Shqipëriaqëduam.al, çlirim i administratës nga shkelësit e të drejtës së qytetarëve

Kryeministri Edi Rama në takimin javor të bashkëqeverisjes me një përfaqësi qytetarësh, që i janë drejtuar platformës shqiperiaqeduam.al, duke zgjidhur problemin e tyre, për të cilin i janë drejtuar platformës:

Shumë faleminderit atyre që janë sot këtu, pasi kanë zgjidhur problemin, hallin, apo shqetësimin e tyre dhe na janë bashkuar në këtë takim të përjavshëm, për të dëshmuar sesi, duke iu drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, ia dolën aty ku mbase kishin humbur çdo shpresë, apo pas një kohe të gjatë torturash, vonesash, zvarritjesh, që për fat të keq janë prej kaq shumë vitesh problemi kryesor i njerëzve në raport me zyrat e shtetit.

Ju falënderoj, sepse mundimi juaj për të ardhur deri këtu dhe për të dëshmuar rastin tuaj vlen jashtëzakonisht shumë për ne, si mundësia për t’iu çuar një mesazh të drejtpërdrejtë të gjithë atyre që, njësoj si ju, kanë nevojë sot të zgjidhin një problem, kanë nevojë të marrin një përgjigje për një shqetësim, apo t’i japin fund një halli dhe ende janë mosbesues për këtë praktikë të re, që është transformimi rrënjësor i atyre që për dekada të tëra kanë qenë zyrat e marrëdhënieve me publikun në një instrument që e çon shtetin në smartphone e çdo qytetari, apo i jep mundësi çdo qytetari që nuk e ka një smartphone, që mjafton të aksesojë një kompjuter dhe menjëherë fut “mikun” më të fortë, vetë qeverinë, në vend se të lodhet duke kërkuar miq, duke kërkuar parti, duke kërkuar rrugë për të dhënë ryshfet.

Po ashtu nuk është thjesht fakti që, duke u adresuar te platforma, ju keni zgjidhur problemin tuaj, por na keni ndihmuar ne që të identifikojmë ata që u janë bërë pengesë, sepse çështja juaj mbaron për ju në momentin që ju merrni zgjidhje, por nuk mbaron për ne. Pas kësaj fillon një hetim administrativ për të kuptuar nëse vonesa është e lidhur me korrupsionin, nëse zvarritja është rezultat i presionit për t’ju çuar drejt rrugëve të ryshfetit dhe kur këto verifikohen, merren menjëherë masa. Kështu, pak nga pak, hap pas hapi pastrohet dhe çlirohet administrata e shtetit, ndërkohë që rritet vetëdija e atyre që punojnë në zyrat e shërbimeve, pasi hap pas hapi kuptojnë se çdo qytetar, pavarësisht nga statusi, pavarësisht nga mosha, është potencialisht dikush që mund t’i largojë nga puna, nëse ata nuk bëjnë punën.

Duke qenë se sot është dita e fundit e një viti intensiv qeverisës, pasi nesër fillojnë pushimet për shumicën, unë dua t’i falënderoj shumë përzemërsisht të gjithë koordinatorët që vërtet janë krenaria e administratës sonë publike dhe janë përditë e më shumë, jo vetëm të motivuar, sepse kjo është që nga dita e parë, por edhe me eksperiencën dhe dijen e nevojshme për të asistuar me cilësinë më të mirë njerëzit e zakonshëm.

E di që pavarësisht nga dy apo 3 javët e pushimeve, zyra do vazhdojë të funksionojë, sepse nuk është një zyrë si të gjitha të tjerat, është një zyrë që, sikundër është në xhepin e qytetarëve, është në tavolinën e shtëpive, kudo ku ka një kompjuter, është në zyrat që ofrojnë këtë mundësi për të hyrë në një kompjuter, është po ashtu edhe në smartphone e koordinatorëve. Kështu që është një punë që mund të bëhet nga çdo pikë dhe cilësia e rrjetit të koordinimit është e tillë që garanton që s’do ketë asnjë moment luhatjeje dhe që kushdo që do vazhdojë të kërkojë ndihmë nga ne, do ta gjejë menjëherë ndihmën.

Po e filloj këtë cikël të sotëm të dëshmive me rastin e një qytetari që qysh prej vitit 2006, 12 vjet ka kërkuar legalizimin. 12 vjet dhe më në fund, sado mosbesues të ketë qenë, – mund të na e thotë vetë, – duke iu drejtuar platformës, brenda një afati prej pak ditësh ka marrë përgjigjen pozitive, që e ka pritur për 12 vjet.

