​”El Pais” e Spanjës: Qëndrim Gashi, shkenctari brilant që punon për imazhin e Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi ka pushtuar gazetën El Pais, më e lexuara në Spanjë, njëri nga 5 vendet evropiane (i vetmi në perëndim) që nuk e ka njohur Kosovën.

E quan brilant, në portretin e tij, shpjegon të arriturat e shkencëtarit dhe se si po e përdor matematikën për promovimin e Kosovës, raporton KosovaPress

Duke treguar gjithçka për jetën dhe punën e tij, në portret shpjegohet se si ambasadori vetëm një herë mundi të kalonte kufirin e të hynte në Spanjë.

Duke vendosur në pah problemet e Kosovës që nga lufta e vitit 1998, gazeta citon ambasadorin Gashi: Që pajtimi në Ballkan të jetë i vërtetë, është esenciale që bota akademike të përfshihet.

Në këtë frymë, është ndërtuar i tërë teksti për të, raporton KosovaPress

Shkrimi i plotë, i përkthyer:

“Matematika më shërben për të projektuar një imazh pozitiv të Kosovës”

Matematikan dhe diplomat, kosovari Qëndrim Gashi e mbron “diplomacinë shkencore” si rrugë për zgjidhje të konflikteve ndërkombëtare.

Nga Luca Tancredi Barone.

Toulouse, 4 gusht 2018.

Historia e matematikanit të ri Qëndrim Gashi (Prishtinë, Kosovë, 1984) është emblematike se si shkenca mund të jetë e ndërlidhur me luftërat dhe lëvizjet ndërkombëtare. Gashi, tash ambasador i Republikës së Kosovës në Paris dhe udhëheqës i tezave për studentë që tash janë në Gjermani, Japoni, Francë dhe Mbretëri të Bashkuar, së fundi foli në një sesion kushtuar shkencës dhe diplomacisë në kongresin ndërkombëtar ESOF (European Science Open Forum), i cili u mbajt në Toulouse.

Nuk është koncept i ri, edhe pse shprehja është e re. CERN (Qendra Evropiane për Kërkime Bërthamore), në Zvicër, ishte një shembull i rëndësishëm se si shkenca e pasluftës arriti të ndërtojë ura ndërmjet fizicientëve bërthamorë nga mbarë bota për ndërtimin e akseleratorëve më të avancuar të grimcave. Vizitat e astronomëve, oqeanografëve, matematikanëve të SHBA-ve në Kinë pas vizitës historike të Richard Nixson homologut të tij kinez Mao Tsedong në 1972 i paraprinë rivendosjes së marredhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve në 1979. Një tjetër shembull është krijimi rishtazi i SESAME në Jordani, akseleratori i grimcave që dëshiron të sjell paqe në Lindjen e Mesme duke punuar krah për krah me shkencëtarë nga Izraeli, Palestina, Irani ose Pakistani, edhe ndërmjet vendeve që nuk e njohin njëra-tjetrën.

Pasioni i Gashit për matematikën filloi në moshën 12 vjeçare, me pjesëmarrjen e tij në një olimpiadë lokale të matematikës, të cilën do ta fitonte rresht nga 1996 deri në 1998. Në Kosovë, në atë kohë plasi lufta në 1998 dhe e cila mbaroi me bombardimet e NATO-s (për herë të parë pas autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së) në pranverën e 1999, që u kryen me rreth 500 viktima të vdekura. Numri total i viktimave gjatë luftës është mbi 13 000. Në ato vite, me mbylljen e shkollave shqiptare, shumë fëmijë u desh të shkolloheshin nëpër shtëpi private, siç kishte ndodhur me vëllezërit e Gashit, që në atë kohë jetonin në qytetin e vogël të Klinës.

