Ballina Aktualitet Anketa e Komisionit Europian për Cilësinë e Jetës : 77 % shqiptarëve...

Anketa e Komisionit Europian për Cilësinë e Jetës : 77 % shqiptarëve nuk i përballojnë dot shpenzimet dentare

Stomatologët: Kemi çmimet më të lira në rajon, vijnë edhe të huaj

Thuajse asnjë klinike dentare nuk e mbyll aktivitetin në muajin Gusht në Shqipëri. Ardhja e emigrantëve është kohë e artë për dentistët.

Të tërhequr nga çmimet e ulëta në raport me vendet ku jetojnë, i shfrytezojnë pushimet për t’iu drejtuar klinikave të stomatologjisë, një fenomen që është pagëzuar si “turizmi dentar”.

“Turizmi dentar vihet re kryesisht gjatë muajve të verës kur njerëzit kanë pushimet e tyre duke ju drejtuar shërbimit dentar përveç sherbimeve të tjera, sic është turizmi i përgjithshëm, por edhe atij dentar pasi çmimet  janë të lira”, thotë stamatologia Ruzhdie Qafmolla.

Veç emigrantëve vijnë edhe të huaj. Kevin udhëton nga Belgjika.

“Vij këtu për cilësinë e shërbimit dentar dhe çmimin. Është shumë më lirë këtu se në Belgjikë”.

Por ata që jetojnë këtu mendojnë se ky shërbim është i shtrenjtë. 77 përqind e shqiptarëve ankohen se shpenzimet tek dentisti janë të papërballueshme. E thonë këtë në një anketë të Komisionit Europian për Cilësinë e Jetës. Stomatologët nuk pajtohen. Për ankesat, përgjigjia është thuajse standarde.

“Njerëzit janë mësuar të ankohen”.

Shërbimi dentar në Shqipëri është tërësisht privat dhe nuk mbulohet nga shteti. Sipas anketës europiane, pas Shqipërisë renditet Greqia me 68 % të të anketuarve që thonë se nuk i përballojnë dot shpenzimet. Në Maqedoni këtë mendim kanë 30 përqind e të pyeturve. Mesatarja europiane është 36 përqind dhe vendet me ankesat më të ulëta janë Finlanda, Suedia dhe Holanda me 11 deri në 13 përqind.