Homazh për bacë Sylejman Lokaj

Nga Namik Selmani – Boston, SHBA

Me baca Sylën ndodhi ajo që kurrë s’e beson se do të ndodhë një ditë kur është fjala për njerëzit e tu të dashur që i sheh se si të flasin të përqafin, të lumturojnë me atë që ka më të bukur shpirti i tyre.
Unë do të thoja “shkolla Lokaj” Ishte profesori që ma bëri më të bukur Gjakovën. Lëbishën. Edhe tani përlotem kur e përfytëroj në Lëbushë ku kishte ëndërr të ngrinte një muze për fisin Lokaj. Të sillte pikturat, librat, skenografitë, fotografitë e fisit, veglat muzikore , të gjithë ato që e bëjnë Kosovën krenare për bijtë dhe brezat e saj. Sytë I hihte nga maja e Stëlscit. E cka ishte ajo majë para Sylejman Lokajt.
Pemët fëshfërinin. Si një këngë nderimi për këtë burrë të mirë që e donte tokën më shumë se veten. Perimet që kishte toka gëzonin.
“Po duhet punuar toka e Kosovës, vëlla!-më thoshte,- Duket punuar që të ketë kah mot bukuri e begati. Boll më me gjak.”
Fliste e shkokoliste dheun si një bujk 200-vjecar.
Ishte sfidanti i viteve, i ëndrrave. Ishte punëpalodhuri, zemërbujari deri në pabesueshmëri.
Ishte leximtari më i pasionuar që lexonte dhe rilexonte
Ishte më modesti se modestët e kësaj botë
Ishte njeriu që buzëqeshte kaq ngrohtë
Ishte ai që dha shumë më tepër se i dhanë. Kujtesa e njerëzve të thjeshtë në Kosovë në Gjakovë, në Shqipëri, në Shkup, në Prizren , në Tiranë është monumenti më i bukur i kujesës për të.
Ishte një njeri që sakrifikonte kaq shumë për të tjerët dhe ti nuk e besoje se si mund të kishte kjo jetë njerëz të tillë.
Gëzohej edhe për një sukses të nipërve të mbesave të saj që jetonin në Kosovë në botë.
Ishte patrioti i madh i tokës që e kishte lindur. Të gjithë poezitë e shpirtit, këngët do i takonin atij. Gjithë pikturat e skulpturat do i takonin që në gjallje.
E sot ah, më duhet me e thënë dhe unë atë që nuk doja ta thoja kurrë
Të qoftë i lehtë dheu Gjakovës, Kosovës dhe mbarë Shqiptarisë!
Të faleminderit për atë shkollë që na dhe!
Ngushëllime Burimit, Flamurit vajzave nipërve, mbesave, miqve të tij në Botë. .
Jam krenar që të njoha . Të gjithë do jemi borxhlinj para teje.
Me dhimbje Namik Selmani Boston, 4 gusht 2018

Shtizimi i dhimbjes

Baca Sylë Lokës në ditën e ndarjes nga jeta

Hej, bacë
Na e lësho prapë shtizimin e syrit që dridhet nga malli
Më jep një shikim burri
Që ëndrrën tënde gjakovare ta rrok e ta puth.
Në lisat e Çabratit
E në qiejt e Evropës të shoh sytë ëndërrimtarë në kulla luftëtari
E
të bëhemi vëllamër i një dite që e pritëm gur më gur.

A po më dëgjoon, Bacë?
Lulet e gurët në Çarshi për dhimbjen tonë s’do të mjaftojnë
Gjithë Urat e Shpirtit
do t’i ngrejmë si Ereniku si Plaku i Vjetër i Përrallës mitike
Shqiptarinë e gazmojmë
E vargjet në lëbushë po thurim bash si tespihet, si ari diellor
E rrëfimin tënd
Po e zgjojmë mes malesh ku këndohen këngët antike.

E besojmë bacë
Kur ti betoheshe për mëngjeset gjakovare me harqe ylberi
Enë një zambak
Po marrim pikëlotin e trishtimit për fjalët mentare
Skena
Na u bëftë Krua për të prekur prushin e zjarrtë
Në breza
mbete princ i mendjes engjëll flatrahapur në qiell parajse.

E do ta mbajmë
kujtimin tënd baca Sylë si flakë e ndezur lirie
Me ty
fjala dhe loti do të na dridhen kur do ngrejmë kalanë e kujtesës.
Do të zgjojmë
në kafshatën e ëmbël të bukës mbi tavolinë me dallgë krenarie
Skërkalat e nderimit
Do i dërgojmë në shtatë qiejt e Gjakovës dritëndezur.

Ca pikëla yjesh dritë hëne
do të derdhim mbi varrin tënd, bacë gojëëmbël.
E klithmën
e Kosovës e të Gjakovës do e vëmë në arkivë zemre
me ty
edhe në pragje do ta mbjellim farën e plisit të ëndrrës.
Me ty
Prapë kapedanë të mencurisë do mbetemi në jetë të jetëve.
Atë buzëqeshje
që kurrë s’u vyshk dhe kur sëmundja të erdhi
Të përcjellim në nipat si gurin më të bukur e më të rëndë.
Si amanet që vitet kurrë s’do t tresin.

Boston, 4 gusht 2018