Në gjuhën tonë të bukur: shqip

DESERT? S’KA!

Sipas fjalorëve normativë të gjuhës shqipe, tryeza shqiptare e bukes nuk e ka njohur desertin. Fjalorët normativë s’e kanë fjalën desert.

Nëse në vend të saj do të kishte një fjalë shqipe, që përcjell kuptim të përafërt, kjo mungesë do të përshëndetej. Por edhe në një rast kësisoj desert mund të shërbente me e përhapë fjalën shqipe, duke e shpjeguar emrin desert me të.
S’ka ndodhur as njëra, as tjetra. A thua tryeza e varfër e shqiptarëve nuk e njeh desertin?

Për të sotmen pyetja nuk qëndron.
Në çdo restorant kamerieri thotë: për desert kemi.
Nganjëherë: desertin ua ofrojmë ne.
Edhe nëpër festa e gëzime gjithandej shërbejnë ëmbëlsira dhe pemë.

Pyetja nuk qëndron as për të djeshmen. Shqipja ka të paktën dy fjalë që i përgjigjen emrit të huazuar prej frengjishtes, desert.

E para, paslugë. Përdoret në Mirditë, mbase edhe tjetërkund.
Formuar prej parafjalës mbas (pas) dhe emrit lugë. Pra diçka që vjen pas gjellëve që hahen me lugë. Po të kemi parasysh se të shumtën e herës deserti shqiptar duhet të ketë qenë pemë (fruta), pasi sheqeri ka qenë me grat, me shumë kursim, domethënia e fjalës zbërthehet vetvetiu.

E dyta është perihime. Përdoret në Labëri. Çabej e lidh me perime.
Fjalorët e gjuhës shqipe s’i kanë. Vetë gjuha shqipe i ka. Sepse i ka pasur sofra e shqiptarëve.

Mehmet ELEZI

13 gusht 2018