Nga Hamit Aliaj – Mjeshtër i Madh
Prej frymorëve të bukur të qiellit,
Prej zogjve ,do të vdesë ose do të shpëtojë
Ky qytet i mbushur me ikje
Ky qytet i delirit të një kulle
Të ndërtuar tërësisht me eshtra zogjsh !
Jo prej bilbilëve,prej trishtilëve,prej laureshave,jo,
Prej gushkuqëve,kumrive,trumcakëve,pëllumbave të egër,jo ,
As prej qyqeve,korbave,sorrave, grifshave,jo,
Prej zogjve të natës: hutit të hutuem a lakuriqit ,jo se jo,
Grip shpendësh,epidemi pluhurash kozmikë,s’do të ketë…
Prej tërmeteve,zjarreve,përmbytjeve
S’do t’i vijë gjëma,
As prej orgjive,si Gomora e Sodoma,s’do të ketë mort,
Po prej shpendëve do të shuhet, pa
shpëtim!
Fërfllazë qukapikësh po vijnë. A e ndjeni si po dridhet ajri,si një gjamë burrash ?
E po i turren qytetit të mbetur pa zogj,pa drurë,
Qiellnisht qokatin me qoktha qyqnajën,
Që qyqnon në vaje të padenja,tash e sa mot !
E po i turren qytetit,zyrave,bankave,
Parlamentit,krymb-ministrive,
Akademive të hutëve,bord-bordellove,shitësve të hijeve,
Krimba,krimba,krimba në qytetin e krimnajës së madhe,
Qok,qok,qok,brrrrrrrrr, breshëri e blertë,
E padëgjuar në asnjë luftë mbi dhe,
Qok,qok,qok,Shën- qukapikët qiellorë,
Lëkurë e krimbur e qiellit plas përmbi qytet…
Dhe ikin,ikin,ikin,krim-krimbëtarët,
Qyteti mbet shkret, shkretan i bukur e fërfllaza e qukapikëve
Drurët i bën libra kujtese !