Qeveria Federale e Gjermanisë, mbështetë përpjekjet e BE-së për të arritur një zgjidhje të përbashkët me Kosovën dhe Serbinë, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Kështu ka bërë të ditur, në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Bota sot”, zyra për informim e Qeverisë Federeale, lidhur me mundësinë që Kancelarja Angela Merkel të përfshihet në dialog, ashtu siç ka propozuar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Mos gjetja ende e një zgjidhjeje për fazën finale të dialogut me Serbinë e detyroi zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Behgjet Pacolli, të dalë me idenë për përfshirjen e kancelares gjermane Angela Merkel në zgjidhjen e problemeve në Ballkan.
Ai konsideron se Merkel përveç se një udhëheqëse e madhe, është edhe një grua gjeniale dhe se konstruktiviteti, korrektësia dhe fuqia e saj në zgjidhjen e problemeve, e bën të domosdoshëm përfshirjen e saj në zgjidhjen e problemeve në Ballkan.
Por, nuk është se Behgjet Pacolli doli i pari me këtë ide. Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një takimi me Kancelaren Gjermane, muaj më parë i kërkoi ndihmë kësaj të fundit lidhur me këtë çështje.
Propozimi i Thaçit
Presidenti i Kosovës ka thënë se, Kosova është e gatshme për fazën vendimtare të dialogut me Serbinë, ku pritet të arrihet marrëveshja përfundimtare.
Megjithatë, Thaçi ka pranuar se faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën dhe as për Serbinë, por ka theksuar se nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara përveç dialogut dhe marrëveshjes.
Ai ka shtuar se, marrëveshja finale duhet të përfundojë me njohje reciproke, pasi vetëm kjo mundëson heqjen e pengesave për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.
“BE-ja duhet të vazhdojë të luajë rolin e vet ndërmjetësues edhe gjatë fazës përfundimtare, por e mirëpres edhe një rol aktiv, ndihmues në këtë proces të kancelares Merkel, pasi gëzon respektin në Kosovë dhe Serbi”, është shprehur Thaçi.
Mirëpo, sa do e ndihmonte një gjë e tille vendin tonë në problemin e saj me Serbinë dhe dialogun që tashme është në fazën finale?
Duke i pyetur se si e vlerësojnë këtë ide të zëvendëskryeministrit Pacolli , gazeta “Bota sot” ka arritur të kontaktojë me zyrën për komunikim të Bashkimit Evropian dhe Qeverinë Gjermane.
Kosova, shqetësim i rëndësishëm i Kancelares Merkel
Zyra për komunikim e Qeverise Federale të Gjermanisë, kanë kthyer përgjigje për gazetën “Bota sot”.
Qeveria Federale ka thënë për “Bota sot” se Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës janë shqetësime të rëndësishme për Kancelaren Merkel.
“Pajtimi i shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia është një shqetësim i rëndësishëm i Kancelares Merkel dhe i qeverisë federale në tërësi. Kjo vlen veçanërisht për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Kështu, në vitin 2014, në kujtim të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Kancelarja Federale filloi procesin e Berlinit” , thuhet në përgjigje e zyrës për informim të Qeverisë Federale të Gjermanisë.
Mirëpo, nga Zyra për Komunikim e qeverise Gjermane kanë thënë se mbështetin përpjekjet e Mogerinit për një zgjedhje të përbashkët.
“Qeveria Federale mbështetë përpjekjet e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe në veçanti të Përfaqësuesit të Lartë Federica Mogherini, për të arritur një zgjidhje të përbashkët me të dyja palët në bazë të dialogut të normalizimit” kane përfunduar nga Qeveria Gjermane.
BE nuk deklarohet
Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar edhe me zyrën për Komunikim të Bashkimit Evropian.
Ata kanë thënë shkurt se lidhur me këtë çështje mund të vendosë vetëm qeveria Gjermane .
“Në lidhje me kërkesën tuaj ju lutem më lejoni të ju them se rreth kësaj teme mund të vendosë vetëm ministria e Jashtme Gjermane. Atyre ju takon të vendosin rreth kësaj çështjeje” kanë thënë nga Bashkimi Evropian.
Rexhaj: Deklarata e Pacollit- Llafe të odave dhe tubime të mëhallëve
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Rexhaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se propozimet e tilla pompoze të krijojnë përshtypjen thuajse vendet evropiane nuk kanë qenë asnjëherë mbikëqyrëse në këtë proces.
“Shkathtësitë diplomatike të një rangu botëror siç është Behxhet Pacolli janë përtej kapaciteteve njerëzore”, hiqe elementin e marketingut personal propozimet e tij nuk janë gjë tjetër veçse llafe të odave dhe tubimeve të mëhallave. Procesi i dialogut me Serbinë në fazat e zhvillimit të saj si akter kryesor ka pasur BE-në, prandaj propozimet e tilla pompoze të krijojnë përshtypjen thuajse vendet evropiane nuk kanë qenë asnjëherë të mbikëqyra në këtë proces, dhe fal këtij margaritari nga Mareci po u ndërroka radikalisht kursi i bisedimeve Kosovë –Serbi” ka thënë ai.
Tutje deputeti i VV-së ka treguar edhe 6 propozimet e VV-së për dialog.
“Propozimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për dialogun: 1. Të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë 2. Askush në emër të Kosovës nuk mund t’i negociojë çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës 3. Reciprocitet i plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë 4.Reciprocitet i plotë i të drejtave të qytetarëve shqiptar në Serbi me qytetarët serb në Kosovë 5. Padi për gjenocid kundër Serbisë 6. Hashim Thaçi është person jokredibil për t’a udhëhequr dialogun e ardhshëm me Serbinë” ka përfunduar deputeti i Vetëvendosjes, Arber Rexhaj.
Albinot Maloku
Merkel të përfshihet në procesin e dialogut
Njohësi i çështjeve diplomatike, Albinot Maloku në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se rekomandimi që ajo të përfshihet edhe në këtë të ashtu prezantuar si faza finale e dialogut është me vend.
“Gjermania ka qenë e përfshirë në shumë procese në të cilat ka kaluar Kosova, por edhe Ballkani në përgjithësi. Dihet mirëfilli se të ashtu njohurin si ËB6 e ka fuqizuar kryesisht kancelaria gjermane Angela Merkel. Rekomandimi që ajo të përfshihet edhe në këtë të ashtu prezantuar si faza finale e dialogut është me vend. Aktualisht jemi duke kaluar në një proces të matjes së disponimit si në Kosovë e po ashtu edhe në Serbi dhe Berlini zyrtar mesa duket vetëm është duke vëzhguar këtë fazë” ka thënë ai
Tutje, Maloku ka shtuar se Gjermania ka qenë e prerë disa herë ndaj Serbisë në lidhje me shtetësinë e Kosovës, bile shumë më decidiv ishte Berlini sesa edhe vetë Prishtina.
“Ngjarjet gati të njëjta po ndodhin edhe në Kosovë edhe në Serbi. Krejt kjo mund të lexohet si një koordinim i mirë mes presidentëve Thaçi e Vuçiq. Gjermania ka një pranueshmëri të mirë jo vetëm tek Prishtina zyrtare por edhe në Beograd, konsiderohet se Angela Merkel gëzon një respekt. Gjithsesi, Gjermania ka qenë e prerë disa herë ndaj Serbisë në lidhje me shtetësinë e Kosovës, bile shumë më decidiv ishte Berlini sesa edhe vetë Prishtina, konkretisht zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në lidhje me këtë” ka përfunduar Albinot Maloku.