Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti ka bërë të ditur për KosovaPress se situata në jug të Mitrovicës është e qetë dhe stabile.
Sipas tij, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme sa i përket jugut në këtë qytet.
Edhe zëvendës drejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut situatën aktuale të sigurisë në atë pjesë e ka përshkruar krejtësisht të qetë.
“Është një ditë e rëndomtë pa ndonjë aktivitet që mund të kërcënojë sigurinë e përgjithshme ose rendin publik”, ka thënë Hoti për KosovaPress.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar poashtu se situata e sigurisë në këtë qytet vazhdon të jetë stabile, ndërsa njëri nga deputetët serb të Parlamentit të Kosovës, i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë KosovaPress-it përmes telefonit se është i habitur me titujt e mediave kur shkruajnë për veriun e edhe për jugun e Mitrovicës.
“Vërtetë nuk e di kush dhe për çka është duke sajuar gjërat. Pse duhet e gjithë kjo. Njerëzit të frikësuar nga të dy anët po më thërrasin, ndërsa unë me familje kam dal mbrëmë dhe sot të shëtisë nëpër rrugët e qytetit me qëllim që njerëzit të kuptojnë se nuk është duke ndodhur asgjë”, ka thënë ai.
Ndryshe, njësitet elitare të Policisë së Kosovës janë grumbulluar në bazën “Belvedere” të Mitrovicës, por siç mëson KosovaPress-i, prania e tyre ka të bëjë me një ushtrim të planifikuar më herët. /KosovaPress/ Titulli nga Limit.al/