Maqedonia do të ndërtojë edhe me Shqipërinë pikë të përbashkët kufitare. Në mbledhjen e djeshme, Qeveria e Maqedonisë ka miratuar informacionin për vendosjen e kontrollit të përbashkët të organeve kompetente të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë në vendkalimin kufitar Qafthanë- Kaftane, e quajtur ndryshe si one – stop- shop. Me këtë informacion, Qeveria ka obliguar autoritetet kompetente të vendit që të fillojnë të gjitha procedurat e nevojshme deri te nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare, me qëllim që projekti të realizohet në afat sa më të shpejtë.
“Përkatësisht bëhet fjalë për një projekt që do të lehtësojë tregëtinë në mes dy vendeve dhe njëkohësisht do të lehtësojë edhe procesin në këtë kalim kufitar dhe do të rrisë këmbimin tregtar në mes dy vendeve. Për realizimin e suksesshëm të këtij projekti, Qeveria angazhoi ministrinë e finansave, përkatësisht drejtorinë e doganave që në afat prej 15 ditëve nëpërmjet ministrisë së punëve të jashtme të R.M. të njoftojë ministrinë e puëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë për pëlqimin e nevojës për nënshkrimin e marrëveshjes për formimin e delegacioneve për fillimin e procedurës që ky projekt të realizohet sa më shpejtë dhe të hyjë në fuqi”, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i qeverisë.
Ky është vendimi i dytë që merret brenda një periudhe të shkurtër kohore. Tre ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq personalisht ishin prezent në zonën mes vendkalimit kufitar Tabanoc-Preshevë, ku së bashku paralajmëruan implementimin e projektit për menaxhimin e integruar të kufirit – One Stop Shop. Në model të njëjtë muaj më parë u njoftua se do të ndërtohet edhe vendkalimi kufitar Bellanocç-Stançiq, gurthemeli i të cilit tanimë është vendosur. Maqedonia pretendon që vendkalime të përbashkëta të ndërtojë edhe me të gjitha vendet e tjera fqinje. /InfoShqip