Nga dr. Islam LAUKA *
Ka disa kohë, që Presidenti Hashim Thaçi, procesin e dialogut me Serbinë e vlerëson si të rëndë e të vështirë, ndërsa përfundimin e tij, e parashikon si një “kompromis të dhimbshëm”.
Askush nuk ka pritur, as nuk pret, që dialogu midis dy vendeve të dala nga një konflikt i përgjakshëm shekullor, të jetë një fushë e shtruar me lule, ku udhëheqësit e tyre t’i shprehin dashurinë pa kusht, njëri-tjetrit. Aq më tepër, kur merren në konsideratë natyra e kundërshtarit, presionet e ndërmjetësuesit, apo të qendrave të tjera vendimmarrëse, vështirësitë në procesin e dialogut, janë të kuptueshme.
Ajo që shqetëson më shumë opinionin publik është togfjalëshi “kompromis i dhimbshëm”, që lidhet me rezultatin e dialogut Kosovë-Serbi. Brenda këtij togfjalëshi, ajo që dhemb më shumë është vetë fjala “i dhimbshëm”.
Pyetja që shtrohet është: “Ku do ti shkaktohet dhimbja e radhës Kosovës? Në fizikun e saj, pra në territor (Veriu), në ekonominë e saj (Trepça, Ujmani), apo në strukturën shtetërore (niveli i tretë i pushtetit), duke e kthyer atë në një subjekt që nuk funksionon?
Deri sot, Presidenti Thaçi e ka lënë të errët kuptimin e këtij togfjalëshi. Ai i ka bishtnuar sqarimit të përmbajtjes së tij, megjithëse e ka patur rastin ta bëjë para Kuvendit të Kosovës, apo në konferencat e tij të stypit, të kthyera, kohët e fundit, në një ritual.
Sipas një numri vëzhguesish dhe analistësh, me “kompromis të dhimbshëm”, Thaçi nënkupton ndarjen e Kosovës. Ata u referohen informacioneve të ndryshme për takime të fshehta midis Thaçit dhe Vuçiqit, ku thuhet se është diskutuar kjo çështje, apo deklaratës së Presidentit, i cili heshtjen e ambasadorit amerikan, lidhur me qëndrimin e vendit të tij ndaj ndarjes së Kosovës, e mori si mbështetje të këtij procesi dhe bëri thirrje që të veprohet ashtu siç kërkon aleati ynë strategjik, SHBA.
Sipas disa të tjerëve, në këtë koncept, Thaçi përfshin dhënien e kompetencave ekzekutive Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe (BKSh). Në përforcim të këtij argumenti, ata sjellin deklaratën e Presidentit për “akomodim më afirmativ për serbët” në Kosovë.
Për të tjerë vëzhgues dhe analistë, Thaçi nuk ka asgjë konkrete në tavolinën e tij, as për “kompromis të dhimbshëm”, as të padhimbëshëm, ai thjesht pret “porosinë” e radhës nga ndërkombëtarët, i gatshëm për ta zbatuar atë, pa hezitim, me kusht që ai të mos dërgohet në Gjykatën Speciale. Shkurt, sipas tyre, Presidenti ka hallin e mbrojtjes së lëkurës së vet, dhe jo të Kosovës dhe interesave të saj.
Pyetja tjetër që shtrohet është, përse pikërisht tani, 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dilet me tezën e “kompromisit të dhimbshëm” me Serbinë? A nuk e kemi quajtur të mbyllur çështjen e Kosovës, një herë e përgjithmonë, pas 17 shkurtit 2008? Dhe a nuk e legalizoi mbylljen e kësaj çështjeje Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësise (GJND), me mendimin e saj këshillues, se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar? A nuk e konsiderojnë të mbyllur këtë çështje 116 vende që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, brenda kufijve ekzistues?
Janë të tjerë ata që e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë Kosovën si një çështje të pazjidhur, si “konflikt të ngrirë”. Serbia, e cila e kërkoi vetë mendimin e GJND-së për Kosovën, duke u angazhuar zyrtarisht se do ta njihte vendimin e saj, pavarësisht se si do ishte ai, në favor apo kundër Beogradit, përkundrazi, që nga ajo kohë, u hodh në një sulm të ri, të paparë, me tezën e vjetër se çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur përfundimisht. Në këtë kuadër, Serbia pengoi zbatimin e një numri marrëveshjesh të nënshkruara me Kosovën, bllokoi anëtarësimin e saj në disa organizata rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe ndërmori një lobing intensiv për çnjohjen e Kosovës.