Flamuri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Desha të sjell rastin e një qytetari nga Vlora, Zotit Nevruz Kaci, i cili kishte aplikuar për legalizimin e një ndërtese, biznes i vogël familjar, që në 2006-ën dhe iu desh të priste 12 vjet. Edhe pse i kishte fituar të gjitha proceset që kishte patur, si gjyqësore, si me ankesa, si me letra, nuk kishte arritur ta zgjidhte. Një ditë ndryshoi alternativën, tha ta regjistroj dhe unë ankesën në platformë, duke parë që shumë vetë po i zgjidhnin në këtë mënyrë çështjet dhe iu adresua Zyrës së Bashkëqeverisjes në Vlorë dhe bëri regjistrimin e saj. Brenda 10 ditëve mori përgjigjen që leja e legalizimit ishte gati.

Zoti Nevruz Kaci: Unë kam që nga 2006-ta, por jam persekutuar plotësisht. Kam fituar të gjitha shkallët e gjyqësorit, kudo që më kanë hedhur ata dhe nuk m’i kanë zbatuar as hipoteka, as ALUIZNI. Të gjithë më kanë sjellë pengesa njëra pas tjetrës, për të mos realizuar kërkesat e gjykatave. Herën e fundit, unë iu drejtova platformës bashkëqeverisjes, që e falënderoj nga zemra për gjithçka që ka bërë se u dha rrugë punëve dhe atë që thotë bashkëqeverisja, e bën realitet, jo me gënjeshtra, jo me mashtrime, siç ma kanë punuar deri më sot, prandaj ju falënderoj shumë Zoti Kryeministër për qëndrimet e t’ua të drejta, të ndershme, që neve, njerëzve të thjeshtë, na jepni atë që na takon, që na kanë marrë nëpër këmbë prej kaq vitesh. Ju faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Falënderimet i pëlqejnë gjithkujt dhe unë ju falënderoj për falënderimet, por dua ta theksoj edhe njëherë, si në çdo rast kur marr falënderime të tilla, që e vërteta është se falënderimi për të gjitha këto zgjidhje e janë me mijëra zgjidhje e me mijëra zgjidhje të dhëna në një periudhë më pak se njëvjeçare, qëkurse platforma është futur në funksionim, janë rezultat i votës për të na dhënë mundësinë që të hapim një luftë frontale me një të keqe thelbësore nga shumë të këqija, të trashëguara për vite e vite të tëra, që është e keqja brenda zyrave të shërbimeve për qytetarët. Jam shumë i vetëdijshëm që jemi ende larg objektivit tonë, por dua t’i siguroj të gjithë se ne do ta arrijmë objektivin dhe ndërveprimi i përditshëm me mijëra e mijëra qytetarë, që ditë pas dite i janë shtuar radhës së atyre që kanë bërë këtë zgjedhje për të ndërvepruar me ne, është një nga rrugët për të arritur objektivin. Kemi ende shumë për të bërë. Flasim për zvarritjet e pafundme për titujt e pronësisë. Flasim për zvarritjet e pafundme për njohjen e të drejtës së legalizimit, edhe pasi është fituar me gjykatë.

Në shtator jemi gati të lançojmë reformën për të cilën është punuar qysh në verën e shkuar, pa u krijuar ende qeveria e re. Reformën për të cilën jemi zotuar, të bashkimit të institucioneve të pronës, për të pasur një Agjenci Kombëtare të Pronës, në mënyrë që të mos shkosh te ALUIZNI ta marrësh dhe pastaj shkon te hipoteka s’ta jep, për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, por për të pasur një institucion, një drejtim dhe një rrugë të përbashkët. Kjo reformë do të jetë rrënjësore, do të racionalizojë burimet njerëzore që kemi në dispozicion në këto institucione, do të mundësojë një ecuri shumë më të shpejtë dhe efikase të modernizmit të brendshëm të këtyre institucioneve, do të krijojë brenda këtij institucioni të ri një strukturë apeli, në mënyrë që qytetarët të mos jenë të detyruar të shkojnë menjëherë në gjykatë, por të kenë mundësi ta apelojnë brenda për brenda institucionit, në një strukturë që është autonome, një lloj avokati i qytetarit në institucion, që do të ulë në mënyrë drastike kohën, mundimet dhe mbi të gjitha do të ulë në mënyrë drastike të gjithë atë dëshpërim që krijohet kur je i detyruar të shkosh në gjykatë për diçka që e di që ke të drejtë. E mbase më e rëndësishmja, do të arrijmë që në fund të mandatit të kemi një lehtësi, shpejtësi dhe transparencë shumë më të madhe në dhënien e titujve të pronësisë, përmes edhe një programi special digjitalizimi.

