për popullatën. Në Ballkan, panorama duket e ngjashme. Në Serbi, 0.5% e popullsisë nuk arrijnë të përballojnë një kujdes kirurgjik për shkak të kostove të larta. Po ashtu, 0.8% e popullsisë në Malin e Zi, nuk arrin që të përballojë këtë kujdes shëndetësor. Shifra më e lartë regjistrohet në Maqedoni, ku BB përllogarit rreth 7.9% të popullsisë në vështirësi financiare për të përballuar një ndërhyrje kirurgjike.
Në Greqi 0.4% e popullatës përballen me vështirësi ekonomike për të pasur qasje në kujdesin kirurgjik.
Në vitin 2015, Komisioni i Revistës Shkencore Lancet për Kirurgjinë Globale propozoi gjashtë tregues për të matur kujdesin e SAO, dy nga të cilat përqendrohen në vlerësimin e rrezikut të katastrofës financiare për shkak të operacionit. Përkatësisht, këto dy tregues maten me gjasat e përjetimit të varfërimit (duke përdorur një prag prej 1.25 dollarë PPP / ditë) kur nevojitet kujdes kirurgjik dhe probabiliteti i përjetimit të shpenzimeve katastrofike (10% e të ardhurave totale) kur nevojitet kujdes kirurgjik.
Në përgjithësi, rreziku botëror i ‘katastrofës’ financiare për shkak të operacionit është në rënie. Megjithëse kjo prirje rënëse është inkurajuese, ajo është e ngadaltë, thekson BB. Nga viti 2008 deri në vitin 2017, përqindja e njerëzve në rrezik globalisht si për shpenzimet katastrofike ashtu edhe për varfërinë për shkak të kujdesit kirurgjik është prirë të jetë në rënie. Rreziku botëror për shpenzimet katastrofike për shkak të kujdesit të SAO ka rënë nga 34% në 28%, ndërkohë që për shpenzimet shtesë, ka rënë nga 27% në 24%.
Në vitin 2017, 2% e njerëzve në vendet me të ardhura të larta përballeshin me rrezikun e shpenzimeve katastrofike për shkak të operacionit – më pak se gjysma e rrezikut të tyre në vitin 2003. Për krahasim, rreziku në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ra shumë më ngadalë: nga 43% në vitin 2008 në 33% në vitin 2017. Dallimi i madh absolut në mes të rrezikut të katastrofës financiare në këto dy grupe në 2017-32%, sipas BB, thekson pabarazitë e konsiderueshme në barrën financiare të qasjes në kujdesin kirurgjik në mbarë botën.
Njerëzit në vendet me të ardhura të larta përballen me rrezik minimal të katastrofës financiare kur kanë nevojë për kujdesin kirurgjik, ndërsa 3 në çdo 10 individë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme duhet të luftojnë me këtë rrezik.