Nga aktorët e jashtëm, Rusia dallohet për agresivitetin e mbrojtjes së tezës se Kosova është një konflikt i hapur, se zgjidhja e tij duhet të modelohet vetëm mbi bazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Duke theksuar se mbështet atë zgjidhje, që do të ishte e pranueshme për Beogradin, Moska, ndërkaq, tërheq vëmendjen që formula e zgjidhjes së kësaj krize nuk duhet, kurrsesi, të dalë jashtë kornizës së përcaktuar nga kjo rezolutë. Është për tu theksuar që, përfshirjen e Krimesë në përbërje të Federatës Ruse, nëpërmjet aneksimit të saj, si dhe pavarësimin e Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut, pas pushtimit të tyre nga trupat ruse, Kremlini i konsideron si çështje të mbyllura, pavarësisht se për të trija këto raste, nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, janë miratuar rezoluta që dënojnë agresionin rus dhe rikonfirmojnë tërësinë territoriale të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Ndryshe nga Kosova, shtetet që i njohin ato, së bashku me Rusinë, nuk i kalojnë gishtat e njërës dorë dhe për asnjërin prej tri rasteve nuk ka një mendim këshillues pozitiv të GJND-së, siç ka ndodhur me Kosovën.
Tani kemi të bëjmë me një moment të ri gjeopolitik, në Ballkan. Në strategjinë e re të zgjerimit të BE-së theksohet se viti 2025 mund të jetë viti i anëtarësimit të Serbisë në këtë organizatë. Por, para se të anëtarësohet në BE, Beogradit i kërkohet të zgjidhë problemet me fqinjët, ndërsa me Kosovën, në mënyrë specifike, i është vënë detyre që të normalizojë marrëdhëniet dhe të nënshkruajë me të një marrëveshje, juridikisht, të detyrueshme.
Përballë këtij realiteti të ri, Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nxitoi të dalë me tezën e “kompromisit të dhimbshëm” me Kosovën, me të cilën, sipas analistit Darko Hudelist, ai nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës (me dhimbje), në këmbim të kalimit të veriut të saj në përbërje të Serbisë. Logjika e tij është e thjeshtë: për hir të integrimit në BE, më saktë, të infuzionit të pritshëm financiar europian në ekonominë serbe, të përfshirë në krizë, Beogradi pranon ta mbyllë çështjen e “hapur” të Kosovës, duke përvetësuar pjesën e territorit të saj, në veri të lumit Ibër. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, këtë gjë e shpreh hapur, ndërsa Vuçiqi herë hapur, herë me doreza, në formën e deklaratave si, “Kosova nuk mund të fitojë gjithçka e Serbia asgjë”.
Logjika e Beogradit për “kompromis të dhimbshëm” me Kosovën, në momentin e tanishëm, është e kuptueshme. Po Hashim Thaçi, përse nxiton? A ka një moment të ri për Kosovën, siç ka për Serbinë? Përkundrazi, në strategjinë e zgjerimit të BE-së vihet në dukje se Kosova mund të përparojë në rrugën e integrimit europian, kur ta lejojnë rrethanat. Asgjë e re, asgjë konkrete, asgjë për t’u nxituar. Atëherë, përse u dashka që Kosova t’u kthehet përsëri “kompromiseve të dhimbshme” me Serbinë, pas atyre që bëri gjatë procesit të statusit, në vitet 2005-2007, por edhe më vonë, në vitet 2011-2015? Të tilla kompromise, ka, jo pak: diskriminimi pozitiv i serbëve që u jep mundësinë e të qenit aksionar në shtetin e Kosovës me paketë kushtetuese bllokuese; decentralizimi mbi baza etnike; dhënia e statusit special objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare serbe; heqja dorë nga bashkimi kombëtar, etj.
