HARTA ARKEOLOGJIKE E RRETHIT TË TROPOJËS

Nga Dodë Progni – historian & Dr. Bep Jubani – arkeolog*

Është një traditë e bukur e popullit shqiptar të mësojë sa të jetë e mundur më shumë për të kaluarën e vendit dhe paraardhësve të vet. Midis tyre dhe tropojanët jo rradhë shtrojnë pyetjet:
1.- Qysh kur është banuar treva ku ata jetojnë?
2.- Cilët kan qenë banorët më të hershëm të saj?
3.- A kemi gjurëmë të historisë së tyre këtu?
4.- Ku gjenden ato dhe ç’periudhe kohore i përkasin?
Përgjigjen më të saktë këtyre pyetjeve mundë ta japin studimet arkeologjike. Në bazë të tyre po paraqesim një hartë arkëologjike të trevës së Tropojës:

ROSUJA

Qytezë e fortifikuar ilire që ndodhet në prendim të lagjes Rosujë të fshatit Bujan, rreth 6 km në jugperëndim të qytetit Bajram Curri. Ajo ngihet mbi kurrizin e dy valëzimëve shkëmbore në mes të përroit të të Grazhdanit në lindje dhe atij të Gashit në perëndim.
Gërmimet arkeologjike të bëra në Rosujë gjatë viteve 1964-1965 kanë dhënë mjaft dëshmi mbi historinë e lindjes dhe zhvillimit të kësaj qyteze. Materiali i pasur arkeologjik i zbuluar këtu si: vegla pune prej stralli, enë e objekte të tjera balte, vegla pune e armë hekuri, zbukurimore dhe monedha ari dhe argjendi, etj. treguan se kjo qendër ish banuar që në fundin e mijëvjeçarit të dytë para erës sonë, dhe vazhdoi të banohet deri në shek. e V të erës sonë.
Kultura e vendbanimit paraqet ngjajshmëri të mëdha me materialet e zbuluara në qytezën e Gajtanit (rrethi i Shkodrës) e qendra të tjera jugore të vendit tonë. Këtej del edhe karakteri etnik ilir i banorve të qytezës dhe tërë krahinës së Tropojës.
Që nga shek. IV p.e.s. Rosuja u bë qëndra më e rëndësishme zejtaro-tregëtare dhe administrative e krahinës. Monedhat e Shkodrës, Durrësit dhe Apolonisë të gjetura në Rosujë, tregojnë për lidhjet tregëtarë të kësaj krahine me qytetet tjera ilire. Ndërsa hambari me pitosa (enë të mëdha balte për mbajtjen e grurit) dhe gruri i zbuluar këtu tregojnë se qysh në shek. e IV – III p.e.s. krahina kish arritur nivel të lartë zhvillimi edhe në prodhimet bujqësore. Përkrah materialit të importuar, një vend të rëndësishëm për historinë kulturore të krahinës zënë prodhimet lokale. Edhe këtu, si në shumë qendra tjera ilire, ndeshet në masë qeramika me ngjyrë gri në të kaltër që i përkët shek III – II p.e.s. Për t’u vënë në dukje është se enët e punuara me këtë baltë kanë forma ilire, të lyera ndonjë herë me vernik të zi, dhe në to gjejmë zbukurime tipike ilire vijash zikzake. Muret fortifikuese, të ngritura herë pas here, dhe shtresa masive e djegjes në shek. e II p.e.s. janë deshmi e qëndresës të paraardhësve tanë ilirë kundër sulmeve grabitçare të pushtuesëve të huaj. Në pjesën më të madhe të kësaj qyteze ruhet edhe sot fragmenti i një kulle të vendosur mbi murin rrëthuës të kohës romake.
Për vlerat e rëndësishme të kulturës materiale që ka patur dhe ruan akoma kjo pikë arkeologjikë është shpallur Monument Kulture.