Ftoj Dritën për të prezantuar një tjetër rast, i cili në fakt e ka zanafillën tek një mesazh që unë e kam marrë, mos gabohem, në një nga takimet e fushatës së llogaridhënies, ku u takova me djalin e një mësuesi, i cili më shprehu një shqetësim të madh për faktin që i ati kishte mbajtur një qëndrim objektiv dhe kritik ndaj drejtores së shkollës dhe rrezikonte të humbiste vendin e punës për shkak të reagimit të drejtores së shkollës. Më pas i kërkova djalit të më çojë të gjithën të argumentuar, bashkë me kontaktet dhe njëkohësisht t’i drejtohej platformës. Ishte edhe një rast për mua, për të parë se me çfarë efikasiteti gjëja u zhvillua, pavarësisht nga unë. Pra, platforma nuk është një instrument i kontrolluar, apo që funksionon sipas dëshirës apo vullnetit tim, apo të çdo ministri, por është një instrument që funksionon sipas nevojës së çdo qytetari. Duke qenë një instrument digjital, transparent, ku që nga momenti i bërjes së ankesës ndiqet i gjithë procesi dhe duket në çdo moment, nëse dikush cedon në proces. Nëse cedon ministri, nëse cedon administrata e Ministrisë, menjëherë është diçka që kuptohet.

Drita, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zott Jorgaq Spirollari është një mësues nga Pogradeci. Zoti Spirollari, nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes ngriti shqetësimin për abuzimin në detyrë dhe shkelje të ligjit në drejtimin dhe menaxhimin e shkollës “Muharrem Çollaku” në Pogradec. Drejtuesit e këtij institucioni, në kundërshtim me ligjin kishin vendosur tarifa detyruese për shërbimet që ofron shkolla, të cilat duhet të jenë falas. Nxënësit ishin detyruar të paguanin një tarifë të përcaktuar për t’u regjistruar, për të tërhequr dëftesën, për të tërhequr një vërtetim notash dhe për shërbime të tjera të thjeshta. Për më tepër, këto të ardhura nuk përdoreshin bazuar në dispozitat, apo siç e parashikon ligji, por nuk ishin për nevoja të shkollës. Sapo mbërriti ankesa në Platformën e Bashkëqeverisjes, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ngriti një grup pune, i cili verifikoi rastin në vend, e inspektoi shkollën “Muharrem Çollaku” në Pogradec dhe sipas verifikimit të të gjithë dokumentacionit dhe procedurave të ndjekura në shkollë u konstatuan të gjitha shkeljet e kryera. Për pasojë u mor masa për largimin e menjëhershëm nga detyra të drejtoreshës së shkollës dhe nisi një procedim disiplinor për nëndrejtoreshën e kësaj shkolle, por edhe për përgjegjësin e Zyrës Arsimore Pogradec.

Zoti Jorgaq Spirollari: Përshëndetje! Të gjitha ato që tha zonja qëndrojnë. Faleminderit Kryeministrit që na ka hapur një dritare ne dhe shoqërisë shqiptare, që na ka bërë optimistë, na ka dhënë besim dhe të kemi durim për të bërë gjëra të mira.

Kryeministri Edi Rama: Dua të nënvizoj se rasti i zotërisë është shumë domethënës për të gjithë mësuesit dhe mësueset e vendit tonë, që sot janë në një stad tjetër sigurie në punë, pasi ka marrë fund historia e flakjes së mësuesve për arsye politike. Ka marrë fund historia e emërimeve politike në mësuesi. Ka një portal që tanimë është kthyer edhe në një instrument, të bazuar në detyrim ligjor nga Kuvendi i Shqipërisë, që garanton të gjithë transparencën e procesit të konkurrimit dhe të rekrutimit të mësueseve dhe të mësuesve. Rekrutimi është digjitalizuar, por edhe procesi i testimit është digjitalizuar. Kështu që jemi në një situatë krejt tjetër. Megjithatë ka një problem ende serioz me kapacitetet administruese të shkollave, me drejtorë që nuk janë në lartësinë e duhur. Për këtë arsye, në vjeshtë, ne do të fillojmë punën për realizimin e projektit që tanimë është gati, të Shkollës së Drejtorëve të Arsimit dhe nga ana tjetër është e domosdoshme që të kemi zërin e mësuesve në vijimësi. Këtu po bëj një parantezë, të mos harrojmë që sot fëmijët, prindërit dhe mësuesit e këtij vendi janë të çliruar nga një barrë shumëvjeçare e mbingarkesës së ditës së mësimit, vetëm sepse një grup mësuesish iu drejtua platformës me një ide të tyre, “3 lëndë në 6 orë”. Kjo ishte ide e ardhur nga vetë mësuesit, ndërkohë që me vite ishin angazhuar Ministria e Arsimit dhe strukturat e shtetit, me konsulenca, me projekte, me strategji, me histori dhe s’kishin arritur dot t’i jepnin një zgjidhje të arsyeshme, që ishte si veza Kolombit.