“Matematika për mua gjithmonë ka përfaqësuar një sfidë dhe një kuriozitet”, shpjegon ambasadori. “Që kur isha i vogël më ka pëlqyer t’i di parimet prapa gjërave, sidomos nëse zgjidhja e një problemi është e komplikuar. Por, sigurisht, në atë kohë, për mua matematika ka qenë një strehë e rregullit, rigorozitetit dhe bukurisë përball kaosit që jetonte përreth meje”, shton ai.

Kur ishte 14 vjeçar, disa profesorë të këtij të riu brilant i rekomanduan që t’i fillonte direkt studimet në universitet. Pikërisht në 1998, qeveria serbe e Sllobodan Milloshevicit kishte lejuar ripërdorimin e një ndërtese të vetme të Universitetit të Prishtinës nga popullata shqiptare. Atë vit, i shoqëruar nga prindërit e tij, Qëndrimi shkoi për herë të parë në universitet, i rrethuar me njerëz shumë më të moshuar se ai. Ditën e parë ai e fitoi respektin e kolegëve dhe të profesorëve duke e zgjidhur një problem kompleks. Prej atëherë, dekani i fakultetit i dha të riut një vit akademik për ta demonstruar kapacitetin e tij.

“Nëse kjo ndodh, atëherë do ta gjejmë formën ligjore për të lejuar vazhdimin e studimeve tuaja,” i tha ai.

Por, ai vit akademik ishte ndaluar nga bombardimet e NATO-s. Shpejt një milion personë ishin detyruar nga ushtria serbe të largoheshin nga shtëpitë e tyre. “Na vendosën në një tren deri tek kufiri me Maqedoni”, rikujton Gashi.

“Në një moment, na nxorën nga treni dhe na thanë të ecim pa u larguar nga shinat që të mos shkelnim në mina.” Kështu ata hynë në zonën neutrale ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. I kaluan tri netë  duke fjetur nën qiellin e hapur.  “Një katastrofë humanitare po fillonte; një milion refugjatë, gati 50% e popullatës,” rikujton.

Për këtë arsye i dërguan në Stankovec, 5km brenda kufirit. Falë asaj që Qëndrimi i vogël fliste anglisht sepse “çdo dit i shikonte lajmet e BBC”, siç e mban mend ai, jeta e tij do të ndryshonte.

“Ditën e parë e takova një kolonel francez emri i të cilit ishte de Laporte”, thotë Gashi. “Gjëja e parë që e pyeta ishte se a kishte mundësi të më ndihmonte t’i vazhdoja studimet. Ai ma zbuloi shumë kohë më vonë, por ajo që ai e mendonte ishte se ky është një fëmijë shumë i çuditshëm që nuk paska prioritete të tjera.” Koloneli i propozon që të bëhet përkthyes i tij. Shumë shpejtë pas kësaj, disa vende evropiane filluan të pranojnë refugjatë. Gashi dhe familja e tyre përfunduan në Norvegji, ku qëndruan 4 muaj, deri sa prindërit vendosën të rikthehen në vendin e tyre për ta filluar rindërtimin. “Nuk do ta harroj asnjëherë bujarinë e norvegjezve në atë kohë aq të vështirë,” thekson Gashi. Kur u kthye, i vazhdoi studimet e tij (duke i marrë notat më të larta në të gjitha lëndët, siç kishte kërkuar dekani). De Laporte, ndërkohë, nuk e kishte harruar atë fëmijë aq të interesuar në matematikë. I ndihmoi për ta gjetur një bursë për të studiuar në Paris në 2001. Që atëherë, edhe pse ka studiuar në Cambridge, Mbretëri e Bashkuar (kur e mbaroi masterin si 18 vjeçar) dhe Chicago, ShBA (ku e filloi doktoraturën 5 vjeçare me 19 vjetë), ai asnjëherë nuk e ka humbur kontaktin me matematikanët francezë.

