Tarifat e vendosura ndaj mallrave kineze, evropiane dhe nga pjesë të tjera të botës mund të dëmtojnë konsumatorët amerikanë dhe bizneset e vogla. Analistët thonë se në ekonominë e sotme globale, shumica e prodhuesve prodhojnë disa pjesë, ndërsa pjesë të tjera i importojnë për të nxjerrë produktin përfundimtar. Siç njofton korrespondentja Zlatica Hoke, tarifat e vendosura ndaj pjesëve elektronike kineze e detyruan një fabrikë amerikane të mbyllej, si dhe ka shqetësime se fermerët amerikanë mund të humbasin tregje të mëdha ndërkombëtare për shkak të tarifave ndëshkimore të vendosura ndaj prodhimeve bujqësore amerikane.
Tarifat e vendosura nga administrata Trump ndaj pjesëve kineze të televizorëve e detyruan të vetmen kompani amerikane televizorësh që të mbyllë fabrikën e saj. Kompania “Element Electronics” në Fairfield, të Karolinës së Jugut, njoftoi se do të mbyllet brenda dy muajve dhe se do të shkurtojë 126 nga 136 punonjësit e saj.
“Është ironike që për shkak të një politike që synon të ndihmojë prodhuesit amerikanë, shkurtimet e para po ndodhin në një fabrikë televizorësh amerikanë, këtu në Fairfield”, thotë Senatori i shtetit të Karolinës së Jugut, Mike Fanning.
Analistët thonë se bizneset e vogla si kjo fabrikë janë të ekspozuara ndaj tarifave pasi ato shpesh importojnë pjesë nga vende të huaja.
“Vendet nuk prodhojnë më produkte. Ato prodhojnë pjesë për produktet, dhe importojnë pjesë të tjera. Ne tashmë kemi marrë gërshërën dhe po i presim të gjitha këto lidhje. Kështu shpërbëhet i gjithë modeli i tregtisë botërore”, thotë Profesor Roy Wehrle, i Universitetit të Illinois, në Springfield.
Kina ka vendosur 25% tarifa ndaj mallrave amerikane me vlerë prej 34 miliardë dollarësh, ndër to edhe ndaj sojës. Kina është tregu më i madh për sojën amerikane. Administrata Trump thotë se do të ofrojë deri në 12 miliardë dollarë fonde ndihme për fermerët e dëmtuar nga lufta tregtare. Por, disa analistë thonë se kjo nuk do t’i ndihmojë shumë në periudhën afatgjatë.
“Situata e fermerëve amerikanë do të rëndohet më tej nëse Kina i zhvendos blerjet e sojë drejt Brazilit, Argjentinës dhe vendeve të tjera në botë”, thotë John L. Rogers, i Universitetit Northwestern.
Qeveria amerikane po zhvillon luftë tregtare edhe me vendet aleate. Tarifat më të fundit për importet e metalit iu vendosën Turqisë. Presidenti Donald Trump është shprehur se vendet e tjera kanë shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara dhe se ai dëshiron ta bëjë tregtinë më të drejtë. Ai gjithashtu dëshiron t’i ruajë vendet e punës në sektorin e prodhimit industrial. Por, analistët thonë se disa tendenca ekonomike nuk mund të ndalen.
“Ndryshoi teknologjia dhe u zhvendos atje ku gjendet krah më i lirë pune, në Kinë, Malajzi, Nepal etj. Ligjet ekonomike veprojnë dhe nuk mund të ndalen nga veprimet e qeverisë”, thotë Profesor Wehrle.
Për momentin, rritja e ekonomisë amerikane po krijon vende pune, dhe papunësia ka rënë nën nivelin 4%, më e ulëta në gati 20 vjet, megjithëse rrogat nuk po rriten me të njëjtin ritëm.