Nga ana tjetër, rasti i mësuesit nga Pogradeci është domethënës për vullnetin tonë që t’i përgjigjemi në kohë reale çdo qytetari që ngre një shqetësim, që mund të jetë i veti personalisht, por mund të jetë edhe një shqetësim që ka rezonancë në të gjithë komunitetin ku ai jeton apo punon. I mirëkuptoj të gjithë ata që ankohen, shajnë, mallkojnë, dëshpërohen sepse ndeshen me njerëz të padenjë që përfaqësojnë shtetin, por nuk mirëkuptoj askënd që nuk ngre zërin, ndërkohë që i është dhënë mundësia ta ngrejë zërin për tre minuta. Duke mos e përdorur kohën thjeshtë për të mallkuar dhe për të sharë në FB, por duke e drejtuar drejtpërdrejtë ankesën dhe duke e orientuar zërin e tij të ngritur në qeveri. Nëse nuk do kishte ngritur zërin, mësuesi, sot do ishte pa punë. Kaq e thjeshtë. Edhe abuzimet e drejtores do ishin duke vijuar dhe te tjerët do kishin marrë mësimin më të keq, që kush ngre zërin kundër meje, ikën nga puna dhe nuk më gjen dot gjë mua. Kjo është dhe arsyeja pse, edhe kur më shkruajnë qytetarët mesazhe, – unë i përgjigjem të gjitha mesazheve, – shumë shpesh përgjigja ime është vetëm një fjali, një fjalë me një pikë në mes, s’ka pikë në fund: shqipëriaqëduam.al

Nuk është për t’i përcjellë, është për t’i çuar aty ku duhet. Tre minuta! Edhe unë, nëse do të merrem me mesazhin, çfarë do bëj?

Do marr në telefon, të ndiqet kjo, të ndiqet ajo. E kemi bërë këtë 4 vjet me radhë. E kanë bërë të tjerë 25 vjet me radhë. Nuk ka funksionuar. Nuk ka funksionuar zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri, nuk kanë funksionuar zyrat e Marrëdhënieve me Publikun, nuk funksionon shteti me telefonata, sepse zgjidh tre, nuk zgjidh dot 33.

Ky është një sistem i ri inovativ i zyrave të Marrëdhënieve me Publikun dhe marrëdhëniet me publikun, sot janë në një marrëdhënie tjetër, sepse qytetari, qytetarja ngre në këmbë ministrin dhe është vete ministri apo ministrja që përgjigjet vetë.

Sot, përpara se të zhvillonim këtë takim, patëm mbledhjen e qeverise dhe në mbledhjen e qeverisë, pika e fundit si gjithmonë është Platforma e Bashkëqeverisjes; Si po ecën koalicioni ynë me qytetarët; Cilat janë të dhënat e javës nga platforma; Sa përgjigje ka; Sa masa ndëshkimore; Sa kanë mbetur pa përgjigje e pse kanë mbetur pa përgjigje. Dhe aty përgjigjet çdo ministër. Nuk është një histori që ngelet nëpër korridore, siç ka ndodhur për gati për 30 vjet.

Përsëri për ALUIZIN e njëjta histori, këtë herë më keq akoma. Se ka keq, por ka dhe keq si mos më keq, thotë populli. Ndërkohë ta themi që ALUIZNI që në mandatin tonë të parë ka bërë aq sa nuk u bë për 20 e kusur vite për legalizimin. Një punë të jashtëzakonshme, por gjithmonë është e njëjta gjë. Nëse kthejmë kokën pas për të krahasuar me ku ishim, s’kemi çfarë krahasojmë fare. Nata me ditën. Nëse shikojmë përpara, për t’u matur me ku duhet te shkojmë, ende nuk matemi dot. Nata me ditën. Ftoj Florianin që të bëjë prezantimin e këtij rasti.

Floriani, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do ju paraqes është një rast tjetër legalizimi dhe i përket qytetarit Ismail Hajrullahu. Kishte që në vitin 2005 që kishte nisur procesin e vetëdeklarimit dhe nuk kishte marrë përgjigje në asnjë nga këto vite. Në kulmin e dëshpërimit, provoi dhe guxoi të shprehë ankesën e vet në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe brenda pak ditësh nga hedhja e ankesës, ai u njoftua për lajmin e mirë, që mori lejen e legalizimit.

