Numri i përdoruesve të internetit ka vazhduar rritjen gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i pajtimtarëve të internetit me linja fikse, në fund të tremujorit të parë ishte afro 321 mijë. Gjatë tre muajve, këtij shërbimi i janë shtuar rreth 6500 abonentë. Tregu po ruan ritme të shpejta të rritjes vjetore. Krahasuar me mesin e vitit të kaluar, numri i abonentëve të shërbimit të internetit me linja fikse është zgjeruar me 15%.
Në një vit, janë shtuar afro 42 mijë abonentë të rinj të shërbimit të internetit. Pjesa më e madhe e abonentëve të internetit e shfrytëzojnë lidhjen për të marrë më shumë se një shërbim komunikimi, duke përfshirë edhe telefoninë fikse dhe televizionin. Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 211 mijë, në rritje vjetore me afro 9%. Prej tyre, 102 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme.
Përfshirja e platformave televizive me pagesë i ka dhënë një shtysë edhe më të fortë zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit. Sidoqoftë, depërtimi ende relativisht i ulët i linjave fikse ngelet një pengesë për të rritur numrin e abonentëve të internetit edhe jashtë qendrave të mëdha urbane të vendit./Scan