Ballina Rajoni Një hienë përballë Sali Berishës, një mace kokëulur përballë Angela Merkel

Një hienë përballë Sali Berishës, një mace kokëulur përballë Angela Merkel

Nga Drilon Rrahmani / BotaSot

Gruaja me fuqinë më të madhe politike në Botë, Angela Merkel, ka fundosur shpresat dhe dëshirën e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit për prekjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo në një deklaratë, ka thënë se, nuk mund të ketë një rivendosje të kufijve në Ballkan, duke aluduar në zërat e fundit rreth shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, apo termave të tjerë që po i përdorë presidenti i vendit tonë, Hashim Thaçi (ndarje, korrigjim).

Këto deklarata të Angela Merkel, u mundua të mos i përfillë presidenti Thaçi, i cili me ironi e me tentim për shpërqendrim vëmendje, i ka reaguar kancelares gjermane.

Në një postim në Twitter, Thaçi megjithatë ka kërkuar nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian që t’i bindin pesë vendet mos-njohëse si dhe Serbinë që ta njohin Kosovën.

“E përshëndes deklaratën e Kancelares Angela Merkel rreth pacenueshmërisë së kufijve në Ballkanin Perëndimor. Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të bashkimit Europian t’i bindin pesë vendet mos-njohëse dhe Serbinë që ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”, kishe shkruar Thaçi.

Një goditje e madhe kjo për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, pasi ky i fundit me të gjithë entuziazmin e tij është përqendruar që të arrihet një marrëveshje historike siç e quan ai, me armikun shekullor serb.

E reagimi i Thaçit ndaj Merkel, do të mund të përkufizohej me thënien e popullit “I fort të rrah e nuk të ’lë të qashë”.

Kjo për shkak se, Thaçi u tregua shumë i ashpër në deklaratat e tij kundër përgjegjëse ndaj ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, pasi ky i fundit doli haptas kundër idesë së rrezikshme të presidentit të Kosovës.

Thaçi ka thënë se, Kosovës nuk i duhen këshilla nga ata që e kanë ndihmuar Sllobodan Millosheviçin, në vitet e luftës me Kosovën, duke i shitur naftë, në kohën kur Jugosllavia ishte nën sanksione.

Madje, Presidenti i Kosovës ka shkuar edhe më tej duke thënë se këshilla nuk i duhen as prej atij që ka strehuar Osama Bin Landenin dhe ka arrestuar Adem Jasahrin dhe komandantë tjerë të UÇK-së.

Këto deklarata të Angela Merkel, përveç që hodhën ujë në zjarrin e përgatitur nga Vuçiq dhe Thaçi, shfaqën edhe hijen e keqe të urrejtjes së këtij të fundit ndaj shqiptarëve që luftuan për të mirën e kombit dhe idealit për liri.

Kjo për shkak se Thaçi u tregua si një hienë përballë Berishës, ndërsa si një mace kokë-ulur ndaj Kancelares Angela Merkela.

Në anën tjetër, figurat e mëdha të partive opozitare në Kosovë, mirëpritën deklaratat e Merkel rreth çështjeve të territoreve, duke gjetur një lloj përkrahje të madhe në betejën anti-Thaçi.

Në fakt, tani qytetarët e Kosovës mund të flenë “këmbëzbathur” nga frika e idesë famëkeqe të Thaçit, me prapavijë Serbinë e Rusinë.