Tlaib, gruaja e parë myslimane drejt Kongresit amerikan

Ish ligjvënësja demokrate në shtetin e Miçiganit, Rashida Tlaib, ka mundur pesë sfidues në distriktin 13 të atij shteti në zgjedhjet paraprake për Kongresin amerikan. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh i cili ka ndjekur nga afër fushatën e saj, zonja Tlaib bëhet gruaja e parë myslimane që do të shërbejë në Kongresin amerikan.

Ahlam Jbara jeton në Çikago të Illinoit, 6 orë larg Detroitit, që do të thotë se nuk mund të votojë në zgjedhjet paraprake shtetërore. Por gara për Kongresin amerikan në distriktin 13 të Miçiganit ishte shumë e rëndësishme dhe personale për të. Ndaj ajo udhëtoi gjashtë orë me makinë për të dalë vullnetare për fushatën e Rashida Tlaib në ditën e zgjedhjeve.

“Si myslimane amerikane, si arabo-amerikane si palestinezoamerikane… unë jam ajo, ajo është unë.”

Megjithëse janë zgjedhje në Miçigan, fushata e zonjës Tlaib për Kongres ka implikime historike dhe mbarëkombëtare, kryesisht për gratë myslimane amerikane, që shohin fitoren e saj si një mundësi për të ardhmen.

“Thjeshtë mesazhet në telefon nga vajza të reja; sapo mora një nga Nju Jorku, të japin shumë emocione”, thotë kandidatja Rashida Tlaib.

“Ajo ka formuar një gjeneratë të re me të rinjë që duan të kandidojnë për poste”, thotë vullnetarja Ahlam Jbara.

“…ajo po tërheq të rinjtë por edhe të tjerë që janë bërë amerikanë dhe që nuk kanë votuar më parë si dhe vetë amerikanët që nuk kanë votuar ndonjëherë sepse nuk kishin besim në qeverinë e tyre”, thotë Ahlam Jbara.

Këto vota sollën ndryshimin për zonjën Tlaib, diçka që ajo dhe mbështetësit e saj vunë re vetëm pas një pritje të gjatë për rezultatet e garës tejet të ngushtë.

Ndonëse e pushtuar nga emocionet kur dëgjoi rezultatin, zonja Tlaib shfrytëzoi rastin për të folur mbi rëndësinë e këtij momenti historik për familjen e saj.

“Dua të falenderoj mamanë time që është nga Bregu Perëndimor..e gjithë familja po pret me padurim para televizorit, dua të falenderoj gjyshen dhe të gjithë familjen time në Palestinë që po ndjekin në televizor mbesen e tyre të fitojë këto zgjedhje”.

Meqenëse në zgjedhjet e nëntorit nuk ka sfidues nga republikanët, zgjedhjet paraprake ishin e vetmja sfidë për zonjën Tlaib para se të betohet në Kongresin amerikan, një rol që shumë amerikanë myslimanë po e shikojnë me padurim dhe shpresë.

“Ata ndjehen se Rashida përfaqëson ata. Rashida do të jetë fytyra dhe zëri i tyre në Kongres. Duke qënë Rashida në Kongres, ne jemi amerikanë sikurse edhe ju”, thotë vullnetarja nga Çikagoja.

Së shpejti mund të ketë të tjerë si ajo. Ligjvënësja somalezo-amerikane Ilhan Omar konkuron për Kongres në shtetin Minesota më 14 gusht dhe mund të shërbejë së bashku me Rashida Tlaib në Kongresin amerikan.