Doruntina moderne, Drande Jakja, që do t’i jepte Kadaresë ÇMIMIN Nobel apo Hollivudit Amerikan një film nobel

Nga Ramiz Lushaj

1.

Pena mjeshtërore e Ismail Kadaresë e nektari baladën shqiptare “Konstandini e Doruntina” tue e mjaltë romanin “Kush e solli Doruntinën” (Tiranë, Naim Frashëri, 1979), i përkthyem në disa gjuhë të botës deri përtej Atlanikut e Paqësorit. Çka është më e themeltë, e shtylltë: Kadare me Doruntinën i ngre një tempull apollonik kombit shqiptar tue e fjalartë institucionin e lashtë e tejet shqiptar të Besës (Besa-Besë) e cila është një fjalë e papërkthyeshme në të tjera gjuhë nacionale; tue artnue motivin hyjnor shqiptar të ringjalljes (Konstandini shqiptar u ringjall edhe para Krishtit, edhe para Lazarit); duke provue botnisht se balada e personazhet e saj: Doruntina e Konstandini (motër e vlla) janë rrënjas të trollit gjeografik e etno-historik iliro-shqiptar.

E dyta pas Doruntinës të baladës së lashtë ilire është legjenda e re dhe reale, Nanëmadhja Drande Jakja. Përndryshe: Doruntina moderne. Çikë bregdrinase nga dera e fisme e Jak Gjonit në Fierzën e dritës të Përtejdrinit. Nuse e martirit të pakthyeshëm Vuksan Prek Ndou i Nikaj-Mërturit, djalë i derës së patriotit luftëtar e dijetarit pasanik, Zeqir Dema i Btoshës. Prej disa dekadash jeton në Bukovë të Lugut të Malësisë së Gjakovës. Ndër kohna i ka tejkalue me sfidë mbijetese kryelartësore gjashtë sisteme rregjimi. Po e kap shekullin e jetës. Është 98 vjeçe. Ia ka mbrri të mbajë në prehrin e saj edhe stërnipa të brezit të pestë.

Doruntina moderne Drande Jakja vjen me bohemën e jashtëzakonshme e qëndresën mbinjerëzore në monografinë 137 faqe nga vepra “Gruaja që sfidoi fatin” (Tiranë, Kristalina- KH, 2013) e autorit nikajmërturas, Pjetër Meta (Përpalaj), i cili e shkroi këtë vepër në moshën që kishte Kadare kur e ribotoi romanin “Kush e solli Doruntinën” (Tiranë, Onufri, 2004). Pjetër Meta i fisit Nikaj (nga Peraj) e paraqet fillepërpe me vërtetësi detajore e realizëm përshkrues plot tragjedi e sfida këtë heroinë të heshtur që me akte të saj ringjalli lartësisht legjendat e vjetra, sepse fatmirësisht ka lidhjet e veta farefisnore me Drande Jaken, nuse e re e zonjë e moçme në fisin Mërtur, në Btoshën e urtisë e të trimnisë. Pjetër Meta ka përvojën e tij në fushën e letrave me pothuaj një gjysmë shekulli bashkëpunime në shtypin e shkruar, me romanin “Fundi i kalvarit” (Tiranë, Geer, 2010, 335 faqe) e monografinë “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)…!” (Tiranë, Belina H, 2011, 370 faqe), që i kanë motive e personazhe nga treva etno-historike e Nikaj-Mërturit, të cilën autori e njeh në thelbin e jetës ndër shekuj e në histori të kullave malësore të saj. Ndoshta, në një të nesërme të afërt, publicisti, shkrimtari e studiesi Pjetër Meta, për Drande Jakun – Doruntinën shqiptare të Drinit, Zetës, Vjosës, Valbonës e të Alpeve, ka me na e risjellë një botim më vete e, pse jo, edhe dygjuhësh: shqip e anglisht, pasi është mision i mirë për kohnat e breznitë shqiptare në Ballkan e në diasporat në botë.

2.

Konstandini i dha Besën nanës së tij se motrën e vetme, Doruntinën, të cilën e martuan shtatë male larg do e sillnin në tpanë në kullen e vet të lindjes, me e pa me sytë e saj. Nana e truen të birin për Besën e lanë udhës, ndaj ai ngrihet nga varri e merr kalin erë të legjendës dhe e sjellë Doruntinën në derën e prindërve. Besa u krye. Pas kësaj, nanë e bijë vdesin sëbashku, në trollin e vet.

Doruntina e sotme, Drande Jakja e Btoshës, në fundnëntor 1948, kur Perdja e Hekurt e Lindjes ra si gurë mes dy syve në mes Shqipërisë Londineze e Kosovës Dardane, u falmeshëndet përjetë me burrin e saj kaçak, Vuksanin, që ia ktheu pushkën komunizmit prej se kur hyni me brigada partizane në nëntor 1944 në Qafë të Kolçit për me e zotërue Nikaj-Mërturin. Drandja ia dha besën Vuksanit (fq. 137) se ka me i rritë djemtë burra në trollin e vet dhe ka me i përcjellë çikat nuse në dyer të mira. Kësokohe, ma i vogli ndër katër fëmijët e tyne, Zefi, ishte veçse dhjetë ditësh.

