Lumenjtë e Shqipërisë…

Nga QAZIM SHEHU

 

Lumenjtë e Shqipërisë…

 

Burojnë lumenjtë e Shqipërisë

Në Greqi,Maqedoni,

Sapo Vjosa hapin nis

Hapin nis Drin i Zi…

 

Duke hyrë në kufirin shtetëror

Kokëturfulluar shtriqen

Burimit ujë me hir e me zor

I marrin dhe nisen…

Derdhen në det dhe mbajnë

Sekretin e burimit të urtuar,

Pikëllimin e burimit me ne ndajnë

Si nëna të penguar…

+++

Po në Shqipëri, si për inat

I shtrydhin në hidrocentrale,

Edhe Valbona e hodhi krahë qafë

Një pikëllim dionisian plot gajle.

 

Edhe Fani e braktisi

Shtratin e tij shekullor

Futi kokën e malit dhe vaisi

Kryet në një tërthor…

 

Devolli po kështu,

Edhe një lumë i panjohur

Braktisi pa dashje ngjyrën blu

Dhe u shtri në tuba i lodhur…

I futën në tuba me tërbim

Pasanikët mizorë,

Ndrit pika e ujit si rubin,

Thërmuar  turbinave ashkëlorë…

Dritë të ligë duke lëshuar

Në kufoma parash të majme

Dhe malet shtyjnë me duar

Të gjejnë shtratet e thame…

 

Të kthehen në burim s`munden

Të zhyten në det kush s`i lë,

Dhe zotit tash po i luten

Ta braktisin këtë dhe…

 

EDHE VRASËSI KA ATDHE…

Kali i drunjtë  me klithma trojanësh

Pas e ndiqte,

Edhe kriminelët kanë atdhe,

Mendonte ,

Ndërsa përdëllohej nga një Circe…

Edhe shfarosësit kanë një peng

Edhe ata dinë të qajnë nga një këngë

Mos, rapsodi Demodok thur një rreng

Tek kurdis një kordë…

Nëpër gjurmë të kalit të drunjtë

Fundosej patkoi i trokut,

Dhe muzgu krejt iu zbrujt

Nga këngë e Demodokut…

 

MË RRITËN KËTO ARA…

 

Me zjarrin e misrit të bardhë

Me bukën e çerepit,

Me ca tinguj  pa radhë

Që  iu afruan djepit

Dhe muzgje si mullarë

Që varnin  qeleshen

Në plepa komandantë

Që urdhëronin heshtjen,

Më mbrujtën këto ara,

Duke gëzuar vjeshtën

Me prodhime të mbara…

Ato ishin të përjetshme

Ashtu janë dhe sot,

Me heshtjen e ngeshme

Dhe plepat  pikëçuditëse

Në çdo lëvizje vjeshte

Ku pikat kthehen në lot…

 

VALA

 

Nga lumi i rrugës një valë

Më ngjan

U fsheh në trupin tënd,

Freskia  si fjollë e bardhë

Myshkun e flokut ta lot…

 

Muret çelën buzët

Ta pinin këtë valë,

Po ty të prapsova tutje

Mos ktheheshe në Rozafë…

  

PAGJUMËSI

 

“Tash sa kohë po don me gdhi e s`po mundet…”Azem Shkreli

 

Një re ngrihet nga lumi

Në shtëpi të qiellit shkon,

Pagjumësia e shkumtë

Ëndrrën dështon..

 

Agimi shtyn portën e natës

Po orët dot s`i shty,

Minutat janë të sakta

Si një dhe një që bëjnë dy…

 

Në lumë të hidhësirave pi,

Re e pagjumësisë,

Plumb i lodhur rri

Mbi qepallë

Si dëborë mbi strehë të çatisë.

 

TETOR

Lëshohet fantazia në tetor

Si një grigjë që humb rrugën,

Ndonëse gjethet rrinë me zor

Zogjtë në fole struken..

 

Më duket se ato nuk do bien

As kur të vijë nëntori,

Veç ditët fillojnë e thinjen

Me një gjumë ag zori…

 

Fantazinë e mbledh ngadalë

Tufë grigje të lëshuar

Më bindet ajo  pa fjalë

Në nëntor për të mos u lëshuar…..

 

MAKSIMUM

 

Kush është maksimun i fjalës

Mos vallë është lavdia?

Pengon në shtrat të përrallës

Tek merr krah dashuria?

 

Gënjeshtra heshtin për çfarë thanë,

Lavdia i kthehet e penduar jetës

Në grykën e thesit nuk u pa

Lavdia pa gënjeshtrat…

 

DJE

 

E djeshmja s`ka fjalë

E djeshmja ka mall.

Kambanë e etur

Në gjoksin tonë.

Veç kur i vemë gjuhën e të sotmes

Jehon…

 

 

NDALESË

Kërciti derë e zemrës sate dhe

U hap.

Po pragu gjer tek gryka

M`u ngjit lart…

 

PËRROIT TIM…

Me vështrim, përroit ndanë strehës sime

Ujin ia pija krejt,

E ndalja shiritin e tij të fantazisë

Mos ikte shpejt…

Tani s`di ç`bëhet me të

Po e di me siguri,

Se tek hedh hapin nëpër gurë e kapërce

Zgollat me një trisht gri,

Vjen më shpejt tek unë e s`më gjen,

Dhe kur më gjen kthehet prapsht përsëri,

Zgollat të mbushë me ujë të zi…