Hetuesit e kundërzbulimit amerikan kanë zbuluar një spiune të dyshuar ruse, që të ketë punuar e padiktuar në Ambasadën amerikane në Moskë prej më shumë se një dekade. Lajmi bëhet i ditur ekskluzivisht nga “The Guardian”.
Punonjësja ruse është punësuar nga shërbimet sekrete amerikane dhe mësohet të ketë pasur qasje në rrjetin e brendshëm të internetit të agjencisë, sikurse edhe në sistemet e komunikimeve elektronike, gjë që i ka dhënë mundësinë e kontrollit të materialeve tejet sensitive, përfshi edhe itineraret e presidentit dhe të zv.presidentit.
Gruaja ka punuar për shërbimet sekrete prej vitesh, përpara se të dyshohej për herë të parë në vitin 2016, gjatë një kontrolli rutin sigurie të zhvilluar nga dy hetues nga Zyra e Sigurisë Rajonale (RSO) të Departamentit amerikan të Shtetit.
Ata kanë dalë në përfundimin se ajo ka pasur takime të rregullta dhe të paautorizuara me pjesëtarë të FSB-së, agjencisë kryesore të sigurisë ruse.
“The Guardian” ka mësuar se “RSO”-ja kishte lëshuar alarmin që prej janarit të vitit 2017, por shërbimi sekret nuk kishte nisur një hetim të gjerë dhe të plotë prej vet atyre. Përkundrazi, ai e la atë të largohej disa muaj më vonë, me shumë mundësi për të fshehur ndonjë siklet të mundshëm.
Një burim i inteligjencës i tha “The Guardian”-it se gruaja është shkarkuar verën e kaluar, pasi Departamenti i Shtetit i revokoi asaj certifikatën e sigurisë. Shkarkimi erdhi vetëm pak pas një raundi kërkesash bga Kremlini, për shkak se Uashingtoni kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë.
I pyetur me pyetje të detajuara mbi hetimin ndaj kësaj gruaje dhe shkarkimin e saj, shërbimi sekret u përpoq të minimizonte rëndësinë e rolit të saj, megjithatë nuk mohoi se ajo ishte identifikuar si një problem i mundshëm.
Departamenti i Shtetit, ndërkohë, bëri të ditur se nuk mund të komentojë mbi “pretendime lidhur me shërbimet sekrete apo probleme të personelit, ndaj nuk kemi informacione për ju mbi këtë incident të supozuar”.
Shërbimi sekret është një agjenci federale ligjzbatuese amerikane, që ndodhet brenda Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe ka më shumë se 150 zyra në mbarë botën. Misioni i tij është “mbrojtja e udhëheqësve të kombit dhe infrastrukturës financiare apo asaj kritike të Shteteve të Bashkuara”.