Ministri i Jashtëm Pacolli udhëzon MPB-në si të ketë siguri në trafik në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar sot një takim të jashtëzakonshëm me delegacionin e MPB-së në përbërje të ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, drejtorit e Trafikut në Policinë e Republikës së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe Drita Perezic, këshilltare e Lartë në ICITAP në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Qëllim të adresimit të gjendjes alarmante në sigurinë e trafikut rrugor, e cila po rezulton me humbjen e jetërave të qytetarëve të Republikë së Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Pacolli kërkoi nga institucionet përgjegjëse, si nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Republikës së Kosovës, identifikimin, ndërmarrjen dhe fuqizimin e masave emergjente, për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e fataliteteve.

Ai kërkoi specifikisht nxjerrjen e një vendimi nga Ministria e Punëve të Brendshme për ndërmarrjen e masave emergjente si në vijim:

Sigurimin nga policia dhe institucionet tjera kompetente të vendpunishteve, të cilat nuk kanë të vendosura shenjëzimin adekuat dhe që rrezikojnë trafikun publik;

Identifikimin e masave administrative nga Ministria e Punëve të Brendshme, në funksion të konfiskimit të dokumenteve të udhëtimit sikurse letërnjoftimi, patentë shoferi dhe pasaporta, për të gjithë ata të cilët rrezikojnë trafikun publik;

Informimi përmes rrugëve diplomatike i shteteve përkatëse për shtetasit e Republikës së Kosovës që jetojnë në diasporë, për shkeljet e rregullave të komunikacionit, dhe në këtë kontekst, zbatimin efikas të marrëveshjeve bilaterale me këto vende;

Bashkëpunimin me media dhe komunitet në funksion të ngritjes së vetëdijes publike;

Varësisht nga niveli në shkelësit e ligjit në trafik, edhe mbështetjen në normat penale, përfshirë edhe arrestimin e shkelësve flagrant.

Në lidhje me masat e lartcekura, Pacolli kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, që ta mbajnë të informuar në vazhdimësi përkitazi me aplikimin e masave të kërkuara.

Lidhur me përgatitjen e vendimit dhe masave specifike do të informoheni gjatë ditës edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.​/BP/