Zoti Gentjan Hajrullahu:. Kemi që në 2005, bashkë me babain tim, që kemi filluar procedurat për legalizimin dhe që atë vit e deri më sot, shyqyr Zotit, falë portalit të bashkëqeverisjes, shqipëriaqëduam.al, për 4 ditë e morëm. Po mos ta kishim bërë këtë… bile babai im s’kishte besim fare dhe thoshte do na mashtrojnë prapë. Edhe firmën e vet po i dridhej dora, kur e vuri te ALUIZNI, nga emocionet që kishte. Për këtë falënderoj qeverinë, Zotin Kryeministër. Shumë faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: S’po i kthehem prapë asaj të falënderimeve, po realisht është kënaqësi kur qeveria kontribuon kaq drejtpërdrejtë për të zgjidhur probleme të “vogla”. Të vogla ose të padukshmen fare, nëse shikohen nga lart, por të mëdha dhe tronditëse, nëse i ke në kurriz, siç është rasti i babait, por edhe rasti yt si i biri, që keni që në 2005-n që jetoni me këtë stres të tmerrshëm. Të falënderoj sepse mund të mos kishe ardhur, se punën e mbarove. Por, duke ardhur, ndihmon të tjerët që janë si babai mosbesues, të zhgënjyer për shumë vite dhe me plot të drejtë thonë edhe kjo do të jetë ndonjë lojë si shumë të tjera që janë bërë në këtë vend për 30 vjet. Ndihmon të tjerët që ta marrin këtë hap, i cili s’ka asnjë mundim, s’kushton asnjë lek, në fund të fundit nuk humbet asgjë se janë vetëm 3 minuta, shkruan mesazhin, ankesën dhe pret. Dhe çuditërisht zgjidhet. Zakonisht në 10 ditë, ky është afati. Ka raste që shkon pak më shumë, kur ka probleme më të komplikuara, por zgjidhet. Kjo është e vërteta. Sigurisht ka dhe raste kur platforma përgjigjet negativisht, për shkak se platforma nuk është gjykatë. Çështjet që janë të lidhura me gjykatat janë çështje të gjykatave. Për këtë po bëhet dhe vetting-u. Për këtë po bëhet dhe pastrimi i madh i pallatit të drejtësisë, që gjykatat të mos jenë makthi, po të jenë  shpatulla e pathyeshme e çdo qytetari dhe çdo familjeje të zakonshme.

Katerina, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që prezantojmë së fundmi nga puna voluminoze që kryen Ministria e Drejtësisë dhe koordinatorët përkatës, është rasti i Zotit Bledar Koxheri, i cili pasi ishte pajisur me lejen e legalizimit të banesës së tij, në vitin 2016 i drejtohet Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të certifikuar objektin dhe truallin funksional të tij. Kishte relativisht 1 vit që aplikonte rregullisht pranë ZRPP-së Tiranë, por nuk merrte përgjigje, edhe pas përpjekjeve për takime dhe kontakte personale, sikurse është shprehur. Vendosi t’i drejtohej platformës dhe përfundimisht, sot është prezent me ne, duke u pajisur me certifikatën e objektit dhe lejes funksionale, njëkohësisht jo vetëm ai, por dhe motra e tij, pasi janë të dy bashkëpronarë në objekt. Le të ndajë me ne eksperiencën e vet, që përfundimisht rezultoi pozitive.

Zoti Bledar Koxheri: Përshëndetje! Unë mora legalizimin dhe aplikova për hipotekë 1 vit. Nusja aplikoi te portali. Aty brenda 10 ditëve morëm përgjigjen dhe doli.

Kryeministri Edi Rama: Nuk them kot unë, rrofshin gratë se pa gratë kushedi ku do ishim. Ky është rasti për ta përsëritur se historia që “e merr nga ALUIZNI dhe nuk merr dot nga hipoteka” ka patur nevojë për një përgjigje sistemike. Reforma që ne kemi tanimë gati dhe që do të fillojë zbatimin në shtator, adreson bashkimin, duke pasur një institucion dhe duke marrë përgjigje “po” ose “jo” në fund, sipas të drejtës.

Populli thotë “halle, halle kjo dynja, halli, hallit nuk i ngjan” se ka halle, ka dhe halle – halle, që nuk arrin dot njeriu t’i kuptojë sesi mund të ekzistojnë, por ja që çfarë të bën zyra e shtetit, s’ta bën as perëndia ndonjëherë. Është rasti i një qytetareje që nuk mbyllte dot biznesin. Për ta prezantuar këtë rast ftoj Juelën.