Në vitin 1949, pa i ikë dimni tokës, policia e sigurimi i shtetit e shpërngulën Drande Jaken me katër fëmijë në kalvarin e shtatë internimeve: tri vendqëndrime në krahinën e Nikaj-Mërturit, në Tropojë (Astë, qendër e rrethit) për gjashtë javë e, prej këndejna, në kambë me djep në shpinë e fëmijë përdore deri në Kukës e, mbasandejna, me makinë në Kalanë e Beratit, ku ndejtën tre muaj e, në fund, në dy kampet famëzeza, në Turan e në Tepelenë.

Në kampin çnjerëzor të Turanit, me disa tragjedi në ditë, ku edhe brenda 24 orëve kanë vdek 33 fëmijë, ia rrëmbeu vdekja edhe djalin e saj të vogël, Zefin dyvjeçar. Drande Jakja me tepër vështirësi ia bani një vorr të sigurtë me thellësi e dërrasa tek varrezat e ushtarëve italianë të luftës, sepse nuk donte me iu ndodh si disa të internuarëve të tjerë, që ua merrnin erozioni i malit apo ujrat e Vjosës eshtrat e të vdekunve të tyne të pafajshëm.

Po vjen koha me iu fal internimi një pjese të madhe të të pafajshmëve, pasi edhe Drande Jakja e ngriti zanin e arsyeses e të protestës dhe, për ma tepër, kampet ishin tejmbush me të internuar (49 kamiona me të internuar vetëm nga Mirdita pas vrasjes së Bardhok Bibës). Atëherë Drande Jakja me zgjuarësi e sakrifica sëbashku më çikën e madhe Zojën, ikin nga kampi i Tepelënës në atë të Turanit, tek varri i Zefit. Drandja Jakja tue gërmue me mjete rrethanore e gishtat e saj të përgjakur e nxjerr djalin e varrosur para tre muajsh. E mbshtjellë djalin fytyrë paprishun me çarçafë të bardhë të bamun katrash dhe rikthehet në kamp. Tragjedia e sfida vazhdojnë. Shtatë javë e ka mbajt Nanëmadhja Drande Jaku djalin e saj në kampin e Tepelenës tue ia ba tana përkujdesjes e mshefjes e të higjienës, që t’ia ruajnë fytyrën djalit e vetes. Kur e pa se kurrkush nuk po mundej me e përcjellë për në Tropojën e largët, çohet e ta merr lejen e largimit e në një makinë rasti ngarkue me pambuk rrugënisen nga Tepelena në Shkodër. Aty shkon nga tregu i mirë i Shkodërloces, ku i kishte ble dikur rrobat e nusnisë e me kursimet e veta ia ble veshje e mbathë djalit të vdekun, që e kish lanë në hotel me fëmijët e tjerë në pritje të ardhjes së dajës së tyne. As në andërr, Zefi tashti çehrebardhë prej deke, nuk e kishte mendue veten të veshun aq bukur.

Doruntina reale, Drande Jakja, tamam si në legjenda, pasi kapërceu shtatë lumenj të mëdhenj nga Vjosa tek Drini, pasi kapërceu shtatë vargmale nga Tepelena në Nikaj-Mërtur, pas shtatë ditëve rrugëtim me makinë e në kambë nga kampi i internimit në Fierzë e në Btoshë, e varrosi Zefin e vogël dyvjeçar pranë gjyshit të tij, Prekë Ndout, në trollin e Zeqir Demës, në fshatin e tij të lindjes. Kahmos, nga dy anët e Drinit, nga Malësia e Gjakovës e Malësia e Madhe, erdhën në këtë rivarrim mortor të papamë e të pandiemë, me e krye me nderime traditore këtë përcjellje e t’pame.

Burrnesha e maleve shqiptare, Drande Jakja, ia kreu amanetin e vet burrit të saj e ndryshe nga Doruntina e lashtë e miteve iliro-shqiptare mbeti gjallë atë ditë e sot.

3.

Doruntina moderne, Drande Jakja, është një legjendë e gjallë, e cila ndryshe nga Doruntina e lashtë që udhëtoi mbi kali shale me të vllanë e vdekun, Konstandinin e ringjallur nga vorri, kjo malësore plot bukuri e forcë vitale, ka rrugëtue në kambë përkrah burrit të saj, Vuksan Prekës, dy herë vajtje-ardhje nga Btosha në Nikshiq të Malit të Zi, pasi përndiqeshin nga rregjimi shtetëror i kohës së Zogut sepse nuk pranuan me i dorëzue armët, biles me djelminë e Btoshës e të krahinës ua kthyen edhe pushkën të dërguarëve të qeverisë së asaj kohe.

