Presidenti Trump pret kryeministrin italian Conte në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA Donald Trump po takohet në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin e ri italian Giuseppe Conte.

Dy udhëheqësit do të zhvillojnë një bisedë private në Zyrën Ovale, pasuar nga një takim i zgjeruar dypalësh. Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet kanë për qëllim thellimin e “bashkëpunimit në trajtimin e konflikteve globale dhe nxitjen e begatisë ekonomike në të dy anët e Atlantikut”.

Giuseppe Conte u bë kryeministër i Italisë pas një marrëveshjeje koalicioni të arritur nga dy parti politike populiste, Lega dhe Lëvizja Pesë Yjet pas zgjedhjeve të 4 marsit.

Zoti Conte ka dalë si mbështetësi më i fortë i Presidentit Trump në Evropën Perëndimore.

Zoti Trump e ka takuar Kryeministrin italian dy herë, në takimet e fundit të G-7 dhe të NATO-s, duke e quajtur atë “një njeri vërtet i shkëlqyer”. Të dy kanë të paktën një gjë të përbashkët – qeveri populiste.

Takimi vjen në një kohë tensionesh midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Zoti Conte mbështeti thirrjen e Presidentit Trump në muajin qershor që Moska të hyjë përsëri në Grupin e Shtatëshes, propozim i refuzuar me vendosmëri në samit nga të gjithë anëtarët e tjerë të grupit të fuqive perëndimore të industrializuara.