Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës po kërkojnë që çështja e kësaj treve shqiptare të përfshihet në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd, madje ata kërkojnë që Lugina të bashkohet me Kosovën., shkruan gazeta “Zeri”.
Në anën tjetër kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Ragmi Mustafa, ka thënë se deri më tash çështja e Luginës është trajtuar veçmas nga dialogu Kosovë – Serbi. Por sipas tij, tash bashkësia ndërkombëtare sikur përfundimisht ka ndryshuar mendjen në këtë drejtim.
Sipas Mustafës, tanimë është një moment kohor kur duhet të zgjidhen të gjitha problemet evropiane, duke përfshirë këtu edhe ato të Republikës së Kosovës e të Serbisë. Ai më tej, ka thënë se Lugina duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel e po ashtu duhet të bëhet edhe pjesë e Republikës së Kosovës.
“Tani ne shqiptarët e Luginës së Preshevës duke pasur një kapital shumë të madh politik në krahasim me serbët në Kosovë pa dyshim që kemi potencuar dhe kemi vlerësuar nevojën e domosdoshme që Presheva, Bujanoci, Medvegja të jenë pjesë përbërëse e pandarë e këtij procesi, njëkohësisht të jenë pjesë përbërëse dhe e pandarë edhe e Republikës së Kosovës, atje ku edhe e kemi vendin”, ka nënvizuar Mustafa gjatë një bisede për “Zërin”.
Me këtë rast ai është shprehur optimist se në rundin e ardhshëm në Bruksel do të bisedohet për çështjen e Luginës. Sipas Mustafës, shqiptarët e Luginës duhet të kenë të drejta po aq sa kanë edhe serbët e Kosovës.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se përfaqësuesit shqiptarë të Luginës qysh më 14 korrik kanë kërkuar që në Bruksel të bisedohet për Luginën.
“Më 14 korrik ne kemi aprovuar deklaratën politike me anë të së cilës nga palët e dialogut të Brukselit kemi kërkuar përfshirjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne kërkojmë që përmes aplikimit të parimit të reciprocitetit të garantohen të drejtat e shqiptarëve këtu. Takimi ynë me presidentin Thaçi ishte në këtë kontekst. Ashtu siç u deklarua vetë presidenti i Kosovës, premtoi angazhimin e tij dhe të institucioneve të Kosovës për të drejtat tona”, ka theksuar ai gjatë një prononcimi për “Zërin”.
Sipas tij, nuk mund të ketë fqinjësi të mirë mes Kosovës e Serbisë përderisa të drejtat e shqiptarëve të nëpërkëmben. /ZERI/