TUMAT E BUJANIT

Në krahun e majtë të lumit Valbona, në një taracë të lagjes Mollë e Kuqe të fshatit Bujan, në vitin 1982 u zbuluan disa tuma (kodra të vogla ku janë kryer varrime).
Nga gërmimet arkeologjike të kryera në vitin 1984 doli se këto tuma i përkasin periudhës së hekurit të hershëm, rreth 3 mijë vjet më parë.
Mënyra e ndërtimit dhe riti i varrimit në to ishte i njejtë me tumat ilire të Fushë Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit. Të njejtës kulturë i përkasin dhe objektet arkeologjike të zbuluara këtu si, enë balte, stoli prej bakri e bronzi e qelqi etje. Ato kanë ngjajshmëri të dukshme edhe me tumat e Kukësit, Matit e krahinave tjera të vendit tonë, gjë që dëshmon për lidhjet e përkatësinë etnike të njejtë të këtyre krahinave, për unitetin e gjërë të kulturës ilire në epokën e hekurit të hershëm.
Tumat e Bujanit dhe objektet e zbuluara në to, disa prej të cilave ruhen në muzeun historik të rrethit të Tropojës, na njohin me tiparet e kulturës ilire të trevës së Tropojës, me aspekte të veçnata të zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe botës shpirtërore të banorëve ilirë të kësaj krahine.

KALAJA E SHOSHANIT

Aty ku fillon gryka e Dragobisë, në të majtë të lumit Valbona, mbi një shkëmb të fuqishëm që bie thikë rreth 60 m. mbi lumë, gjenden rrënojat e
një vendbanimi të fortifikuar të periudhës romake, shek. I – V të erës sonë, e njohur me emrin Kalaja e Shoshanit.
Kjo ka një sipërfaqe rreth 0.4 hektarësh, rrethuar nga tre anët me mure që kapin gjatësinë rreth 150 m. dhe gjërësi 1-1.70 m. mbi të cilat ishin vendosur tre kulla. Në anën e lumit nuk ka patur mure pasi mbrojtja i është besuar shkëmbit të thiktë.
Pranë kalasë, në shpellat buzë lumit, banorët kanë gjetur një shat dhe një shpatë antike, ndërsa në sipërfaqen e sheshtë në lindje ka fragmente qeramike të periudhës romake.
Kalaja e Shoshanit dallon nga fortifikimet e kësaj zone për nga përmasat më të mëdha, dhe shtrirja buzë rrugës në një teren të sheshët. Rrafshi në lindje i pasur me qeramikë tregon edhe për praninë e një vendbanimi të hapur.
Kjo kala ka shërbyar si pikë strategjike mbrojtëse e Luginës së Malësisë nga ana e Grykës së Dragobisë dhe është e njëkohëshme me fortifikimet që ju bënë qytezës së Rosujës gjatë përiudhës romake. Si vendbanim ajo ao duhet të kishte dhe funksionet e qendrës administrativo-ekonomike të zonës.

KOMI

Në të djathtë të lumit të Tropojës, aty ku fillon Gryka e Sylbicës, ngrihet një masiv malor rreth 1700 m. i lartë i quajtur mali i Komit. Në një rrafsh të vogël rrëzë tij janë zbuluar fragmente muresh dhe gjurmët e një rruge rreth 2 m. e gjërë që lidhte Luginën e Tropojës me bjeshkën e Sylbicës, Dobërdolit, Koshuticës, për të vazhduar më tej në Theth e Kosovë.
Fragmenti i murit, që ruhet edhe sot pranë rrugës është 1.20–1.40 m. i lartë, i punuar me gurë të thyer e llaç gëlqereje. Ai ka sherbyer si mur fortifikues i rrugës dhe i vendbanimit të Komit, që shtrihej pranë saj.
Rreth 1.5 km. në juglindje të këtij vendbanimi gjendet Mulliri i Gradit (mulliri i qytetit). Qeramika dhe fragmentet e enëve prej balte të gjetura pran këtij mulliri dhe në rrënojat e banesave të Komit, i përkasin shek. III-IV të erës sonë. Ndërsa dy vorba të zbuluara rastësisht pranë mullirit i përkasin mesjetës së mesme, gjë që tregon se në këtë vendbanim të fortifikuar në kohën romake, ka vazhduar jeta edhe gjatë përiudhës së mesjetës. Ashtu si vendbanimi i fortifikuar i Shoshanit edhe Komi ka sherbyer si pikë strategjike për mbrojtjen e Luginës së Tropojës nga sulmet që vinin nëpërmjet grykës së lumit.

