Korrigjimi i Republikës

Nga Qemal SAKAJEVA

Presidenti Thaçi më kot mëtoi të bënte Presidentin Klinton.

Në formë e imitoi.

Në përmbajtje e djallosi në mënyrë historike.

Shqiptarët nuk mund të shlyejnë nga kujtesa, kur për 15 ditë me radhë, Klinton dilte në ekranet e televizioneve, duke u shpjeguar amerikanëve ku binte Kosova gjeografikisht, pse Serbia ushtronte barbarizm mbi popullin e saj, dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes e të çlirimit të tyre.

Ka dy javë që Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk pushon së daluri nëpër ekranet e televizioneve, duke iu drejtuar shqiptarëve, serbëve, por edhe botës, në përpjekje për t’i bindur se shpëtimi i shtetit të Kosovës vjen nëpërmjet “korrigjimit të kufirit”.

Qysh nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, mes termave politikë, që tjetër kanë shprehur e tjetër është  nënkuptuar, fjala korrigjim është në shkallën më të  epërme të dhelpërisë politike,  më e errta për të mos thënë veprimin, diçka e interprertuar në dy mënyra. Në Prishtinë, Thaçi  e thotë me plot gojën – korrigjim. Në Beograd, Vuçiç e thotë me gjithë shpirt – ndarje.

Sipas regjistrimit të vitit 2011 në Kosovë, shqiptarët përbëjnë 92.93 të popullsisë, ndërsa serbët 1.47 përqind. Me këtë stërpakicë, Serbia e ka detyruar Republikën e Kosovës të bëjë tri korrigjime me pasoja.

Korrigjimi i parë:  Sipas Pakos Ahtisaari, manastiret dhe kishat serbe u përcaktuan  Zona të Veçanta të Mbrojtjes. Siç është zbatuar, nëse e shprehim me fjalë të tjera, ato përbëjnë thuajse extra-territore. Sipërfaqet janë mjaft të gjera. Të shpërndara gjithëkund. Administrohen aq rreptësisht, sa duhet leje për t’u futur brenda tyre. Nuk ka mjaftuar kjo, por Serbia ka shpallur në UNESCO që, objektet e kultit serb në Kosovë janë të rrezikuara nga shqiptarët, duke synuar të arrijnë statusin “kishë-shtet”, ngjashëm me “Atos” në Greqi apo Vatikanin në Itali.

Korrigjimi i dytë:  Tërësia unike e territorit të Kosovës është e coptuar. Nga 38 komuna gjithësej, 10 komuna janë me shumicë serbe. Këto njësi vendore qeverisëse, Serbia i llogarit dhe i trajton si “ishuj” të shtetit të saj. Me një vërshëllimë të presidentit të Serbisë, ato rreshtohen në veprim si të ishin pjesë e territorit dhe qeverisjes në Serbi.

Korrigjimi i tretë: Akti juridik më dramatik i futjes këmbëkryq të Serbisë në Kosovë është nën emrin Bashkësia e Komunave Serbe. Ky përbën emëruesin e përbashkët të të gjithë faktorëve serbë që veprojnë në Kosovë. Ish- presidenti Tomisllav Nikoliç, një nga radikalët emblemë, ka deklaruar me mburrje se është ai autor i idesë për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Por çdo ide që buron nga kryet e radikalëve, kurrë nuk duhet pritur që t’i shërbej tërësisë së Kosovës, qeverisjes së saj dhe bashkëjetesës të serbëve me shqiptarët. Kurse Presidenti Aleksandër Vuçiç synon që Asosacioni të jetë Autonomi.

Këto tri korigjime e kanë tjetërsuar shumëçka deri në themel. Pavarësisht pasojave që shihen përditë prej tri korrigjimeve të kryera, u shpall dhe i katërti: korrigjimi i kufirit. Po të kalojë, ky do të ishte përfundimi i ripushtimit të Kosovës me mjete të tjera.

Nëse mbetemi te korrigjimi, le të bëhen këto:

Kosovë: Të paralizohet veprimi politik i gjithë atyre që “korrigjimin e kufirit”, të Thaçit,  dhe “ndarjen e Kosovës”, të Vuçiç, i cilësojnë të mirëseardhura nëse ia dalin.

Serbi: Duke qenë se territore të gjera shqiptare gjenden në Republikën e Serbisë, Beogradi le të heqë dorë prej tyre, t’ia kthejë Kosovës për të bërë korrigjim e duhur të kufirit.

BE: Para se Serbia të bëjë hapa të tjerë drejt Bashkimit Europian, Brukseli të detyrojë Beogradin të bëjë demarkacionin, apo korrigjimin e kufirit,  të vendndodhjes së Serbisë në hartën politike midis Bashkimit Europian dhe Rusisë. Johanes Han, kur tha në shumës, se në Ballkan ka “kuaj troje” të Kinës në BE, nuk e përmendi fare, për ta theksuar në njëjës dhe të shquar qartë gjuhësisht: Kali më i madh i trojës i  Rusisë në Bashkimin Europian është Serbia.

Serbia u nxorr nga dera me luftë, po futet nga dritarja me paqë.

Lufta e NATO-s, pse u bë?!