V E N D I M
PËR
KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PERSONALITETIT TË SHQUAR TË LETRAVE SHQIPE DHE TË KULTURËS MBARËKOMBËTARE MID’HAT FRASHËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri.
2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.
3. Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
4. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.
5. Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA