Sipas vlerësimeve të OKB-së provinca Xinjiang në Kinë është shndërruar në një “kamp masiv internimi” ku mbahen më shumë se një milion ujgurë.
Pjesëtarët e këtij grupi etnik mbahen në të ashtuquajtur kampe kundër ekstremizmit, njofton Komiteti i OKB kundër Diskriminimit Racor në Gjenevë. Ka njoftime se dy milion ujgurë dhe pakica të tjera muslimane janë dërguar në qendra të riedukimit politik, tha kryetari i këtij komiteti Gay McDougall. Shumica e tyre nuk janë akuzuar apo dënuar kurrë.
Me përndjekjen e ujgurëve dhe pakicave të tjera muslimane, rajoni autonom i ujgurëve është shndërruar në “një lloj kampi internimi masiv”. Ujgurët janë një popull mysliman mjaft i afërt me turqit, që nuk kanë me kinezët as lidhje etnike as kulturore. Partia Komuniste Kineze ka vite që reagon me raprezalje ndaj lëvizjes së ujgurëve për pavarësi. Që nga viti 2016 masat e shtypjes dhe mbikëqyrja janë ashpërsuar mjaft. Dhe thuhet se janë ngritur qindra kampe pune për ujgurët.
Kina shtyp pakicat
Organizatat e të drejtave të njeriut presupozojnë se në Kinë shkeljet e të drejtave të njeriut janë rutinë. Ka ankesa për tortura, keqtrajtime dhe indoktrinim. Mediat shtetërore të Kinës konfirmuan disa javë më parë se në provincën e Xinjiangut janë transferuar vetëm në tremujorin e parë të vitit gati gjysmë milioni njerëz me pretekstin “për të përmirësuar stabilitetin shoqëror”. Të premten e kaluar qindra myslimanë të popullsisë Hui protestuan në Kinë kundër shëmbjes së një xhamie.
Në Kinë jetojnë më shumë se 20 milionë myslimanë. Dy grupet më të mëdha janë minoritete hui dhe ujgurët, me nga rreth dhjetë milionë pjesëtarë. “Kina është një vend multietnik, që e bën shumë të komplikuar trajtimin e çështjet fetare”, shkruante gazeta shtetërore kineze Global Times dhe interesat kombëtare si tërësi dhe nevojat specifike të feve të ndryshme nuk mund të përputhen me “saktësi njëqind për qind”.
Vatër konflikti
Rajoni Xinjiang në pjesën perëndimore të Kinës, ku jetojnë ujgurët, konsiderohet si vatër konflikti. Pas trazirave të përgjakshme në vitin 2009 dhe një serie sulmesh terroriste, forcat e sigurisë e godasin me forcë këtë minoritet. Ujgurët ndihen të shtypur ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja kulturore nga kinezët në pushtet. Pas marrjes së pushtetit në Pekin më 1949, komunistët e aneksuan ish-rajonin autonom të Turkestanit Lindor. /D.W./