Këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha të premten se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.
Ai i bëri këto komente gjatë një vizitë ne Kiev, ku mori pjesë në shënimin e 27 vjetorit të pavarësimit të Ukrainës.
Ai tha se mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë mbetur ndër çështjet më me peshë dhe shumë njerëz kanë bërë përpjekje të ndërmjetësojnë por kanë dështuar. Ai tha se ka shenja se të dyja qeveritë janë të vullnetshme që të negociojnë për këtë.
“Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial. Qartazi është një çështje e vështirë. Nëse nuk do të ishte, do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por ne nuk do të bëhemi pengesë dhe nuk mendoj se ndokush në Evropë do të bëhet pengesë nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë e të kënaqshme”, tha zoti Bolton.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, angazhohet për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.
Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
Më 13 gusht, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim që është shprehur edhe nga Britania e Madhe.
Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.
Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve.
Të dy presidentët pritet të takohen ndërkaq të shtunën në Austri në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut, ku do të diskutohet për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimorë. / Zeri i Amerikës/