Juela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në Ministrinë e Financave prezantojmë rastin e trajtuar në lidhje me qytetaren Silvana Mëhillaj, e cila pasi kishte kryer procedurat për mbylljen e biznesit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, sipas procedurave ligjore, ajo nuk arrinte ta mbyllte, pasi ishin gjeneruar disa gjoba nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tre muaj pas këtyre procedurave. Për këtë arsye, ajo iu drejtua Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë, por nuk mori asnjëherë përgjigje. Më pas, ajo me besimin e saj arriti që të drejtohej te Platforma e Bashkëqeverisjes, por këtë radhë me sukses, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve verifikoi rastin në sistemin tatimor dhe kontrolloi që gjobat e saj ishin vendosur padrejtësisht. Brenda tre ditëve rasti u sistemua dhe sot ajo është me gjoba të anuluara.

Zonja Silvana Mëhillaj: Përshëndetje! Unë jam Silvana nga Tirana. Në dhjetor të 2017-ës bëra aplikimin për të dalë nga biznesi për arsye personale, por në tre mujorin e parë të 2018-ës, pasi kaluan disa kohë me mendimin se gjithçka kishte përfunduar, ndodhi që mua më erdhi njoftimi që kisha marrë gjobat që nuk më takonin. Bëra një kërkesë, por nuk më dhanë përgjigje nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë. Me ndihmën e bashkëshortit, të dy u futëm në portalin tuaj të bashkëqeverisjes dhe u zgjidh shumë shpejt. Mendova se nuk do të zgjidhej kaq shpejt dhe u befasova.  Ishte hera e parë që aplikoja, s’më kishte ardhur rasti. Përveçse falënderoj Kryeministrin, falënderoj edhe koordinatorët, sepse në respekt të atyre kam ardhur, sepse janë ato që më kanë dhënë një besim dhe dinjitet.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Faleminderit sepse është rast tipik që mund të mos kishit ardhur fare dhe të na kishit dërguar ndonjë mallkim në distancë për të gjitha ato që keni hequr. Por duke ardhur ndihmoni të tjerët që të shikojnë një të vërtetë të thjeshtë se platforma funksionon jo vetëm për këto hallet burokratike të qytetarëve si individë apo si familje, por edhe për biznesin. Edhe aty ka shumë probleme ende, edhe pse ndryshimet janë të mëdha dhe vetë komuniteti i biznesit është i njohur me to dhe i konsideron reale. Sidoqoftë ka shumë herë halle të shpikura, siç është ky një hall i shpikur komplet, pa asnjë lidhje me personin që gjendet papritur e pa kujtuar në një hall dhe që s’gjen dot rrugë ta zgjidhi sepse nuk i përgjigjet kush. Rasti juaj është zgjidhur dhe ndërkohë hetimi administrativ për fajtorët ka nisur dhe të jeni e sigurt që jo vetëm kush e ka shkaktuar, por edhe kush ka qenë indiferent në raport me ju, për ta zgjidhur, do të kalojë në gjithë procesin e masave ndëshkimore administrative. Kemi patur këtu çdo herë dhe falënderoj grupin tonë që e e ka bërë këtë të mundur, rastet e pensionistëve, të cilëve shpesh herë u shkaktohen probleme për llogaritjen e pensionit, për shtesa, për elementë të marrëdhënieve me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që mbeten pa u zgjidhur.

Konkretisht, sot janë dy raste të tilla. Për të parin dhe për të dytin do të referojë Entela, që ka ndjekur rastet. I falënderoj ata që kanë ardhur për të dhënë dëshminë e tyre, sepse kemi nevojë që të përcjellim tek sa më shumë pensionistë, por dhe tek sa më shumë fëmijë të tyre, që janë në kontakt me ta dhe që mund t’ua lehtësojnë procesin e hyrjes në platformë, lidhur me faktin që jemi të vetëdijshëm për këtë problem dhe jemi të gatshëm ta zgjidhim rast pas rasti. Mjaftojnë që ta marrin mundimin dhe të na shqetësojmë për këtë.