Prapë si në legjenda: i kanë kapërcye shtatë male deri në Nikshiq në këtë vend që asokohe ishte me shumicë sllavë e pakicë shqiptare. I kapërcyen shtatë lumenj deri në lumin Zeta, që bashkohet me Moraçën para derdhjes në detin Adriatik.

Prapë si në legjenda: Kah ka mërgue për në Mal të Zi, si e kumton disa herë edhe autori Pjetër Meta në monografi, Drande Jakja ishte shtatëzanë me fëmijën e parë në bark, me Zojën, e cila u lindi në Nikshiq. Edhe në rrugën e kthimit, pas katër vitesh qëndrimi të atjeshëm, ishte shtatëzanë me fëmijën e dytë, me Nikën, i cili lindi më 31 janar 1941 në trollin e të parëve të vet, në Btoshë dhe tashti jeton në Amerikë, tek djali i tij, Gëzim Nika, kangtar epik e lirik i përmasave kombëtare shqiptare.

Drande Jakja e sotme nuk është Doruntina e hershme e baladës së vjetër e as e romanit të Kadaresë, që përcillet larg tek burri i saj dhe kthehet mbi kali shale në vendin e vet. Përkundrazi: kjo Doruntina e re ka qëllue me dalë kaçake maleve përkrah burrit të saj të pashëm e të fortë, Vuksan Preka, qyshse në vite të para të nusërisë, biles edhe kur ishte në muajt e parë të shtatëzanisë. Në këtë kohë nga ma të veçantat në jetën e një çifti të ri iu ra me pasë ndeje me çoje nga shtëpia në male të krahinës e Rrafshit të Dukagjinit, derisa emigruan përkohor.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore Vuksani e Drandja, çift nga ma të mirët edhe përtej krahinës së Nikaj-Mërturit, qëndruan pothuaj katër vjet paqësisht e lumturisht në trollin e tyne në Btoshë. Në fundvitin 1944, Vuksan Prek Ndou, përkrah btoshasve e bashkëkrahinarëve të tij, mori pjesë në Qëndresën Antikomuniste të Nikaj-Mërturit dhe derisa u mbyll kufini më 1948 qëndroi kaçak maleve me armë në dorë e shpesh e rrezikonte veten për me ndejt tek shtëpia në Btoshë, derisa në vitin 1952 e pushkatuan pa gjyq vet të tretin policia e sigurimi i Jugosllavisë së Dytë, në vise të Kosovës dardane.

Doruntina e lashtë veçse shkoi nuse larg e kur u kthye në trollin e vet ndrroi jetë, ndërsa Doruntinës moderne, Nanëmadhes Drande Jakja, ia nisi tri herë jetës nga e para në Btoshë: kur shkoi nuse, kur u kthye nga mërgimi në Nikshiq dhe nga internimi në Tepelenë. Ia nisi jetës shtatë herë nga e para: tri herë gjatë internimeve në Nikaj-Mërtur, një herë në Tropojë, kryeqëndren e atëhershme të rrethit, në kalanë e Beratit, në Turan dhe në Tepelenë. Ngulimi ma i fundit i saj, kur e filloi prapë nga e para, është Bukova në komunën e sotme të Llugajt në Lugun e Malësisë së Gjakovës, ku hapi tokë të re për truall e bukë, ngriti kullën e ndërtoi jetën e vet përmbi një gjysëm shekulli.

Sot, Nanëmadhja Drande Jakja jeton në Bukovën e bukur, në afri të bigimit të Bushtricës me Valbonën, në afri të Fierzës të Përtejdrinit, në afri të Btoshës. Nganjëherë i dëgjon në televizione kangët e nipit të tij, Gëzim Nikës, kangët hymn për lirinë e Kosovës “N’Dardani bjen ni tupan” apo kanga e mallit të mërgimtarëve “Shqipëri, o Nana ime” e dhjetra të tjera. Kjo 98 vjeçare është e lumtur që ia mbrrini kësaj dite, me i ardhë Shqipërisë Londineze Demokracia, me e fitue Kosova Lirinë e Pavarësinë, me i këndue nipi në skena të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Plavë-Gucisë e Tuzit dhe deri në Amerikë.

Me Doruntina të tilla si Doruntina e lashtësisë dhe deri tek kjo Doruntina moderne Drande Jakja ka jetue në histori e në troje të veta kombi shqiptar në shekujt e vet të vështirë.

Përndryshe, kisha me thanë edhe kështu: në koft se Kadare i madh do të shkruante një tjetër romanin për kit’ Doruntinën tjetër, atëherë me siguri kjo vepër do ta çonte atë drejt Çmimit Nobel, ashtu sikurse edhe bohema me tragjedi e sfida e Dorunintinës së sotme, Drande Jakes, në monografinë e autorit Pjetër Meta është e denjë për një film të rrallë në Hollivudin amerikan.