Nga Av. Agron ISA GJEDIA*
Çdo kush që arrin të hedhë vështrimin në thellësitë e shekujve e vëren se populli Shqiptar i cili jeton në trojet e veta, i ka ndodh dhe po i ndodh që për pasojë të “gabimeve” të veta, ato të cilat nuk i ka pasë në karakterin e tij, që të sulmojë fqinjët e vetë dhe popujt e tjerë, e ka pësuar prej tyre historikisht, duke qenë pre e pabesive, grabitjeve, plaçkitjeve, luftrave, genocidit dhe shfarosjes permanente, e megjithatë në sajë të vitalitetit gjenetik dhe karakterit stoik, ka arritur që të mbijetojë sot e kësaj dite.
Ky popull është ndër të rrallët e mbijetuar, i cili prej shekujsh dhe po ashtu edhe sot e kësaj dite është në mes të disa rrathëve koncentrik të formuar mbi sipërfaqen e këtij globi nga tallazët historikë.
Gjurmët e këtyre “rrathëve” janë efektive sot e kësaj dite. Ata fillojnë nga territoret e shteteve dhe popujve grabitqarë që e kanë rrethuar historikisht, të cilët këtë vend të lakmuar të Mesdheut e kanë quajtur “pre” për zgjerime të vazhdueshme.
Më pas kësaj vijojnë tokat e saj të shpopulluara e të kolonizuara të cilat “banohen” sot e kësaj dite nga varret e të parëve tanë dhe artefakte të shumta arkeologjike të cilat flenë nën tokë si dëshmi e popullit që e ka jetuar atë territor.
Po ashtu fatkeqësisht apo fatmirësisht, po ashtu rrethohemi nga popullsi shqiptare e asimiluar e cila është dëshmia më e qartë dhe e gjallë e persekucionit të popullit shqiptar nga fqinjët tanë pushtues, me të cilin na kanë “pajtuar” dhe duan të na pajtojnë Fuqitë e Mëdha dhe veglat e tyre në këto troje, së paku pa i detyruar asnjë herë për pendesë dhe për të kërkuar falje.
Jo vetëm kaq por atë popullsi shqiptare të tkurrur në këto troje të vetat të Gadishullit Ilirik, e kanë ndarë historikisht në jo më pak se sa 6 shtete të këtij Gadishulli.
Në vetë Shqipërinë e cila nuk është Shqipëri por një rudiment i saj, pjesa tjetër më vitale në ish Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë e në Shtetin Grek.
Kurse tani pas shpërbërjes se asaj sajese pa të ardhme historike në Republikën e Malit të Zi, tani së fundmi në Republikën e Kosovës, në Republikën e Serbisë, në Republikën e Maqedonisë, si dhe në shtetin Grek, pa llogaritur Arbëreshët e Italisë, të Zarës, të cilët edhe ata formojnë etnitetet e tyre, është edhe rrethi i parafundit koncentrik i këtij populli.
Kurse rrethi i fundit dhe me më pasoja që ka pasë dhe do ketë mbi vete ky popull, është rrethi i tradhtarëve dhe kolaboracionistëve të këtij populli të pushtuar paqësisht nga politikanë të shpërlarë dhe të shtrydhur pa vlera të cilët kanë punuar dhe po punojnë të meritojnë çmimin antikombëtar shqiptar “Vasa Çubrilloviç”.
Akoma nuk kemi institucione kombëtarisht të mirëfillta që t`i thërrasim kujtesës historike, sikurse mund të ishte besimi apo feja unike, Akademi Shkencash unike, Asosacione të shoqërisë civile unike, por herë pas here kemi rënë dhe biem në dorën e drejtuesve shqiptarë, mediokër të cilët jo vetëm që nuk e njohin historinë e këtij populli, por pandehin se historia e tij fillon nga aty ku janë ata dhe më pas dhe se vetëm atyre pas do u shkojë historia.
Janë këta soj politikanësh dhe shtetarësh shqiptarë, në Shqipëri dhe Kosovë dhe aq sa munden edhe ata të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, të cilët jo vetëm që nuk e njohin historinë e popullit të tyre, por për rrjedhojë as që e do atë, të cilët e kanë nxjerrë Shqipërinë natyrale në ankand, kush një copë dhe kush një copë tjetër, si kusur për postet që mbajnë arbitrarisht.
Jo vetëm falja por edhe atëherë kur është bërë dhe bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, nuk është as më pak dhe as më shumë se sa një tradhti kombëtare sepse çdo shkëmbim i një territori shqiptar me një territor tjetër shqiptar të copëtuar, i konvenon vetëm legjitimimit të asaj ndarje të dhunshme e cila duhet riparuar me të gjitha forcat e mundshme.
Më mirë të ndarë padrejtësisht e të luftohet për riparimin e asaj padrejtësie se sa të legjitimohet ndarja duke hyrë në pazare të ulëta shkëmbimi territoresh duke legjitimuar padrejtësinë shekullore që na është bërë dhe vijon si e tillë edhe sot e kësaj dite.