CERRNICA

Për Cerrnicën prej kohësh ka qarkulluar gojëdhëna se “aty dikur paska ekzistuar një qytet me aq shumë banesa saqë macja mund të kalonte çati mbi çati nga Dizdari në Begaj” Po ç’thonë burimet e shkruara dhe ato arkeologjike për këtë?
Në shek. e XVII, Frang Bardhi dhe autorë të tjerë e përmendin Cerrnicën me emrin Zomaj dhe Cerrnicë. Ndërsa studiuesi i njohur Milan Shuflaj, rrënojat e Kalasë së Dizdarit (Cerrnicë) i lidh me periudhën romake duke kërkuar në to qytetin mesjetar të Sapës.
Edhe materiali arkeologjik i zbuluar këtu flet për një vendbanim mjaft të hershëm, në të cilin ka vazhduar jeta deri në Mesjetën e Vonë.
Ndër gjetjet më të rëndësishme të Cerrnicës janë: një çekiç guri i ngjajshëm me një tjetër të zbuluar në Dushaj që i përkiste periudhës së bronxit. Një heshtë ilire e periudhës paraqytetare. Një shat hekuri me qafë të gjatë i periudhës romake shek.I-V e. sonë, një enë e vogël balte e lyer me glazurë bardhezi, e zbukuruar me vija zikzake të zeza që i përket shek. të XIV etj. Këto objekte të zbuluara në Cerrnicë që ruhen në muzeun historik të Tropojës, së bashku me rrenojat e kalasë mesjetare të Dizdarit, në fund të Cerrnicës, e shënojnë atë si pikë të rendësishme në hartën arkeologjike të rrethit Tropojë.

MARGEGAJ

Në lagjen Murataj të këtij fshati kanë dalë në dritë disa blloqe gurësh të latuar dhe pjesë arkitekturore të ndryshme me mbishkrime romake ose të zbukuruara me gdhendje ku bien në sy më tepër motivet florale.
Disa nga këto blloqe gurësh janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe në muzeun historik të Tropojës.
Nga këta, interes të veçantë paraqet një stelë varri e tipit dardan në formë paralelpipedi me përmasa 1.9 x 0.6 x 0.2 m. me mbishkrim romak që ka të gdhendur në pjesën e sipërme figurën e një kalorsi të ri.
Këto gjetje tregojnë se në teritorin i ketij fshati në shek e parë të erës sonë ka patur një varrezë të gjërë që lidhej me vendbanimin e hapur të qytetit B.Curri dhe me atë të Koçanajt.

KOÇANAJ

Në anën vëriprendimore të këtij fshati, përballë Qytezës së Shoshanit, në të djathtë të lumit Valbona, në vendin e quajtur kodra e Vuthajt, gjëndet një vendbanim i hapur i shek. të parë të erës sonë.
Materiali Arkeologjik i zbuluar këtu si, fargmente enësh balte, profile tjegullash e tulla, i
përkasin shek. II – IV të erës sonë. Qeramika e këtij vendbanimi është e punimit vendas, Nga teknika e punimit dhe nga format e motivet zbukuruese të saj ngjason me qeramikën ilire të hekurit të hershëm (shek. XII–X p.e.sonë), gjë që tregon për ruajtjen dhe ringjalljen e traditave të hershme ilire tek banorët e kësaj treve në shek. e III–IV të e.sonë.

