Tufalakim poetik nga Qazim SHEHU
UDHËT STRUKEN NË PËRRENJ
Një brengë e fortë seç më bren,
Shtroj rrugë dhe ajo s`vjen tek unë,
Udhëhumbur jam ,në jerm,
Fillikat në furtunë.
Sa xhevahire duhet me ia dhënë
Asaj rubinët i duken gaca,
Të digjet tek unë s`qenka e thënë
Mbase shuhet me erën përjashta.
KJO KOHË
Kjo kohë mbushur dëng me hipokrizi
na ngashëren fare rrallë,
Edhe kur mbarset mali e pjell një mi,
Kur fjala ia thyen eshtrat një fjale të përdalë.
Në jargavane hija e saj
Hyn dhe u jep luleve pleurit,
Prandaj lulet po bëhen artificiale
Kohës sonë i bekojnë dashuritë…
NË MAJË TË VËSHTRIMIT
Në majë të vështrimit ngre
Besimin për të pasurit dredharakë,
E ulim e s`di më ku ta vëmë
Shpupluar si zogu nga një gjerark.
Aq e pamundur;si të ngresh nga gërmadha
avionin e rrëzuar e të ndërtosh një avion të ri,
Ndonëse na ngushëllojnë fjalët
Që ata ëmbëltojnë për pak lumturi.
Konica tha:”Në Shqipëri të pasurit nuk ndihmojnë,
të varfërit nuk punojnë…”
Babloku i mendimit ndoshta nuk parapa
Se fjalët e tij nuk i dëgjojnë….
DRITA RE FJALËVE
Fjalët janë të gjalla,ato kanë ftohtë,
Fjalët janë të ftohta,ato ndizen,
Përmes thjeshtësisë,metaforës me diell,
Afrohen,dehen,zbërthehen,ikin.
Shpesh ndezin një zjarr në letër
Letra prej tyre hijeshohet,
Edhe pse bëjnë një dritë të verbër,
Prej tyre ende vetja jonë nuk ndriçohet…
KLITHMA NJË HOBE QË BIE
Klithma është një hobe që bie,
Mbi ballin e vet,
Klith hapësirës një përpëlitje rose
Para gjahtarit që çiften ngreh.
Pastaj klithma u shua,ra,
Në qetësinë e trofet të gjahut,
Gjahtari u drodh tek pa
Të tjerë që klithën për të afër një agu…
SHËMTIA
Shëmtia nuk ekziston
Atëhere pse del nga ne,
Demonin e saj që shkundullon
Nuk e vemë re.
Flutura ,që i hoqën krahët,
Doli një krimb,
Dhe nga ndërrim i pamjes
Shëmtia bind.
E përzëmë hijen e saj të sëmurë
Bukuria vjen mbi fron bosh,
Ajo i ngjan një të bardhe pëlhurë,
Ku me gjak lulen duhet t`ia vizatosh.
KAU
Në zverk të ditës dhimbjen çoi
Kur kularin ia hoqën nga qafa,
Me thundra të rënda bulëroi
Vështrim mpirë nga djersë e vlagët.
Një mirënjohje për të gjetur,
Kokrrat e misrit ulërinin nën ugar,
U shtri pak kohë për të fjetur,
Me ëndrra filizash nëpër arë.
Bërllyk, gjerë e gjatë në një cep,
Barin shpështillte me gjuhë,
Përroi,si fëmijës në djep,
I këndonte ninulla me ujë.
Ky monument i rëndë i bimësisë
Me hambarë të begatë në shpatulla,
Erdh i zoti dhe me të mirë
Ia vuri prapë zgjedhën tek qafa.
Në avull djerse sërish nxori
Gjerdanë të pjellorisë së bekuar,
Ndërsa me thundër mori
Një plis për ta copëtuar…
TI
Ti ishe vërtet poezia më e bukur,
Ndaj për ty nuk shkrova një varg,
Petrarka, Laurën ndaj e pati humbur,
Femrat poezinë kanë inat…
Edhe Dante Beatriçen humbi
Po për shkak të poezisë,
Dhe po mos ishte ky shkas i lumtur
S`do vinte hidhësi e dashurisë…
Atje ku poezia thith përherë
Nektarin që e bën të rrallë,
Poetit i merr gjithnjë koka erë,
Me dy të dashura digjet zjarr…