Lezha e Shkodra shquheshin për qytetërimin antik e mesjetar

Nga Gani Mehmetaj – Kosovë

Qytetarët i moliste skamja, për ç’gjë më qaheshin sa herë më takonin. Pastaj ankoheshin për pasigurinë e plaçkitjet që nuk reshtën me gjithë masat e rrepta të forcave austriake, kur ja u doli një brengë tjetër. Ata ua dinin për nder austriakëve për rendin e disiplinën, për pakësimin e refugjatëve, sepse e dëbuan ushtrinë serbe që bënte masakra. Ndërtimi i xhadeve të reja disa zonave u hapi punë. Qyteti e vazhdonte jetën e njëtrajtshme, në ankth të vazhdueshëm. Ç’e ngryste nata, nuk e gdhinte dita.
Ekipi i hulumtimeve në krye me toger Hansin kishte nisur gërmimet. Hapën dy sonda: njërën në Kështjellë, tjetrën brenda qytetit. Kalova pa u dhënë të njohur, megjithëse me gërmime nuk bënin asgjë të keqe, kishin gërmuar ekipe arkeologësh e aventurierësh para tyre, do të gërmonin edhe pas tyre. Lezha, Shkodra e qytetet e tjera shquheshin për qytetërimin antik e mesjetar të vrullshëm. Por popullata sikur irritohej sa herë fillonin gërmimet. Gjithnjë druanin se po u merrej diçka e çmuar.
Të tjerëve u ndizej fantazia për flori, margaritarë apo gjëra që s’mund të mateshin me para.
“Një viç i artë është nën themelet e kështjellës”, u përhap thashethemnaja. Qyteti nisi ta besonte, gumëzhinte.
“Prandaj erdhën austriakët të përgatitur me të gjitha pajimet si askush tjetër”, thoshte tjetri më zë të ulët, që të mos e merrte mërinë e austriakut të sertë.
“Sigurisht ka edhe gjana të tjera për të cilat s’të shkon mendja, madje nuk i sheh as në ëndërr ”, ia priste i dyti.
“Gjithnjë asht fol për një thesar që s’e gjetën turqit, kur hynë në Lezhje”, vazhdonte lezhjani me imagjinatë të pasur. Tjetri e shikonte dhe hapte sytë me habi.
Vapa nuk e përfillte thashethemnajën e qytetit, as pakënaqësinë e qytetarëve, shtrëngonte me tërë zjarrminë e vet.
#
Vapa e mbërthente qytetin deri pas mesit të natës. Mejhanet mbusheshin plot qejfli. Sipër çative shpërndahej zëri melankolik i këngëtarit, një zë që nuk shquhej a ishte i burrit a i gruas. Të rinjtë i shtrëngonte diçka në gjoks nga malli e melankolia, të vjetrit nuk gjenin qetësi, ngase tërë pasditen e kaluan në dremitje. Nata i turbullonte, ua hapte horizontet e imagjinatës e të lektisjes. Djersinin nga vapa, por djersinin edhe nga ngarkesa e mishit, që u bëhej makth i padurueshëm. Mishi pastaj i nxiste në pije, shpërthime dhune e lapërdhari.
Flitej se ushtarakët austriakë sollën qejfet e tyret, kurse gjetën mejhanet turke, të cilat në pjesën e prapme gjithnjë patën gra që pasi rrotulloheshin me valle barkore, u shërbenin klientëve nëpër dhoma të ngushta, ku të zihej fryma.
Ditën vapa e gushtit e mbyste toger Hansin, derisa përpiqej të kapte hijen e fikut të vjetër. Bezja nën kapelën ushtarake nuk e mbronte nga vapa si një vit më parë në Afrikë, ku mezi e shpëtoi kokën. Lagështia e ajrit ia zinte frymën.
Argatët punonin me ngathtësi me kazmat në dheun me gur e mbeturina të shtresuara. Ai shihte i shpërqendruar, punëtorët gërmonin e shikonin diellin që u binte sipër si saç prushi. Gushti i zuri në pikun e punës. Gërmonin në një territor të gjerë të qytetit e të kështjellës. Punonin në dy terrene jo shumë afër njëri-tjetrit. Çdo gjë e bënin me nxitim të ethshëm. Megjithatë sondat nuk zgjeroheshin shpejt si puset e ujit, apo guroreve.
Nisa ta vizitoja kohë pas kohe për kureshtje, por edhe për informacion. Të gjithë flisnin për këto gërmime, duke i komentuar në mënyra të ndryshme. Ne edhe pse kishim ca dyshime, superiori i pati premtuar se do ta gëzonte mbështetjen tonë morale. Togeri ishte i këndshëm në bisedë, i shtruar në debate. Asnjëherë nuk e ngrinte zërin kundër vartësve të vet, apo kundër punëtorëve, të cilët punonin të shkalafitur nga dielli.
– Gërmimet nuk janë si puna e xhadesë. Pse nxitoni? – e pyesja i habitur.
– Koha e mirë nuk do të zgjasë deri në pakufi. Është luftë kudo, – ma kthente si i zënë në faje.
-Në situata të tilla mund të dëmtosh sende me vlerë.
-Por në nxitim gjithashtu mund tët gjesh gjëra me vlerë, – ma kthente i entuziazmuar që e gjeti mënyrën të më kundërvihej.
Pastaj u ktheheshim çështjeve të tjera. Asnjëherë nuk u iknim temave kryesore: luftës, gërmimeve dhe fatit të ushtarëve. Ai ofshante. Më tregonte se e ndiente veten mirë që e larguan nga Afrika, ku çdo gjë ishte ndryshe: njerëzit, vapa, dunat e shkretëtirës, fatamorgana dhe vdekja e papritur që të vinte në mënyrë banale, nga një akrep, nga një rreze dielli që të binte në kokë, nga plumbi i vendasve.