ISH FSHATI KOLGECAJ (SOT, QYTETI B.CURRI)

Gjatë gërmimeve për hapjen e themeleve të disa ndërtesave, kanalizimeve e punime tjera në qytetin B.Curri, ka dalë në dritë një material i pasur arkeologjik që i përket shekujve të parë të erës sonë. Ai përbëhet nga fragmente enësh balte dhe qeramikë ndërtimi (tulla, tjegulla) tipike për vendbanimet e kësaj kohë në Shqipërinë Verilindore.
Gjatë punimeve për hapjen e themeleve të shkollës së mesme të qytetit u gjetën fragmentet e një ene balte mjaft të bukur, e cila u restaurue dhe ruhet në muzeun historik te rrethit.
Në veriprendim të qytetit, në vendin e quajtur Nimjan, janë zbuluar disa objekte arkeologjike, në mesin e te cilave krahu i një skulpture të vogël prej bronzi që i përket shek. III–IV të erës sonë dhe që ruhen në muzeun historik te rrethit.
Këto zbulime tregojnë se, pothuaj në tërë territorin ku shtrihet sot qyteti B.Curri, në shek. e parë të erës sonë, ka patur një vendbanim të hapur ilir.

DUSHAJ

Në një taracë të lumit Valbona, ku ishte fshati Dushaj (më pas lagje qytetit tëe Fierzës) është gjetur rastësisht një çekiç guri i përiudhës së bronzit të hershëm (1900-1700 vjet p.e.sonë), i cili ruhet në fondet e muzeut të Tropojës.
Ky është i punuar më gurë lumi ngjyrë hiri me nuanca jeshile, me gjatësi 8 cm.e gjerësi 4 cm, me vrimë për vendosjen e bishtit. Në njërën anë është i holluar për prerje dhe anën tjetër e ka pothuaj të rrafshët.
Ky çekiç, si dhe veglat e punës prej stralli të zbuluar në Rosujë, tregojnë se Lugina e Valbonës është banuar qysh në periudhën e bronzit të të hërshëm rreth 3.900 vjet më parë.
Në Dushaj janë gjetur dhe disa enë balte dhe një shat hekuri që i përkasin periudhes mesjetare.
Ndërsa në Dushaj të Epërm, lagje e fshatit Tpla, ruhen edhe sot rrënojat e një kishe të shek të XVII me një numër të madhe varrezash rreth saj, për të cilen Frang Bardhi në vitin 1638 thotë se ishte kisha e Shëngjergjit e fshatit Krasniqe.

SELIMAJ

Në fund të fshatit Selimaj, buzë një shkembi të thiktë që zbret në përroin e Gabrajt, gjënden rrënojat e një kalaje të njohur me emrin Kalaja e Lekës.
Ajo, siç tregojnë burimet e shkruara mesjetare, ishte selia e Lekë Spanit, të birit të Pjetër Spanit, sundimtar i krahinës së Pultit gjatë gjysmës së parë të shek të XV.
Muret e saj punuar me gurë të thyer e llaç gëlqerje afro 1.70 m. të gjera qarkojnë një sipërfaqe prej 0.1 ha. Brenda tyre vihen re themelet e dy ndërtesave me përmasa 11×8 m. dhe 8.6 x 6.4 m. në njërën prej tyre mund të kërkohen themelet e asaj “kishëze të bukur dhe të stolisur me kuadro e figura të ndryshme” që e përmend Frang Bardhi në një relacion të vitit 1638.
Në lindje të kalasë, në një fushëz të vogël, janë gjetur fragmenet qeramike, amforash e vorbash të lyera më zmalt, të shek. të parë të erës sonë dhe mesjetare.
Këtu është gjetur edhe një heshtë ilire e ngjajshme me atë të Cernicës, e cila ruhet ne muzeuun e Tropojës.
Materiali arkeologjik dhe burimet e shkruara për Selimajt tregojnë se ajo zonë është banuar që në kohën antike. Ndërsa në kohën e principatave arbëreshe, si qendër e rëndësishme e Principatës së Pjetërspanëve, kish patur një përqëndrim të dendur popullsie.

