Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri njoftoi masa të reja shtrënguese në një përpjekje për të ndalur trazirat ekonomike në vend.
Masat përfshijnë ngritjen e taksave të eksportit për drithërat dhe pakësimin e numrit të ministrive të qeverisë, të nxitura nga një rënie prej 16 për qind të vlerës së pesos javën e kaluar.
“Për të filluar ndërtimin e vendit që duam, ne duhet të balancojmë llogaritë tona me një shtet që shpenzon më pak se sa krijon,” tha Macri në një fjalim televiziv të hënën.
Kriza e monedhës së Argjentinës po e detyron qeverinë të kërkojë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të përshpejtuar një program kredie prej 50 miliardë dollarësh.
Macri, një konservator pro-biznesit, i cili mori postin në vitin 2015, po kërkon të qetësojë tregjet dhe të rivendosë besimin tek argjentinasit të cilët vazhdojnë të humbasin fuqinë blerëse.
Pesoja humbi gjysmën e vlerës së saj ndaj dollarit që nga janari dhe inflacioni ka arritur në më shumë se 30 për qind.