Dalja e Thaçit më tezën e “komromisit të dhimbëshëm”, me dashjen a pa dashjen e tij, në thelb, është rihapje e çështjes së saj, zhbërje e statusit aktual politik, zhvendosje historike prapa, me pasoja të rrezikshme, jo vetëm për të, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Është e tepërt të thuhet që ky kompromis, si në variantin e ndarjes, ashtu edhe të dhënies së kompetencave ekzekutive Bashkësisë së Komunave Serbe është në kundërshtim me idealet e luftës, për të cilat luftoi UÇK dhe populli i Kosovës, me Deklaratën e Pavarësisë, lexuar nga vetë Thaçi dhe me ligjin themeltar të Republikës së Kosovës, neni 1, pika 1, dhe neni 2, pika 2, që sanksionojnë se Kosova është shtet unik, i pandashëm dhe gëzon sovranitet e integritet të pacënueshëm dhe të patjetërsueshëm. Pushteti ekzekutiv i BKSH-së është në kundërshtim të plotë me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 23 dhjetor 2015 dhe parimet themelore të ndërtimit e të funksionimit të shtetit të Kosovës. Në perspektivë, niveli i tretë i pushtetit ekzekutiv nuk është gjë tjetër, veç ndarje e brendshme, që, herët a vonë, çon në ndarje të jashtme, pra në atë që sot kërkohet nga Vuçiqi, por në formë më graduale dhe në mënyre më të kamufluar.
Në konferencën e tij të fundit për shtyp, Thaçi e shmangu togfjalëshin “kompromis i dhimbshëm” dhe foli për “korrigjim të kufirit” me Serbinë, në kontekstin e përfshirjes së çështjes së Luginës së Preshevës në axhendën e bisedimeve me Beogradin. Sa i përket terminologjisë së përdorur, ajo është identike me atë të Vuçiqit, i cili flet për “korrigjim”, ose “rirregullim” të territorit, pra jo për shkëmbim tërrritoresh dhe këtë e “argumenton” me faktin se shkëmbimi bëhet shtet me shtet, ndërkohe që, sipas tij, Kosova nuk e plotëson këtë kriter. Po Thaçi si e argumenton përdorimin e këtij termi? Më tej, çfarë ka parasysh Presidenti me “korrigjim kufiri” kur flet për Luginën e Preshevës?
Si rregull, korrigjimi i kufirit lidhet me natyrën e terrenit dhe ka të bëjë me sipërfaqe të papërfillshme, pa ndonjë rëndësi gjeopolitike apo gjeoekonomike për njërin apo tjetrin shtet. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të zgjidhet si një e tërë dhe nuk mund të reduktohet në një “korrigjim kufiri”. Në rastin më të mirë, kjo “zgjidhje”, tregon për mosnjohje të thellë të këtij problemi, në rastin më të keq, për përpjekje të dështuara për mashtimin e opinionit, se gjoja po merret me zgjidhjen e këtij problemi, kur në fakt, ai nuk ka asgjë në dorë. Sepse Lugina e Preshevës është në përbërje të shtetit Serb dhe Beogradi kurrë nuk do të pajtohej të vinte nën kontrollin e Kosovës korridorin 10, që e lidh atë me Selanikun, si dhe bazën e tij ushtarake në Cepotin (Bujanoc).
Nga ana tjetër, Presidenti Thaçi dhe këshilltarët e tij do të duhej të dinin se “korrigjimit” të kufijve duhet t’i paraprijë marrëveshja politiko-juridike për përcaktimin (delimitimin) e kufirit, e cila, nga ana e saj, i paraprin marrëveshjes së shënjimit (demarkimit) të kufirit. Kjo e fundit përmban një klauzolë për korrigjime të kufirit, të diktuara nga terreni, gjatë procesit teknik të shënjimit të tij. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, të dyja këtyre marrëveshjeve duhet t’u paraprijë njohja e ndërjellë si shtete të pavarura e sovrane, me atribute për të nënshkruar dhe ratifikuar mërrëveshje ndërkombëtare. Deri sa kjo të mos ndodhë, tezat për “korrigjim” a “rregullim” kufijsh do të shërbejnë si perde tymi për opinionin publik, në konferencat e radhës për shtyp.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, pa nënshkruar më parë marrëveshjen politiko-juridike për përcaktimin e kufirit përbën një precedent të rrezikshëm, të cilit Serbia edhe mund t’i referohet, sipas logjikës “nëse Malit të Zi i lejohet, mua përse jo”? Edhe vetë Thaçi, i frymëzuar nga “suksesi” personal në përmbylljen e kësaj marrëveshjeje, mund të tundohet që të njëjtin “sukses”, si me Malin e Zi, me të njëjtat metoda, ta arrijë edhe me Serbinë. Ashtu si në rastin e parë, në favor të interesave të tij të ngushta dhe në dëm të Kosovës.