BERISHA

Një pikë tjetër arkeologjikë e rrethit të Tropojës është fshati Berishë në krahinën e Bytyçit.
Aty, mbi një kodër të vogël në rrjedhen e përroit të Çunit, mes lagjeve Rodogosht e Rushtë-Shëngjergj, 3-4 km. në të djathtë të lumit Drin, ruhen rrënojat e një kalaje mesjetare.
Fragmentet e mureve rrethuese, që duken sidomos në anën jugore, janë punuar me gurë të thyer e llaç gelqerje. Pranë tyre janë gjetur copa enësh dhe qeramikë mesjetare.
Ashtu si kalatë e tjera mesjetare të këtyre trevave (Dizdar, etj.) edhe kjo është tip kullë me përmasa të vogla. Sipërfaqja e qarkut nga muret nuk i kalon 0.1 ha.
Kalaja e Berishës ka sherbyer si pikë startegjike mbi Luginën e Drinit, Vaun e Dardhës, ku kalonte rruga Shkodër-Gjakovë.

CURRAJ

Në pjesën lindore të malit të Rrukut, rreth 10 m. mbi nivelin e detit, është një shteg i ngushtë që lidh fshatin Curraj me bjeshkën e tij. Për masivin e vogel malor në lindje të këtij shtegu vendasit përdorin toponimet: Gjyteti i Madh dhe Gjyteti i Vogël, të cilat lidhen me muret e taracimit të banesave të një vendbanimi të shek. III–IV të erës sonë.
Në taracat e këtyre banesave, gjurmët e të cilave ruhen edhe sot, janë gjetur copa tullash, barqe enësh me zmalt jeshil të mbyllur, copa enësh balte të zbukuruara me motivet e fshesës dhe copa enësh qelqi me zbukurim pullash ovale në reliev të shek. III–IV të e. sonë. Në trojet e këtij vendbanimi janë zbuluar dhe dy gurë të mëdhenj mokre (me diametër rreth 50 cm. që ruhen në muzeun historik të Tropojës.
Në lagjen Zhivanaj të po këtij fshati, ruhen rrënojat e një kishe të njohur me emrin: kisha e Luzajës. Burimet e shkruar të shek. të XVII, tregojnë se, kjo ishte Seli Ipeshkvnore, por u rrënua në kohën e hershme të pushtimit osman.
Për t’u përmendur është fakti se, në dy varre të shek. XVII të gërmuara këtu, si në varreëzat e kësaj përiudhe tek Kisha e Krasniqes në Dushaj të Epërm, u gjetën fragmente enësh të punuara me qark këmbe. Kjo tregon se, riti ilir i thyerjes dhe i hedhjes së copave të enëve në varreza është ruajtur tek banorët mesjetar të kësaj treve.

MULAJ

Në veri të vendbanimit të Currajt, akoma më në thellësi të Alpeve, në fshatin Mulaj, pranë rrugës që të çon në Qafë të Kolçit, është një brezare e bukur alpine që vendasit e njohin me me emrat “Rrahi i Shehrit” dhe “Qytetëzat”.
Rreth saj ruhen fragmente muresh të gjëra 0.80 m.–1.10 m, punuar me gurë të thyer, të pa latuar dhe të pa lidhur me llaç.
Veglat e punës prej hekuri, ndër të cilat një sqepar dhe fragmentet e enëve prej balte të pjekur, zbuluar këtu, janë mjaft të ngjajshme me ato të vendbanimit të Kodrës së Vuthajt (Koçanaj) që i përkasin shek. III – IV të erës sonë.
Vendbanimi i Mulajt, Currajt dhe Komit, ngritur në thellësi të Alpeve, në gryka lumenjsh e lartësi të konsiderueshme, flasin jo vetëm për një popullsi të dendur të Malësisë së Tropojës gjatë periudhës së vonë antike (shekujt e parë të erës sonë), po dhe për pozitat mbrojtëse qe kishte zënë kjo popullsi përballë sulmeve të pushtuesve të huaj gjatë kësaj përiudhe,

