Shtëpia e Bardhë, Omarosa dhe regjistrimet e fshehta

Vazhdon skandali mes Presidentit Donald Trump dhe ish-ndihmëses së tij dhe personalitetit televiziv Omarosa Manigault Newman, e cila ka publikuar regjistrimet e bisedave që zhvilloi me Presidentin dhe Shefin e Personelit në Shtëpinë e Bardhë. Zonja Manigault Newman thotë se fshehurazi ka regjistruar bisedat me Presidentin Trump dhe Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, gjë që mund të përbëjë shkelje të rregullave të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, sjell hollësitë.

Omarosa Manigault Newman i përket një numri të vogël nga bashkëpunëtorët e mëparshëm zotit Trump që mori një post në Shtëpinë e Bardhë. Ajo e kishte njohur zotin Trump për më shumë se një dekadë, duke u shfaqur në emisionin televiziv “The Apprentice.”

Por, në një intervistë me kanalin televiziv NBC, ajo tani thotë se gjithçka ndryshoi pas pushimit të saj nga puna në dhjetor të vitit të kaluar.

“Shumë gjëra të korruptuara po ndodhin në Shtëpinë e Bardhë dhe unë do t’i nxjerr në dritë shumë prej tyre”,thotë ajo.

Dy ditë radhazi, ish-ndihmësja e Presidentit Trump, e njohur si Omarosa, publikoi regjistrime të fshehta të bisedave që kishte bërë në Shtëpinë e Bardhë.

Të dielën, ajo publikoi një bisedë me Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly që ajo e kishte regjistruar në një dhomë ku mbahen takime të rëndësishme, të quajtur “The Situation Room”.

Të hënën, ajo publikoi një regjistrim tjetër që, sipas saj, është dëshmi se Presidenti Trump nuk ishte në dijeni të shkarkimit të saj.

Zëri i Presidentit Trump

“Ju e dini se ata menaxhojnë një operacion të madh, por unë nuk e dija këtë”.

Dhoma e Shtëpisë së Bardhë ku ishte bërë regjistrimi është e rezervuar për diskutimet më sekrete dhe më kritike të sigurisë kombëtare. Ndihmësit që marrin pjesë në mbledhjet e zhvilluara në këtë dhomë zakonisht nuk lejohen të sjellin me vete pajisje elektronike.

Analistët e sigurisë janë shprehur të alarmuar për faktin që është regjistruar fshehtazi një bisedë në një dhomë kaq sekrete.

Përmes një deklarate, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha se regjistrimi ishte një mospërfillje e hapur për sigurinë kombëtare dhe e denoncoi Omarosën si një ish-punonjëse të pakënaqur, e cila nuk kishte “karakter dhe integritet”.

Omarosa i doli në mbrojtje veprimit të saj në një intervistë në kanalin NBC.

“E bëra si masë për t’u vetëmbrojtur, sepse kjo është një Shtëpi e Bardhë, ku të gjithë gënjejnë. Presidenti e gënjen popullin amerikan. Sarah Huckabee çdo ditë prezantohet para vendit dhe gënjen. Duhet të mbrosh veten, përndryshe të godasin me 17 thika pas shpine”.

Zonja Newman po promovon librin e saj të ri, “Unhinged”, me tone shumë kritike ndaj Presidentit Trump dhe Shtëpisë së Bardhë. Në librin e saj, ajo pretendon se i është ofruar një pagë prej 15,000 mijë dollarësh në muaj nëse ajo nuk do të kritikonte Presidentin Trump.

Presidenti Trump dha këtë pëgjigje në lidhje me librin e Omarosës:

“Ajo është një individ shumë i ulët”.

Presidenti Trump gjithashtu e sulmoi atë në Twitter të hënën në mëngjes, duke e quajtur të krisur dhe të paskrupullt.