Maxhun Peka: Një jetë në Diplomaci

Nga parathania dhe shënimet e botuesit Onufri

Një libër i mirë s’ka nevojë për komente. Ai është si kroi në mal: mjafton të bësh me shenjë ku ndodhet, i eturi shkon te gurra vetë.
“Një jetë në diplomaci”, – vetëm një jetë? Diplomati bën jetë paralele. Punët e dukshme, përditshmëria, si për çdo zyrtar, janë njëra. Por diplomati duhet të lexojë gjëra që syri i të tjerëve nuk i sheh. Jo rrallë profesioni e do që tjetër të kesh në mendje e tjetër të thuash, tjetër të dëgjosh me veshë e tjetër të dëgjosh me mendje. E do të buzëqeshësh kur të dhemb shpirti ose e kundërta. Në këtë kuptim, ambasadori Peka mund të flasë për dy jetë.
Vazhdimësia në detyrë në dy epoka aq larg njëra-tjetrës, nga diktatura në demokraci, është një përvojë e pazakontë. Po aq sa dhe misionet diplomatike “flakë e borë”: nga Vietnami në zjarr, ku skenat e luftës dridhnin planetin, në Parisin vezullues, ëndërr për çdo diplomat; nga bota arabe me veçoritë e kulturës dhe ekzotikën, në një metropol aziatik si Pekini, që tronditi botën me ritmet marramendëse të zhvillimit.
Një kaleidoskop diplomatik i papërsëritshëm, me të cilin autori josh, intrigon, jo nën trysninë e emocioneve. Me të vërteta arritjesh dhe mos- arritjesh.
Mund të thuhet se Maxhun Peka ka pasur fat? Me gjasë, fati në këtë botë vështirë përjashtohet si faktor. Por fati ka diçka të përbashkët me talentin. Të dyve duhet t’u shërbesh fort me punë. Thonë fati duhet mbërthyer për flokësh. Si mund të mbërthehet “për flokësh” në diplomaci?
Ka një formulë të thjeshtë sa dhe të ndërlikuar, u thotë Peka pasar- dhësve me këto kujtime. Profesionalizmi mbi politikat e brendshme të ditës, mbi ideologjitë. Dashuria për vendin tënd, përkushtimi për të, jo për partitë e individët.
Lëndë jetësore tepër e vëllimshme, si me e përmbledhë në një libër të vetëm? Në jetën profesionale të Pekës ka edhe plot ngjarje e imtësi, që bërtasin e shtyjnë me bërryla. Hapuni, edhe ne duam hapësirë në libër, kemi sharm, kemi domethënie. Duke hyrë në lëkurën e autorit, e ndiejmë që s’e ka pasur lehtë, çka me përzgjedhë më përpara?
Zgjidhja më e mirë për këto “hatërmbetje”, një libër i dytë.
Nuk dimë ç’ka në mendje ambasadori Peka, mendjet e diplomatëve janë të palexueshme.

Mehmet ELEZI

 

* * *
Tani mund ta gjeni në të gjithë libraritë kryesore, kujtimet e ambasadorit Maxhun Peka, “Një jetë në diplomaci”
Klikoni për të lexuar një pjesë online:
https://www.yumpu.com/xx/document/view/61615344/maxhun-peka

Hardcover
ISBN 978-9928-226-18-1
Çmimi 2000 lekë
Faqe 376