Pavarësisht të gjitha sfidave dhe reformave të nevojshme, është e rëndësishme që të mos harrohet se çfarë ishte Bashkimi Europian, projekti më i madh i suksesshëm i shekullit XX, deklaroi sot kancelari austriak, Sebastian Kurz në një fjalim të konsideruar si i fortë në Forumin Europian “Alpbach”.
Në këtë fjalim Kurz prezantoi prioritetet e presidencës austriake të Këshillit të BE-së.
”Madje, edhe përtej kufijve të saj, BE-ja garantoi stabilitet, zhvillim dhe në këtë aspekt ishte kontribuesi më i madh për ndihmat për zhvillim në të gjithë botën”, theksoi ai.
Kurz bëri thirrje për “një besim europian të shëndetshëm, ndonëse ndonjëherë duket sikur jemi të mbitaksuar, shumë të ngadaltë për të ndjekur konkurencën ndërkombëtare, shumë të largët për të gjetur politika të përbashkëta dhe shumë të dobët për të sfiduar fuqitë e mëdha”.
“BE-ja ka nevojë të forcojë themelet e saj dhe ka nevojë për korrektim të drejtimit”, tha kancelari, duke folur për vlerat themeltare, shtetin e së drejtës, demokracinë dhe lirinë, ku nuk mund të ketë kompromise.
“Një objektiv i veçantë i presidencës austriake të Këshillit të BE-së është edhe zgjerimi drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Kurz.
Kancelari, që festoi sot 32-vjetorin, u shfaq shumë më proeuropain nga se ka qenë muajt e fundit.
Imigracioni ishte vetëm një çështje anësore dhe ai përmendi vetëm mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.
Kur u pyet në lidhje me deklaratat e bëra nga presidenti, Alexander Van der Bellen se azilkërkuesit nuk janë çështja më e rëndësishme për momentin, Kurz tha se ai ka të drejtë.
“Çështja më e rëndësishme për Unionin për momentin është që të menaxhojë me sukses Brexit. Nëse kjo dështon, atëherë të gjithë do të marrin dëme ekonomike”, kishte deklaruar zëvendëspresidenti.