Avokatët tregojnë pse Specialja nuk po ngritë aktakuzat e para

Janë bërë tri vite që kur u miratuan ndryshimet kushtetuese duke hapur rrugën themelimit të Gjykatës Speciale dhe më shumë se një vit nga funksionalizimi i saj, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Megjithëse janë bërë paralajmërime të shumta për ngritjen e aktakuzave të para, mirëpo, një e gjë e tillë ende nuk ka ndodhur dhe nuk dihet se kur do të ngritën këto aktakuza. Avokatët për Indeksonline kanë folur për këtë proces dhe arsyet e mundshme se pse ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Avokati, Arianit Koci i cili është akredituar nga Gjykata Speciale për të mbrojtur të akuzuarit që do të ndiqen nga kjo gjykatë, ka thënë për Indeksonline se njëra prej arsyeve të kësaj vonese është dëshmitë e dëshmitarëve që nuk janë në korelacion me provat materiale.

Sipas tij, më këtë po shkelën të drejtat e të pandehureve duke i mbajtur në hetim apo procedim penal për kohë të gjatë.

“Para katër viteve, në fund të korrikut të vitit 2014, kryeprokurori i Task Forcës Speciale Clint Williamson ka thënë se sikur një gjykatë të ishte e krijuar, prokuroria do të ishte në gjendje që menjëherë të depononte aktakuzat. Gjykata u themelua qe sa kohë, por aktakuzat nuk u ngritën. Me këto vonesa po shkelen të drejtat e të pandehurve, duke i mbajtur në hetim, apo procedim penal një kohë të gjatë, dhe po krijohet një ambient i përshtatshëm për spekulime, aludime dhe hamendësime në shoqërinë kosovare”, ka thënë Koci.

Megjithatë Koci ka shtuar se procedura penale e kësaj gjykata ndryshon në raporton me Kodin e Procedurës së Specializuar, duke bërë me dije se teknikisht aktakuzat e para mund të jenë të deponuara, por që të pandehurit dhe mbrojtësit mund të mos jenë në dijeni.

“Bazuar në nenin 39(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ligji nr. 05/L-053, dhe rregullës 86(2) të Rregullores të Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, Prokurori i Specializuar ia dorëzon aktakuzën në mënyrë konfidenciale dhe ex partë gjykatësit të procedurës paraprake për konfirmim të aktakuzës. Pra, teknikisht aktakuzat e para mund edhe të jene të deponuara, dhe të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre nuk të mos jenë në dijeni, derisa të konfirmohet aktakuza”, ka theksuar avokati Koci.

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi shprehet se vonesa e ngritjes së aktakuzave të para janë për shkaqe politike.

“Jemi në fazën përfundimtare të negociatave politike me Serbinë dhe besoj se kjo është arsyeja e vonesës së ngritjes së aktakuzave të para,  janë pazaret e llojllojshme që po bëhen. Unë mendoj se personat  e caktuar që mund të jenë shënjestër e akuzave të Speciales, janë duke tentuar që të gjejnë mënyrë për të shpëtuar vetveten, por sa do të zgjas kjo amullie askush nuk e din”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka shtuar se e tërë infrastruktura ligjore për tu ngritur aktakuzat është krijuar. Ai ka shtuar se kjo gjykatë është vetëm formalisht e Kosovës, ndërsa krejtësisht është politike-ndërkombëtare.

“Shumë gjëra kanë ndodhur për gjatë këtyre viteve dhe fillimisht është pritur që të zgjidhen gjyqtarët, ka ndodhur emërimi i prokurorëve, pastaj e gjitha infrastruktura ligjore është krijuar janë zgjedhur edhe ♪çështjet teknike tjera. Është pritur qysh në vitin e kaluar, posaçërisht pas qershorit të vitit 2017 që të fillohet me ngritjen e aktakuzave të para, po pastaj ndodhën ngjarje të 22 dhjetorit ku u tentua shfuqizimi i saj. Mirëpo, kjo gjykatë është ndërkombëtare, dihet që vetëm formalisht është e Kosovës, por kemi të bëjmë më gjykatë krejtësisht politike, sa që nuk kemi asnjë akuzë brenda tri viteve”, ka thënë në fund Gashi.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (DHSK dhe ZPS) me herët kanë publikuar raportin e parë të punës.

Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar ZPS-ja ka shqyrtuar me vëmendje provat e mbledhura që nga koha kur Task Forca Hetimore Speciale filloi punën në vitin 2011, ku përfshihen rreth 70.000 dokumente, që numërojnë thuajse 700.000 faqe material.

Prokurori i Specializuar thuhet se ka punuar drejt një vendimi për ndjekje penale, por ai ngre aktakuzë vetëm nëse bindet se provat janë të pranueshme para Dhomave të Specializuara./Indeksonline/