Duke nxjerrë mësim nga ajo praktikë antishtetërore dhe antikombëtare, sugjeroj që, në rastin me Serbinë, të ndërmerren këta hapa:
1- Kuvendi i Kosovës të miratojë platformën e bisedimeve me Serbinë, ku të përcaktohen vijat e kuqe me të, në rradhë të parë, kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër dhënies së pushtetit ekzekutiv BKSH-së. Nëse nuk përcaktohen qarte parimet dhe kushtet e dialogut me Serbinë, ka rrezik të përsëritet ajo që paralajmëron Arbër Xhaferri – shqiptarët shkojnë në bisedime me dy këmbë dhe negociojnë që të fitojnë të drejtën për të pasur një këmbë.
2- Të hidhet poshtë koncepti i “kompromisit të dhimbshëm” me Serbinë si një koncept i dëmshëm dhe i rrezikshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës.
3- Të futet në axhendën e bisedimeve me Serbinë çështja e Luginës së Preshevës, duke i kërkuar Beogradit që të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Kosovë t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Serbi.
Kujt nuk do t’i pëlqente që Lugina e Preshevës, si e tërë, t’i bashkohet Kosovës, në këmbim të tri komunave serbe në veri, me kusht që Mitrovica, si qytet i bashkuar, Trepça dhe Ujmani t’i mbeten Kosovës? Në kushtet e sotme, kjo është ëndërr në diell, si në aspektin e termave juridiko-kushtetues, ashtu edhe të realpolitikës. Kosova nuk ka këllqe që ta jetësojë vetë këtë projekt, as aleatët e saj strategjike nuk do ta ndihmonin në këtë përpjekje. Vërtet, në vitin 1999, Perëndimi na ndihmoi, por atëherë ishin kohëra të tjera dhe ndihma e tij ishte për të drejtat tona njerëzore dhe parandalimin e katastrofës humanitare, jo për të fituar territore. Nëse atëhereë NATO ndërhyri ushtarakisht në një vend jo-anëtar të saj, si ish-Jugosslavia, sot Presidenti Trump vë në diskutim nenin 5 të Traktatit të Aleancës për t’i ardhur në ndihmë një vendi anëtar, në rast agresioni kundër tij. Europa, tashmë dihet, është e zënë, deri në fyt, me problemet e veta ekzistenciale. Ndërkohë, Rusia putiniste është forcuar dhe bërë më agresive.
Në këto kushte, është e domosdoshme që të rritet ndjenja e përgjegjësisë së klasës politike kosovare, në kuptimin e vetëdijësimit që çdo hap a vendim i marrë sjell pasoja për fatet e vendit e të popullit, shpesh të pariparueshme, siç ndodhi me humbjen e Çakorrit, Belluhës dhe Kullës së Zhlepit. Aty ku mungon përgjegjësia, fillon arbitraliteti, aq i përhapur në rajonin tonë, sidomos, midis nesh, shqiptarëve.
Partitë politike të koalicionit qeverisës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të heqin dorë nga praktika “Sati” (vetëdjegia e vejushave në zjarrin ku digjen burrat e tyre të vdekur, në disa vende të Azisë juglindore), duke u shkëputur nga Thaçi.
Ndërkohë, partitë e opozitës të mos e kthejnë në qëllim në vetvete çështjen se kush, personalisht, do ta drejtojë dialogun Kosovë-Serbi, por të marrin përgjegjësitë e veta, në radhë të parë, për përcaktimin e përmbajtjes së këtyre bisedimeve.
Së fundi, do ishte mirë, që edhe qytetarët e Kosovës të jenë më kërkues ndaj qeveritarëve të tyre, t’u kërkojnë llogari dhe, nëpërmjet mekanizmit të votës së lirë, t’u vënë fre arbitrariteteve të tyre.
Shkrimtari i njohur britanik, Xhorxh Oruell, autor i librit “Ferma e Kafshëve”, ku rrëfehet se si derrat e konsideronin veten më të barabartë se të tjerët dhe shfrytëzonin, grabisnin e torturonin kuajt, delet, e çdo kafshë tjetër që u dilte përpara, tërheq vëmendjen: “Një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj dhe tradhtarë… nuk është viktimë, por është bashkëpunëtor i tyre”.
* Diplomat, pedagog, veprimtar elitar i Shoqërisë Civile