Kësaj i shërbejnë vetëm tradhtarët e këtij populli dhe vendi, këtë e bëjnë vetëm ata politikanë, jo vetëm të paformuar kombëtarisht, të cilët nuk e njohin historinë dhe nuk janë të dashuruar me popullin e tyre, por edhe që janë cilësi dhe vlerë e për pasojë edhe shërbëtorë të përunjur të armiqve shekullorë të popullit shqiptar.
Këtyre, çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit e, ruejna o Zot, që të ndodhë të vijojë edhe çdo dekadë, duhet t`ua bëjmë gjykimin historik të ndëshkimit të tradhtive të tyre dhe të flaken e nxirren jashtë skenës politike përmes të cilës po e dëmtojnë këtë vend, vendet përkatëse, por mbarë çështjen kombëtare.
Çështja kombëtare shqiptare prej shekujsh e pa zgjidhur, e cila është futur në shekullin e shqiptarëve dhe ka filluar zgjidhjen e saj, po dëmtohet energjikisht, nga qeniet politike të papjekura kombëtarisht, të cilët janë gati që çdo copë, disa copa, çdo pjesë, disa pjesë, të trojeve etnike shqiptare t`i shkëmbejnë me një copë karrige të cilën e mbajnë poshtë bythës së tyre në sajë të lëshimeve të herë pas hershme që kanë bërë dhe po bëjnë në dëm të interesave të kombit shqiptar.
Çështja kombëtare shqiptare është e dëmtuar që prej kur nuk mendohet, bashkërendohet e veprohet me një zë mbi bazën e një platforme mbarëkombëtare, të deklamuar ose jo dhe kjo të shërbejë që të ushtrohet presion pozitiv para ndërkombëtarëve duke i bindur ata përmes argumenteve, por edhe të shfrytëzohen hapësirat e lejuara në sajë të klimës në glob, por pa e marrë lejen e ndokujt.
Kjo arrihet vetëm atëherë kur politikanët e Tiranës nuk parcelizohen për të kryer keq detyrat para votuesve të tyre, por kur ata e shohin se para tyre del si detyrë që çështjen e Çamërisë, Arvanitasve dhe Shqiptarëve në Greqi ta trajtojnë duke e pasë në përparësi të tyre, po ashtu edhe çështjen e Kosovës, pa u ndërhyrë në çështje të brendshme ta shohin si çështje të tyre në çdo çast lajthimi të mundshëm.
Po ashtu duhet të jetë edhe për politikanët e Tiranës dhe Prishtinës, që së paku këto dy palë duhet të jenë në sinkroni të plotë për të parë dhe trajtuar çështjen e shqiptarëve të asimiluar të cilët duan dhe duhet të kthehen në identitet, sikurse janë ata në tokat shqiptare të Malit të Zi, në tokat shqiptare të Serbisë, në tokat shqiptare të Maqedonisë, në tokat shqiptare të Greqisë, por edhe të kërkohet respektimi i të drejtave të tyre të njohura edhe përmes akteve ndërkombëtare dhe akteve të shteteve përkatëse në principet e reciprocitetit për shqiptarët ku ata janë minoritet, pakicë, dhe pjesë ku ata janë pjesë në çdo shtet përkatës, në Ballkan, Europë, por edhe në Botë kudo që të jenë ata.
Pra çështja Çame, Arvanitase, e shqiptarëve të asimiluar me e pa vullnetin e tyre të shprehur sot e kësaj dite në Bushnjak, sikurse është në Tutinë, Sanxhak, Novi-Pazar, e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi nuk është çështje vetëm e atyre shqiptarëve që jetojnë atje, por është çështje mbarëkombëtare shqiptare.
Deri sot nga shtetarët dhe pushtetarët shqiptarë, të përzgjedhur sipas peshës specifike duke u prirur nga më të lehtat dhe që dinë t`u bëjnë më së miri shërbimeve të të huajve, as që është menduar një gjë e tillë, por ata kanë qenë të zënë dhe po mbeten të zënë, se si të manipulojnë dhe fitojnë zgjedhjet e rradhës dhe më pas se si të fitojnë dhe manipulojnë zgjedhjet që do vijnë, pjesa e kohës që u mbetet, se si të përfitojnë nga votuesit e tyre dhe taksapaguesit, si të tjetërsojnë pasuritë kombëtare dhe të popullit në një garë të ethshme se cili ndër ta do jetë në majën e piramidës së oligarkëve.
Pritshmëria e shqiptarëve për t`u bashkuar në Europën e Bashkuar (që herë pas here edhe kalon në “përgjumje”) e cila duhet të korrigjojë kushtet e sotshme, padrejtësitë që janë bërë ndaj nesh, është dhe do jetë një ëndërr për çdo shqiptar, por është kohë e humbur në qoftë se vetë Ne nuk bashkohemi në koncept, në vullnet, në mënyrën e sjelljes së përbashkët dhe shfrytëzimin e të gjitha hapësirave, shfrytëzimin e kohës duke fituar atë të humburën për të bashkërenduar dhe bashkëpunuar duke qenë një zë i përbashkët për të gjithë atë sa na takon dhe atë sa na mundon.
*Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren