Dioguardi, si patriot i faturës

Nga Kastriot Dervishi – historian

Diku në vitin 2002, një miku im, figurë shumë e njohur publike jopolitike udhëtoi në vendin e lirisë, në SHBA. Atje patriotët shqiptarë të shoqërisë më të njohur atje, i kishin përgatitur edhe një takim me z.Dioguardi. Siç më tregonte miku im kur u kthye nga vizita, takimi ishte 15 minuta. Në përfundim, z.Dioguardi, pasi pa i ngazëllyer te ora e tij minutën e 15-të, i kërkoi të paguante faturën për kohën e takimit. Miku im nuk ishte në gjendje për të paguar, veprim që e kryen patriotët tanë të Amerikës, por këtë gjest nuk e kishte falur kurrë, madje ishte revoltuar. Kjo histori i vjetër m’u kujtua teksa u bë publike letra me karakter komunal, politik dhe historik që kongresmeni amerikan në vitet 1985-1989 i dërgoi kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, në të cilën shprehej i shqetësuar nga ndërtimi i një muzeu kombëtar në këtë qytet. Letra mbante datën 12 korrik 2018, por u bë publike tani në kohën e duhur nga kundërshtarët e ndërtimit të muzeve për kohën e komunizmit.
Fjalët e përdorura nga z.Dioguardi, të tilla si “jam i shokuar”, “thellësisht i shqetësuar”, “plane të çudishme”, “një farë muzeu”, etj, të krijonin përshtypjen se 78-vjeçari Dioguardi qenka fort i lidhur me një bashki të vogël si Tepelena dhe aspak me ngjarjet e tjera në Shqipëri.
Tezat që z.Dioguardi ka rreshtuar në letrën drejtuar z.Peçi, janë të njëjta me ato të debatit të këtij viti me avokatët e krimit komunist, me të cilët kemi debatuar gjëra që janë tashmë publike. Argumentet që avokatët e komunizmit përdornin kundër nesh ishin:
-Kampi identifikohet me krahinën e Tepelenës dhe lidhet me historinë e saj.
-Kushtet e jetesës nuk kanë qenë të këqija dhe ushqimi ka qenë i mirë (gati e quanin kamp pushimesh).
-Kampi nuk ka qenë më i keq se kampet e tjera, por duke e krahasuar me kampet e të burgosurve.
Z.Dioguardi është përqendruar në tezën se kampi identifikohet me Tepelenën apo banorët e saj, duke u zgjatur madje me histori të kohës së mesjetës (!!!) dhe se nuk mund të krahasohej me kampet e nazizmit. Taktikisht do turpërohej po të përdorte edhe tezat e tjera.
Ata që kanë “fryrë” z.Dioguardi, faturëpagues të mirë, e kanë më të lehtë të përçojnë një propagandë të tillë sesa të dalin haptazi në mbrojtje të krimeve të komunizmit. Në këtë pikë Dioguardi nuk kërkon që formalisht të bëjë një korrekturë krahasimi me kampet e nazizmit, por që të mos ketë fare vende ku përkujtohet e shkuara, këtë herë komuniste. Kampi në fjalë nuk është për historinë e Tepelenës, por për kohën e persekutimit komunist. Në fakt, muzeu, (deri më sot teorik) nuk lidhet me historinë e Tepelenës, por me historinë e komunizmit të Shqipërisë, me vendet e vuajtjes së dënimit.
Ai do jetë në të njëjtin status krahasues si p.sh. muzeu i Spaçit, etj. Sipas logjikës që përdor z.Dioguardi, edhe Spaçi nuk duhet lejuar sepse fyen mirditorët, etj. D.m.th. në logjikën e Dioguardit, tepelenasit dhe historia e tyre ndjehen të fyer e të prekur, ndërsa mirditorët nuk quhen të tillë për muzeun e pritshëm në Spaç. Po ashtu do të ketë në të ardhmen mund të ketë muze për kampet tela me gjemba në Berat, Krujë, Valias, etj. Mos vallë do themi se Kruja është e Skënderbeut, apo Berati i ndonjë patrioti tjetër dhe se nuk duhen ndërtuar të tilla? Kur ekzistoi si muze burgu i Burrelit në vitet 1992-1997 askush nuk e identifikoi me historinë e Matit apo matjanëve.
Pse pikërisht tani qenka fyerje për Tepelenën?
Nëse z.Dioguardi do ta kishte seriozisht letrën e tij, mjaftonte të theksonte krimet e komunizmit, pa e lidhur këtë me krahasime nga koha e nazizmit, të cilat as unë nuk i kam qejf, sepse komunizmi shqiptar është krejt origjinal. Të habit fakti se gjatë gjithë letrës së tij, z.Dioguardi nuk përmend fare fjalët “komunizëm”, “të vuajturit nga komunizmi”, “krimet e komunizmit”, etj. Sikur të ishim skandinavë p.sh. nuk do kuptonim fare se për çfarë bëhet fjalë në letrën komunalo-politiko-historike.
Madje z.Dioguardi bëhet qesharak teksa kujton “shumë i kënaqur” intervistën e z.Tërmet Peçi në fillim të këtij viti. Z.Dioguardi në meshën 78-vjeçare vështirë se e ka dëgjuar ndonjëherë emrin e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës dhe më tej akoma zor se është marrë me leximin e intervistave të kaluara. Jo thjesht për largësinë midis Shqipërisë dhe SHBA-së, por edhe për faktin se është e pabesueshme që mosha e z.Dioguardi merret me intervistat e z.Peçi. Edhe më i leshti e kupton në Shqipëri se Dioguardi nuk ka lexuar kurrfarë interviste. Por edhe këtu kanë gabuar. Intervistën e z.Peçi, në të cilën ai lëkundej për ndërtimin e kampit, e ka cituar më parë z.Pëllumb Xhufi në një nga debatet e tij pro komunizmit. Pra, “rastësisht”, si Xhufi në Shqipëri, ashtu edhe z.Dioguardi në SHBA, ishin mrekulluar në kohë të ndryshme nga intervista e Termet Peçit.
Unë kam qenë dhe jam kundra qindra gjërave në lidhje me ndërtimin e kampit të Tepelenës, qoftë me konceptimin, emërtesën aspak të duhur me atë që ka qenë, shifrat tejet të pasakta, viteve të shkruara gabim, kopjimin e modeleve “pezake” etj, etj, por në parim jam pro ndërtimit të një muzeu të tillë në nivel vetëm kombëtar. Organizatorët me veprime krejt sporadike e të pamenduara kanë përfshirë kot së koti edhe Bashkinë Tepelenë, në një kohë që karakteri i muzeut është kombëtar dhe jo vendor. Të përfshirë nga mania e gjërave të kota, herë hynin në lidhje e bisedime me Ministrinë e Kulturës e herë me Bashkinë e Tepelenës, duke na dëshmuar mungesë të thellë të legjislacionit për muzetë. Kam lexuar gafa të çuditshme në aktet e Bashkisë së Tepelenës që lidheshin me historikun e kampit në fjalë.
Kampi i internimit tela me gjemba i Tepelenës ka funksionuar në vitet 1949-1953. Ai përbëhej në shumicë nga gra, pleq dhe fëmijë, trashëgimtarë të të arratisurve, të dënuarve dhe ushtarakëve dezertorë, kryesisht nga veriu i vendit. Nuk hyn në grupin e kampeve të punës së detyruar, pasi ka karakter tjetër dhe specifikë krejt të veçantë.
Sipas ligjit nr.9386, datë 4.5.2005 “Për muzetë”, muze quhet “një institucion i kujtesës, ngjarjeve apo dëshmive të shkruara e materiale të njeriut”. Muzetë janë kombëtarë, vendorë dhe tipologjikë. Muzetë kombëtarë (si rasti i kampit të Tepelenës) shpallen apo krijohen me propozim të ministrit të Kulturës e me vendim të Këshillit të Ministrave. Për këtë arsye, Bashkia e Tepelenës është krejt pa rol në këtë vendimmarrje.
Letra e një ish kongresmeni ka zbritur në nivel komunal, gjë që është për të ardhur keq në çfarë bataku ka rënë z.Dioguardi.
Një keqardhje e thellë për të, ndaj të cilit kemi pasur respekt e nderim. Fatura, pavarësisht zerove nuk mund të përdoret si arsyetim për të mbuluar krimet e komunizmit. Nëse shpirtrat e fëmijëve, grave e pleqve, të vdekur, poshtëruar apo lënduar nga veprimet e padëgjuara të komunistëve, nuk vlejnë për ndërgjegjen e z.Dioguardi, kemi plot të drejtën të themi se vlejnë për ne. Atë le ta udhëheqë fatura. Kam frikë se tani që mësoi se vendimmarrja është në dorë të Këshillit të Ministrisë dhe jo të tërmetit, në kuadër të strategjisë së faturës mos qëndisë një kartë tjetër për kryeministrin.