Entela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në rastet e shumta të zgjidhura në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë përsa i përket çështjeve të pensionit është edhe rasti i Zotit Petrit Hamzallari, i cili është sot mes nesh. Zoti Hamzallari i ishte drejtuar Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, me një kërkesë për caktim pensioni në nëntor të vitit 2017 dhe që prej asaj kohe i ishte caktuar pension i pjesshëm, sepse një pjesë e periudhës kontributive e tij nuk ishte konsideruar ende nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Në momentin që Zoti Hamzallari u drejtua në Platformën e Bashkëqeverisjes, ankesa u trajtua dhe sot Zotit Hamzallari i janë njohur 6 vite dhe një muaj periudhë kontributive. Sigurisht shuma e pensionit të tij mujor është ndryshuar.

Zoti Petrit Hamzallari: Shkoja nëpër zyra dhe më vinte dhe pak zor se kishte hyrë ajo fryma orientale me të gënjyer. Unë ia kisha marrë dorën, se në administratë kam punuar. Kaloj një muaj, dy e tre dhe thashë lëre këtë punë se nuk zgjidhet. Kur doli platforma, thashë ta provoj njëherë, se me celular në dorë isha. Nuk kam patur besim, e them me sinqeritet. Kur me erdhi përgjigja për tre ditë jam emocionuar. Mu duk vetja i rëndësishëm. Faleminderit Kryeministër. Unë jam inxhinier metalurg.

Kryeministri Edi Rama: Respekte! Faleminderit për fjalinë e fundit: “Mu duk vetja i rëndësishëm.” Sepse, në fakt, qëllimi themelor është që t’i jepet çdo qytetari rëndësia që ai ka realisht. U bënë 30 vjet që bëhen fushata elektorale dhe po t’i kthehemi mbrapa historisë së sloganeve, do të gjejmë sidomos në ato fushata vendore, “Emri im, Zëri juaji”, “Fytyra ime, Fytyra juaj”, “Zëri juaj, Fyti im” dhe kur vjen puna të gjitha këto kanë mbetur në hava. Ndërkohë që platforma është zëri i qytetarëve realisht. Zëri i qytetarëve që dëgjohet; Fjala e qytetarëve që peshon; Dinjiteti i qytetarëve që respektohet. Ky është qëllimi themelor. Në fakt nuk është për t’u dukur apo apo për të qenë i rëndësishëm, apo për të qenë realisht ai që je, një qytetar që ke të drejtën të marrësh atë që të takon,  pa të stresuar dhe pa të vonuar, por duke të shërbyer dhe mundësisht duke të buzëqeshur. Platforma vetëm këtë problem ka, që nuk buzëqesh sepse është elektronike, por dhe nuk gënjen.

Entela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një tjetër rast i zgjidhur në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë është ankesa e Zotit Bajram Braka, i cili sot përfaqësohet nga nipi i tij, Zoti Fatjon Braka. Zoti Bajram ishte trajtuar me pension të posaçëm si minator deri në tetor të vitit 2015, kohë në të cilën ai iu drejtua Institutit të Sigurimeve Shoqërore për caktimin e pensionit të tij të plotë të pleqërisë. Ndërkohë që nga Instituti i Sigurimeve Shoqëror i ishte mohuar kjo e drejtë dhe për më tepër, tre vite nga periudha e tij kontributive nuk i ishin njohur. Ndërkohë që Zoti Bajram Braka ishte shpallur edhe debitor. Me trajtimin e kësaj ankese në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore trajtoi çështjen, mori masat përkatëse dhe sot Zotit Bajram Brakaj i njihet pensioni i plotë i pleqërisë, me të drejtë caktimi që nga dhjetori i 2014-ës.

Zoti Fatjon Braka:  Në fakt ankesa që kishte të bënte me xhaxhain tim, që u adresua në portal nga ana ime, kishte të bënte me pensionin e i tij. Në momentin që i erdhi dita për të dalë në pension dhe për të gëzuar pensionin e pleqërisë na doli një problem, për shkak se tri vite nga kontributet e tij nuk u njohën dhe në vend që të gëzonte pension u shpall dhe debitor për gjithë atë shumë lekësh që kishte marrë si i trajtuar me pension të veçantë. U bënë gati që dy vite që ka ndjekur rregulloren, duke shkuar në zyrat e shtetit, por pa sukses. E vetmja derë që kishte mbetur hapur për të ishte gjykata. Me insistimin tim, pastaj edhe me bindjen e xhaxhait bëmë ankesën në portal. Sot, fiks pas 10 ditësh nga data e ankesës u bë e mundur që xhaxhait t’i zgjidhej problemi dhe të gëzojë pensionin e tij të pleqërisë. Ndoshta unë jam i ri dhe shpresoj që në ditën kur të arrij në pensionin e pleqërisë, ose për çdo qytetar, do ishte e dhimbshme që të shikoje që pas gjithë atyre vite kontributesh, në momentin që vjen data për dalë në pension, nuk arrin ta gëzosh, por duhet të sorollatesh në zyrat e shtetit. Shpresoj që kjo të mos ndodhë më për asnjë qytetar dhe shpresoj dhe kam shumë besim te qeveria dhe Kryeministri Rama, që me reformat e tij do arrijë që jo vetëm për brezin e xhaxhait tim, por edhe për brezat e rinj, që këto probleme të mos ndodhin më. Faleminderit të gjithë koordinatorëve të platformës dhe realisht ju përgëzoj.

