Ballina Aktualitet Serbia të njoh Kosovën në kufijtë e vitit 1974, kompensimin e...

Serbia të njoh Kosovën në kufijtë e vitit 1974, kompensimin e dëmeve të luftës, zbardhjen e fatit të mbi 1600 të pagjeturve

Nga Florim Zeqa  – Kosovë

Florim Zeqa i ka thënë gazetës “Kosova Sot” se debati i ditës së hënë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përfundimisht e konfirmoi mungesën e mbështetjes për presidentin Thaçi për udhëheqjen e dialogut me Serbinë dhe ai tani është edhe më i dobët në këtë proces.

“Deklaratat e fundit të presidentit Thaçi, për ‘kompromiset e dhimbshme’ në fazën finale të dialogut me Serbinë në Bruksel, përveç konfuzionit, kanë ngritur shqetësime dhe dilema të shumta në mesin e subjekteve politike opozitare, ashtu edhe të opinionit qytetar në përgjithësi.

Pavarësisht faktit se, ndarja e territoreve akoma nuk është opsion i hapur, do të jetë kryefjala e fazës finale (fatale) të dialogut politik në Bruksel.Sjellja e politikës kosovare karshi këtij procesi të ndjeshëm historik nuk është në nivelin e përgjegjësisë shtetërore.

Përderisa pjesa e pushtetarëve aktualë, që sollën shtetin në këtë situatë të palakmueshme politike, i fshehin shumë nga të vërteta të hidhura nga marrëveshjet e nënshkruara me palën serbe në Bruksel, opozita vazhdon të abuzojë me situatën kritike, duke rrezikuar seriozisht shtetin me kauzën e ‘legjitimitetit’ të presidentit për marrjen e pushtetit”, shpjegon ai.

“Përfundimisht, për të mos pësuar kompromise të dhimbshme në dialogun e Brukselit, politikës kosovare i duhen kompromise të ëmbla mes pushtetit dhe opozitës në Kosovë, që i bie, shkrirja e qëndrimeve të ngurta në raportin pozitë- opozitë.

Tërheqja e presidentit Thaçi nga posti i kryenegociatorit në bisedime në njërën dhe tërheqja e opozitës nga kërkesa për zgjedhje të reja në anën tjetër, do të prodhonin një kompromis të ëmbël politikë, i cili do të ndikonte në homogjenizimin e faktorit politik shqiptar në përballje me invazionin politik të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës”, vijoi më tej Zeqa për “Kosova Sot”.

Sipas tij, krijimi i një ekipi të ri negociator, me platformë të re për dialogun, e cila pikënisje duhet të ketë vënien e kushteve themeltare për Serbinë, siç janë; njohja e Republikë së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran në kufijtë e vitit 1974, kompensimin e dëmeve të luftës, zbardhjen e fatit të mbi 1600 të pagjeturve dhe një vargu të gjatë të kërkesave sa reale po aq fondamentale për shtetin tonë, me siguri do ta detyronin Serbinë të ndërrojë qasjen e saj ndaj Kosovës, bashkë me këtë edhe të Brukselit zyrtar.

“Në momentin e tanishëm, Kosova nuk e ka asnjë arsye të ngutet për dialogun vrastar, kur përfituesi kryesor është Serbia, ndërsa Kosova thuajse asgjë nuk përfiton në këtë mes, përkundrazi bëhet humbëse fatale.

Përderisa është kështu, liderët e partive politike shqiptare, duhet të vënë interesin shtetëror para atij personal e partiak”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.