Nga poeti Hamit Aliaj – Mjeshtër i Madh
Shpëtimtari
Vrau kulshedrën që kish shterrur ujërat
Dhe u solli lumin
Ditën e dytë të ardhjes së lumit,
Kush do na shpëtojë nga mbytja në lum?
Thërriste turma
Ditën e tretë,lumi i paemër
Shpëtimtarin e mbytur luhaste mbi dallgë
Dhe turma brohoriste ujqërisht
Në brigjet pa ura
Dikush u kujtua se duhej një urë,
Po ura don flijime,
Memecin endacak e flijuan në themel
Dhe shenjt e shpallën
Kush i kish fajet për vdekjet që erdhën:
Për mbytjen në lum,kurbanin e urës,
Sjellësi i lumit,a lumi vetë?!!
I lodhur nga akuzat,nga mosmirënjohja i lodhur,
Një natë lumi iku,
S’dihet se ku,po kurrë nuk u kthye
Ajo urë pa lum, natë për natë lshon gjamë,
Edhe pse shenjti i saj
Është i pagojë
Urë e palum,
Shenjtën të pagojë !
Të pagojët s’dëshmojnë dot për krimet…