Kryeministri Edi Rama: Ndryshimi i administratës është një punë kolosale dhe kërkon një durim të jashtëzakonshëm dhe kohën e vet. Vendet që ne i shohim me admirim dhe që duam të imitojmë, janë vende që çështjet e administratës i kanë zgjidhur shekuj më përpara. Por nuk ka rrugë tjetër. Reforma e sistemeve administrative është njëra anë dhe ndihma e goditja  e përditshme është  ana tjetër. Nuk janë bërë reforma të strukturave të shtetit për 20 e kusur vite. Shteti  që ra dhe ishte i papërdorshëm me rënien  e komunizmit, nuk u ngrit dot kurrë, por u kioskëzua dhe u kthye praktikisht në një “Bathore” institucionale. Riorganizimi, legalizimi dhe formalizimi i kësaj “bathoreje institucionale” kërkon jashtëzakonisht kohë dhe modernizimi për ta transformuar në një mekanizëm institucional është në proces. Ama në të njëjtën kohë njerëzit nuk mund të presin dhe për këtë arsye ndihmon gjithmonë zyra e Marrëdhënieve me Publikun. Këtë e kanë edhe vendet e zhvilluara kudo. Edhe Presidenti i Francës e ka një zyrë për Marrëdhëniet me Publikun, ku i shkruajnë letra dhe u përgjigjet letrave. Këtu kultura e marrjes dhe përgjigjeve me letra nuk është ngritur kurrë. Ndërkohë që sot, teknologjia na jep këtë mundësi që të bëjmë një avancim shumë të madh dhe të kemi në dorë këtë instrument. Dhe ja ku janë dëshmitarët e përjavshëm të një historie që përfshin mijëra e mijëra njerëz të tjerë dhe gjithmonë e më shumë njerëz. Por duhet të jenë edhe më shumë, sepse të tilla janë problemet.

Unë jam shumë besimplotë që çdo takim, çdo javë, çdo zgjidhje e përditshme ndikon në psikologjinë e nëpunësve, e punonjësve, të cilët e kuptojnë pak nga pak që loja e vjetër ka mbaruar dhe kush kapet duke bërë lojën e vjetër, ikën, ndëshkohet. Ndërkohë që, për të ndërtuar këtë “lojën e re” duhen të gjithë sëbashku. Nuk e bëj dot unë vetëm, nuk e bën dot qeveria vetëm, edhe sikur të ketë vullnetin më heroik. Duhen të gjithë bashkë, sepse nuk e merr dot vesh se çfarë bën sot që po flasim, çdo punonjës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ndërkohë që reforma dhe formësimi i gjithë mekanizmit kërkon ende kohën e vet. Kur formësohet mekanizmi, subjektiviteti i punonjësve është minimal. Ndërkohë që kur nuk ka mekanizëm, subjektiviteti është maksimal, arbitrariteti është maksimal. Rënia e subjektiviteti dhe arbitraritetit ka filluar, por ka ende shumë për të bërë dhe duhet ende shumë më tepër ndërveprim me njerëzit e zakonshëm.

Shumë faleminderit për mundimin që morët për të ardhur. Është vërtetë qytetare nga juaj, sepse ju zgjidhët problemin dhe mund të thoshit shëndet e mirupafshim se boll na keni lodhur e nuk duam t’iu shohim e nuk kemi më punë me ju. Jam i bindur që kjo nuk është merita ime, por e koordinatorëve, sepse asistenca e tyre është kaq imediate, kaq e pranishme në gjithë procesin e 10-ditëshit, saqë viheni ju përballë një detyrimi, sepse unë e di sesi iu luten ju, “aman bëje prezent rastin tënd”. E kjo, – që ta dëgjojnë të tjerët, – jo të lavdërohem unë apo qeveria, sepse ne kemi më shumë arsye për t’u kritikuar sesa për t’u lavdëruar, por për të parë njerëzit  tjerë se çfarë ndodh dhe si mund të funksionojë me shpejtësi zgjidhja e një halli që mund të duket i pazgjidhshëm për vite e vite të tëra.

Shumë faleminderit dhe pushime të mbara!