Piramida e krenarisë

Nga Haki Zllami  

Libri më i ri i Shaban Nokshiqit ”PIRAMIDA” me 1001 personazhe heronj nga Plava, Gucia,  Kosova dhe Tropoja, banorët e këtyre  zonave,  krenari shqiptare.

Pse nuk  i pushon mendja, Shaban Nokshiqit, pse gjumi i tij është i trazuar?!

Dhe kjo ndodh sepse ka një ëndërr të parealizuar, bashkimin kombëtar, kështu që përjetimet e tij, të cilat u kthyen në këtë libër me titull, si simbol i ndarjes me botën e vjetër dhe afirmimin i një bote të re, ku padyshim shqiptarët ndihen shumë pranë triumfit në Europë dhe në ritmet e zhvillimit perëndimor.

Janë vargjet e poetit që ndan me ëndrrën dhe gëzimet e veta, bashkë me vuajtjet e kaluara si një amanet dhe mesazh për brezin e ri, që ta duan atdheun dhe familjen dhe t’i japin kontributin e merituar vendit të vet ! Janë  vargje kujtimi, me vlera historike. Lexojmë:

 “Zenun Rama trim atdhetar

 Aleksandrit po i kthen fjalë

 Duel ti më ke lypë

Jam ka të la para me qitë”.

Luftë të rreptë bëjnë djemtë Nokshiqas, tropojanë, kosovarët…

Përjetime të poetit tashmë me përvojë Shaban Nokshiqit  janë të shumta, i mallkon me zemër piramidat si gozhda të ndyshkura, pengesë e gjithçkaje, bllokim i shpirtrave, midis njerëzve, mbetën çikat pa u martuar…

Ka vlue xhezja e derdhë në hi,

mbeti kafja e çikës pa u pi,

ka pre bystekët e veshë tirqit

e nuk u martua kurrë. ..

As delet nuk shkonin me u mjelë atje ku kishin le. Piramidat  ishin ato që bënë që edhe gjuha jonë e bukur të flitet sot në shtatë shtete  (!?).

Ç’farë mëkati !

Gjuha si dalloja numër një e kombit !

Tematika e këtij libri është gjithëpërfshirëse me poezi të karakterit epik gegënisht, vargje të lira që në  disa raste afrojnë me rapsoditë e Eposit. Autori me shumë kujdes trajton temën e heronjve, veçanërisht Azem Hajdarin dhe të tjerë, të cilët janë bërë simbole që populli i ka në zemër, nuk i harron kurrë. Citojmë:

“Më 27 Tetor të këtij viti

 Azem Hajdari lindi për së dyti

 Një përmendore u lartësue

Vlera n’majë u kurorërzue”.

Vargje që flasin për ngritjen e Shtatores, kushtuar tribunit të demokracisë, Azem Hajdarit.

Të mbushur me emocione përvëluese janë vargjet kushtuar legjendarit të bjeshkëve të Valbonës, Mushak Haxhisë. Njëra nga kasaphanet e cërnagorëve, kundër shqiptarëve të pafajshëm, është ajo e Qafës së Previsë, ku përshkruan qëndresën e 700 trimave që shkojnë drejt plumbave të Avre Cemit, faqeziut.

Ndërsa, poeti  shkruan :

“Mora besë në thinja e pleqni”

 Me shkrue realen për Plavë e Guci

 Djepat janë mbetë thatë

 Nuk kanë gratë burra me lind…

 Të shumta janë poezitë me vlera si “Plis i bardhë”, “Shqiptari pikon Nokshiqi”, “Vorret nanat nuk ua dine”, “Guri” , “Kthim nga harresa” e shumë të tjerë.

Migena Arllatit, është njëra nga poezitë, ku poeti me zemër në pëllëmbë të dorës shkruan për profesoreshën e njohur të Gjakovës dhe bijes krenare të Elbasanit.

 “Grue zonjë “princesha Diana”

 Për Prishtinë e Tiranë

Jam fatlum, unë mendje plaki

Të uroj jetë o Migena Arllati !  “

Në këtë vëllim poetik, krijuesi përpiqet të tregojë se edhe femrat artiste me krijimet e tyre dhe zgjuarësinë ekselente japin ndihmesë të çmuar ndaj zhvillimeve rajonale në Ballkan. Bukur fort shprehet poeti :

“Kur të sheh Ty, lumi i Valbonës

 E kthen rrjedhën prej Gjakove…”.

Nga sa shkruam për vlerësimet e mia për librin  e Shaban Nokshiqit  mund të themi:

    *   Është një libër i vërtetë që duket lexuar në qiellin  e pastër.

    *   Jepet një histori me elemete autobiografike të mbijetesës

    *  U referohet ngjarjeve më madhore në trojet etnike shqiptare.

    *  Poeti  Shaban Nokshiqi  është një histori e gjallë .

Të mësojmë nga librat dhe përvoja  e tij . Përzemërisht i urojmë jetëgjatësi !

Bajram Curri, më 12 gusht 2018