Kina e ka zbuluar tregun në Ballkan si mundësi për investime, shkruajnë mediat gjermane. Ndër shkaqet kryesroe për futjen e Kinës në këtë treg është edhe varfëria dhe gjendja e keqe në infrastrukturë.
Presidenti i Serbisë duke marrë pjesë në prezantimin e projektit të autostradës E-763nga kompania kineze China Comunications Construction(CCCC), mars 2017
Mediat gjermane pohojnë se Kina “e ka zbuluar për vete” rajonin e Ballkanit, respektivisht ish-republikat jugosllave, të cilat prej shpërbërjes së shtetit të përbashkët nuk kanë arritur të afrohen seriozisht me Bashkimin Evropian. Edhe 20 vite pas luftës, këto vende përballen me infrastrukturë të dobët dhe kushte të rënda jetese. “Kjo gjendje e bën Ballkanin një territor ideal për futjen e Kinës në tregun e atjeshëm dhe krjimin e një të ashtuquajture ‘rrugë e mëndafshtë'”, shkruajnë mediat gjermane.
Rruga e mëndafshtë
Gazeta shkruan, se Kina në këtë mënyrë do të krijojë një ndërlidhje me rrugën prej Azisë, nëpër Afrikë e deri në Evropë. Vendet të cilat janë në këtë rrugë mund të përfitojnë nga kreditë bankare kineze, në një kohë kur Bashkimi Evropian edhe më tej po merret me vetveten dhe problemet e brendshme. Investimet kineze janë bërë në portet e Greqisë, në termocentralet e Bosnje-Hercegovinës, në aeroportin e Shqipërisë, në Maqedoni. Ndërkohë që janë planifikuar edhe investime kapitale në Serbi, Hungari dhe vende të tjera, me të cilat ndërlidhen rrugët e mallrave kineze.
Këto investime kineze shihen në Bruksel me mosbesim. Komisioni Evropian ka nisur edhe një procedurë hetimore për planet kineze për ndërtimin e hekurudhave të shpejta në Hungari, ndërkohë që kinezët e vlerësojnë këtë si një win-win strategji… BE ka frikë se me këto investime do të shtohet influenca kineze në këto vende.
Investime të mëdha në Serbi
“Po rreziku ekziston”, thotë eksperti Jacopo Maria Pepe. Investimet kineze në krahasim me ato perëndimore janë ende të vogla. Por në plan afatgjatë Evropa është e sfiduar dhe duhet të vendosë rregull. Autoritetet serbe thonë se rruga e tyre çon drejt BE-së. Por asnjë vend tjetër në Ballkan nuk ka përfituar më shumë se Serbia nga paratë kineze. Dhe ai që do të mësojë më shumë për investimet kineze, duhet të vizitojë Serbinë. Megjithatë duket se pjesë e strategjisë është edhe heshtja, sepse shumë sipërmarrje në Serbi, që kanë pranuar investime kineze, heshtin, si në rastin e industrisë së çelikut në Smederevë. Kina ka financuar në Serbi gjatë vitit 2017 projekte në vlerë prej rreth 6 miliadë Dollarë, që është e barbartë me investimet evropiane në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Por ekziston një dallim: Serbia duhet t’i kthejë këto financime kineze.
Aleanca mes Kinës dhe Serbisë nuk është e re. Ajo e ka gjenezën që në kohën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Kina e shikonte asokohe Sebinë si bastionin e fundit të komunizmit në Evropë. Serbia sot nuk shikohet në Perëndim si bastion i komunizmit, por interesimi kinez për investime ka mbetur. / D.W/