Botapress, 3 Gusht – Pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, 15 vjet më parë, që t’i tërheqë nga Bosnjë e Hercegovina dhe nga Kosova ushtarët që kishin marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse, në Rusi po punohet në mënyrë aktive për ta glorifikuar praninë ushtarake ruse në Ballkan.
Kinematografia ruse po i xhiron dy filma të shtrenjtë me rastin e 20-vjetorit të operacionit “Marshi” të parashutistëve rusë nga Bosnja e Hercegovina në aeroportin e Prishtinës në Sllatinë, në qershor të vitit 1999. Punën në këta filma po e përcjell fushata kundër NATO-s dhe përfshirja e aktorëve serbë në legalizimin e aneksimit të Krimesë.
“Rrëfimi është bazuar në ngjarjen e vërtetë!”, thekson kompania ruse e filmit Upgrade Vision dhe në këtë mënyrë e paralajmëron “dramën heroike” Linja Ballkanike, e cila në fillim të vitit 2019 do të shfaqet para publikut në 20 shtete.
“Është viti 1999. NATO po e bombardon Serbinë dhe po Kosovën po ia lë plaçkitjes së banditëve shqiptarë. Rusisë i është ofruar rol i vogël dhe i turpshëm për zgjidhjen e konflikteve në Kosovë. Aeroporti në Sllatinë kalon nën kontrollin e komandantit shqiptar Smuk. Pjesëtarët e inteligjencës ruse, Andrej Shatalov dhe Bek Jethojev e marrin aeroportin. Nga Bosnja, në marshin prej 600 kilometrash për në Kosovë, niset batalioni rus. Detyra e tyre nuk është vetëm kontrolli mbi aeroportin, por edhe shkatërrimi i çerdhes së Smukut dhe çlirimi i vajzës Shatalova, të cilën banditët e kanë zënë rob për të bërë kontrabandë me organe. Rusia, pas euforisë me Perestrojkën, e kuptoi se ka interesat e saj, të cilat duhet t’i mbrojë. Filloi epoka e re”, sqaron përmbajtjen e filmit kompania Upgrade Vision.
“Historianët i konsiderojnë këto ngjarje si përkeqësimin më të rrezikshëm të marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit që nga koha e krizës së Karaibeve. Linja Ballkanike flet për operacionin fatal, detajet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë të mbyllura për opinionin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Kulturës së Rusisë.
Njëri prej autorëve të filmit, i cili kërkoi të mbetej anonim, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rrëfim “theksi vendoset në faktin që Serbia është pala shumë e goditur në konflikt”.
“Mjaft ngjarje në Kosovë janë trilluar në mënyrë që të nxitet bombardimi i NATO-s dhe kjo do të shfaqet në film”, ka thënë bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, autorët janë inspiruar me rrëfimet e disa rusëve që kanë qenë në Ballkan në luftërat e viteve 90. Në mesin e tyre është edhe majori i shërbimit të inteligjencës GRU (ai është tani kryetar i Ingushetisë) Junus -Bek Jevkurov, i cili nga komanda ruse, në fund të majit të vitit 1999, kishte marrë detyrë sekrete që ta marrë kontrollin mbi aeroportin në Sllatinë. Personi tjetër interesant është Anatolij Lebed, “legjendë” e forcave speciale, të cilin kolegët e tij e quanin “Rambo rus”.
Lebed, i cili është bartës i shpërblimeve më të mëdha ushtarake, në vitin 1994 është dashur ta braktisë ushtrinë dhe ka punuar si rojtar në treg, si dhe ka bërë kontrabandë me automjete nga Gjermania. Lufta në Ballkan ia ka mundësuar atij që të kthehet në radhët e ushtrisë: ka shkuar në Kosovë dhe ka luftuar në anën e serbëve.
Rolet kryesore në film do t’i luajnë aktorët: Gosha Kucenko, Ravshana Kurkova, Anton Pampushni, si dhe disa aktorë serbë.
Në mesin e tyre janë edhe idhulli i miliona djemve sovjetikë, “indiani” më i njohur, Gojko Mitiq dhe ylli i ri i kinematografisë ruse, Milosh Bikoviq, të cilin, para disa vitesh, e kishte njohur regjisori rus më me ndikim, Nikita Mihalkov.