Në pritje të raportit për krijimin e Forcës Hapësinore

Raporti i Pentagonit mbi strukturimin e komponentëve të tij hapësinorë, përfshirë krijimin potencialisht të një Force Hapësinore ose një Korpusi Hapësinor, nuk do t’i dorëzohet Kongresit në kohë, në afatin e parashikuar që është dita e mërkurë.

“Jemi në fazat përfundimtare të koordinimit të raportit për Kongresin” tha dje zëdhënësi i Pentagonit Jamie Davis. “Do ta publikojmë raportin kur ai të jetë i plotë, që sipas parashikimeve tona do të jetë së shpejti”.

Presidenti Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht krijimin e një Forcë Hapësinore si një degë e re e ushtrisë që do të ishte “e ndarë, por e barabartë” me ushtrinë, marinën, Forcën Ajrore, Trupat Detare dhe Rojën Bregdetare.

Ligjvënësit në Nënkomisionin e Forcave Strategjike të Dhomës së Përfaqësuesve kanë shprehur interes jo në krijimin e një dege të re, por në krijimin e një Korpusi Hapësinor të ri, brenda Forcës Ajrore.

Raporti u urdhërua nga Kongresi pasi Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis i dërgoi një letër udhëheqësve të Kongresit ku kundërshtonte krijimin e një dege të re ushtarake. Afati i fundit për rishikimin e komponentit hapësinor nga Pentagoni ishte e mërkura, por një zyrtar i tha Zërit të Amerikës se raporti pritet të jetë gati për “disa ditë”.

Presidenti Trump nuk iu përgjigj një pyetjeje të Zërit të Amerikës mbi vonesat lidhur me raportin.