Kushtim Zeqir Halilit të Krasniqes (1853-1918), luftëtar, prijës, kuvendtar, dëshmor martir i Lirisë e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.
Nga Ramiz LUSHAJ
O Zeqir Halili i Krasniqes!
U rrite sa Pushka e Lirisë.
Te Flamuri Kombëtar u rrite.
Flamuri e Pushka t’u banë përmasa për lartësi
Në bjeshkë, në vrri, në histori…
Të gjej, o Zeqir Halili, të gjej:
Në Lidhjen e Prizrenit,
Në Lidhjen e Pejës,
Në Kryengritjen e Shkupit,
Në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë
Të shoh tue ecë bashkudhtarë…
me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin…
me qindra e mijëra luftëtarë malësorë.
Në Qafë Morinë, Shkodër,
Në Plavë-Guci…
Në Junik, Gjakovë…
Në Shkupin dardan
Në luftë për nji Shqipëri të vetme,
Në luftë për Kombin tand.
Ka 100 vjet tue t’ardh te kulla jote bajrak,
Aty ku linde, në vrri, në Fang, skej Valbonës.
Ka 100 vjet tue të ardh te Kungji i Armëve
Aty, në bjeshkë tande alpine të Markofçes.
Ku mbete hero i përjetshëm
i bjeshkës, i kombit, i qiellit e i tokës.
Tash 100 vjet, do ketë dhe 1.000…
Edhe po s’të erdha te varri në Kungjin e Armëve
Edhe po s’të erdha te kulla jote bajrak me histori
Në të lavdishmin Fang të Bujanit
Do të gjej dhe te Pushka e Lirisë
Do të shoh dhe tek palët e Flamurit…
Shqipëri Etnike, 18 gusht 2018