VARGU

Shtrihet në anën jugore të Nikaj-Mërturit, 300 m. larg vendtakimit të lumit të Mërturit me Drinin, në krahun e djathtë të tyre.
Këtu, mbi një kodër që ngrihet rreth 200-300 m. nga bregu i Drinit deri në fundin e viteve shatatëdhjetë të shek. të kaluar ishin ruajtur rrenoja ndërtimesh të lashta dhe shumë varreza pranë tyre. Këto rrënoja të mbuluara nga pyje lisi e gështenje 200-300 vjeçare, vendasit i kan njohur me emrin “Kisha e Vargut” dhe prej qindra vitesh e adhuruan si vend të shenjtë.
Mbi të vërtetën e këtyre rënojave u hodh pak dritë në shek. e XVII nga Don Vincenti në një relacion dërguar Vatikanit me 31 gusht 1628. Ai tregon se Vargu, i shtrirë midis Palçit dhe Nikajt “kishte qenë njëri nga dy qytetet më të rëndësishme të Pultit dhe seli ipeshkvnore e tij”. Ai shprehte mendimin se qyteti i takonte periudhës bizantine kur thotë se”…besohet se kanë qenë (mungar) të Shën Bazilit.
Studiuesi i njohur Karl Steinmetz në vitet 1904-5, kur vizitoi Vargun tregoi se aty kishte një qytezë e vjetër, pasi gjatë gërmimeve gjeti një monedhëe të Mark Aurrelit. Steinmetz në përshkrimin e vendit thotë: “Suvaja dhe mbeturinat e murit që ndeshen dendur mbulojnë këtë truall me sipërfaqe prej afërsisht 70 -100 hapa. Shihet qartë vetëm baza e një ndërtese gjatësore. Erozioni i fortë i murit dhe korja e trashë ndërmjet zgjatimeve të murit flasin për një moshë të lashtë të vendbanimit. Steinmnez ishte i mendimit se vendbanimi i përkiste kohës romake,shek II-IV pas Krishtit, dhe këtë e mbështet tek bronzina e Mark Aurelit që gjeti aty. Ky është datimi më i pranueshëm për qytezën e Vargut, i cili vazhdoi të ekzistojë si vendbanim-qytezë për shumë shekuj të tjerë gjatë Mesjetës, duke u bërë dhe qendër ipeshkvnore për besimtarët kristianë të krahinës së Pultit.

BRISË

Në varrezën e këtij fshati ndodhet një kishë, për të cilën banoret e fshatit nuk ruajnë në kujtesë kohën e ndërtimit të saj. Tërheq vemendje kjo ndërtesë sepse ndërtime të tilla nuk janë karakteristike, jo vetëm për Shqipërinë Verilindore, por as edhe për krahinat tjera të Shqipërisë.
Kjo godinë ka të bëjë më ndërtime mesjetare.
Për nga mënyra e ndërtimit të çatisë së vet kisha e Brisës të kujton atë të Shënkollit në Toplanë, e cila padyshim që është një ndërtim paraturk.
Godina vjen në formë katërkëndëshe, pa apsidë. Është ndërtuar me gurë rrasorë; porta dhe qoshet e ndërtesës janë ngritur me gurë rrasor diçka më të punuar. Porta ka pasur qemerin e vet në trajtë të harkuar. Qemeri i portës apo kreku, siç e quajnë vendasit, ruan në faqen e jashtme vijëzime harkore dhe një kryq. Në ballin e ndërtesës, në të djathtë ka pasur të punuar një pjesë të thelluar në mur. Në anën e djathtë të ndërtesës muri ka pasur dy dritare. Në këtë vend, në faqen e brendshme, ka të punuar një pjesë të futur, por më të gjërë, ashtu si në krahun e majtë të hyrjes së ndërtesës.
Kjo kishë që shërbente në këtë fshat si kapelë varreze, ka një pamje arkitekturiale të veçantë, pa kurrfarë gjurmësh tjera nderimi apo gjetje arkeologjike. Malësorët e kujtojnë këtë vend si pikë ku mbrohej popullata e pa armatosur në rastet kur sulmohej nga ushtria e pushtuesve osmanë.

*Botuar në Gazeta “Shkelzeni”, Tropojë – 1988