“E kam mbrojtur tezën e doktoratës dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila u proklamua më 17 shkurt 2008,” mban mend ai. “Në atë kohë e kisha një pasaportë të autoritetit të OKB-së që e qeveriste Kosovën nga 1999”. Gjatë post-doktoraturës (në Francë, Mbretëri të Bashkuar dhe Gjermani), Gashi e themeloi Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës. “Gjëja e parë që e bëmë ishte organizimi i olimpiadave të matematikës të cilat ishin aq të rëndësishme për ta zgjuar pasionin tek unë. Tash janë anëtarë të olimpiadës ndërkombëtare, ashtu që matematikanët e rinj nga Kosova mund t’i mbajnë kontaktet me shkencëtarë nga e tërë bota”.

Pas dështimit për t’u zgjedhur deputet me partinë e qendrës të themeluar bashkë me shokë të quajtur Fryma e Re, Gashi e filloi bashkëpunimin me botën politike kosovare. Presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga e ftoi si këshilltar në kabinetin e saj, dhe në fund e emëroi ambasador në Paris në 2016.

“Ishte puna me të që më bëri ta zbuloja politikën e jashtme. Emërimi im ishte befasi sepse unë kisha kërkuar të jem jashtë politikës dhe rikthehem studimeve të mija. Sidoqoftë, oferta e saj më nderoi dhe nuk e refuzoja dot. Ishte një mirënjohje se reputacioni im si matematikan mund të luante një pjesë në lehtësimin e relacioneve me shtetet e tjera. Ishte mundësia ime për ta projektuar një imazh pozitiv të Kosovës nëpërmjet matematikës. Nuk e kemi traditën e njëjtë të gjatë në matematikë silurse vendet e tjera, por kemi shumë talentë. Është një formë e promovimit të vendit përtej sportit ose maleve tona të bukura”.

Si “shkencëtar diplomat”, Gashi ka bashkorganizuar një konferencë të matematikës në Kosovë vitin e kaluar, kushtuar “formave automorfe” duke ftuar matematikanë të nivelit më të lartë. “Fakti që përveç matematikan jam edhe ambasador i jepte më shumë prestigj konferencës. Është normale për diplomatët të organizojnë koncerte dhe ekspozita arti. Do të duhej po ashtu që të organizojmë konferenca shkencore. Dialogu ndërmjet shkencëtarëve i ndihmon bashkëpunimit ndërmjet kombeve dhe dialogu ndërmjet diplomatëve e ndihmon promovimin e bashkëpunimit shkencor”.

Por në konferencë nuk kishte shkencëtarë serbë, as nuk u organizua një konferencë e përbashkët ndërmjet matematikëve serbë e kosovarë të cilën Gashi e kishte propozuar me hyrjen në Shoqatën Evropiane të Matematikës.

“Nuk janë të gatshëm ende, disa gjëra marrin kohë. Por, që pajtimi në Ballkan të jetë i vërtetë, është esenciale që bota akademike të përfshihet, dhe që një student kosovar të mund të shkojë lirshëm në Beograd për të studiuar, dhe një serb në Prishtinë, gjë që nuk ndodh tash”.

Dhe problemet nuk mbesin në Ballkan: Spanja është njëri nga 5 vendet evropiane (i vetmi në perëndim) që nuk e ka njohur Kosovën. Ngjashëm nuk e njohin 81 nga 193 vendet e OKB-së. As Gashi e as ndonjë shkencëtar kosovar nuk mund të marrin pjesë në ndonjë konferencë ose studiojnë në Spanjë, sepse për dallim nga shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën sikurse Greqia, ajo nuk e pranon asnjë dokument udhëtimi kosovar.

“Është fatkeqësi”, konkludon matematikani, “sepse kosovarët e rinj nuk mund të mësojnë më shumë për shkencën dhe kulturën spanjolle”.

Ai kishte mundur ta kalonte kufirin një herë: ishte në mision diplomatik për t’i paraqitur letrat kredenciale tek arqipeshkvi i Urgell, koprinci i Andorrës, ku Gashi është po ashtu ambasador.

“Shpresoj të mund të rikthehem”,  thotë ai.

*Përkthyer nga KosovaPress