Nga Qazim D. Shehu
LASGUSHI
Nuk kish mbi krye një barsolinë
Po një mjellmë,
Nën këmbë i gurgullonte
Një burim i thellë.
Cuci e tërhiqte
Mos binte në humnerë.
Si e mbajti atë mjellmë –borsalinë
Kur nën këmbë kishte një minë,
Dhe vargu i çante vetëtime
Drejt fundit të liqerit
Ku e zeza me të kaltrën përzishëm ndrin
Dhe liqeri shkon tek ai
A ai tek liqeri më parë mbërrin?…
NJË ZOG..
Vetëm në këto male me këtë liqen
Nositn lasgushian e gjen.
Ai është aty ndë Shën Naum
Ku liqeni valë hedh më shumë.
Se ai vend i bekuar u shit,
Nga një mbret që e kishte emrin Zog,
Po s`ish nosit…
MITRUSHI..
Nga një Cep i Ilirisë së Poshtme vjen Mitrushi
Vështrimin hedh nga Dardania,
Dhe tregon përralla për Fshatin e Qepëve
Sa herë që qytetin s`e zë gjumi netëve.
Ia merr përrallat dhe ia fijezon
Liqeni duke ia kthyer në stërkala,
Nuk mund të ketë më të hijshëm panteon
Sa kjo lulishte me dy monumente të gjalla.
Fshatarët e Mokrës nuk janë më Ago Jakupi
As xha Braho i Shkumbanores
Tani në Mokër u tha rrushi
Atë e gjen nw rrush të huaj ndan shetitores.
U zbrazën fshatrat, i përpiu ikja
Fshatrat pinin rakinë me mijëra fjalë,
Po ai i ruan në veprat e tija
Dhe do t`i ripopullojë, sapo mundësia t`ia dalë…
QYTETI
Në pasqyrën e liqenit ndrin zemra e qytetit
Pranë malesh enigmatikë
Netëve qielli një lopatë me prush
E hedh që zemra e tij më shumë, të ndritë.
Mbyll sytë e përfytroj hamendshëm
Sikur në vend të liqrit të kishim një fushë
Nuk e di si mund të ishte qyteti
Po s`do kishim më Lasgush…
Pogradec,verë,2017.