Sezoni politik u mbyll me palët kryesore në politikë duke shkëmbyer disa herë akuza të forta politike. Kryeministri Edi Rama deklaroi disa herë se opozita shqiptare është tradhtare ose ‘esadiste’, një term fyes për Esad pashë Toptanin. Por cila është historia e Esat Pashës? Një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, për të cilin janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë i vendosur ose si patriot i kulluar, ose si emblemë e tradhtisë –Esat pashë Toptani nga historianët shqiptarë shpesh është refuzuar, duke vlerësuar studimet mbi të si një përpjekje pa vlerë. Ashtu si vetë jeta e Esat Pashës, komplekse është edhe përgjigja që jep gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, publikuar nga UET-PRESS dy vjet më parë. Gjeni më poshtë fragment nga ky libër.
Italia përpiqet të sigurojë një traktat për të marrë protektoratin e Shqipërisë. Mirëpo Shqipëria ka luftuar 500 vjet kundër turqve, të cilët deshën t’i imponojnë një “protektorat” tjetër, që ajo nuk e dëshironte. Ajo kërkon të krijojë një shtet plotësisht të pavarur dhe është e aftë të vetëqeveriset- Esat Pasha
Rivalë në misionin e paqes
Me gjithë pengesat e Italisë, Esati mundi të shkojë në Francë pas disa ndërhyrjesh dhe lutjesh drejtuar qeverisë franceze. Ndihma i erdhi nga njerëz që e shihnin Italinë si fuqi armiqësore. Njëri prej tyre ishte Nikolla Pashiçi, tani kryetar i delegacionit, që përfaqësonte në Paris interesat e Jugosllavisë, mbretërisë serbo-kroato-sllovene, të krijuar në fund të vitit 1918, pas kapitullimit të Austro-Hungarisë. Ministri i Jashtëm francez Pichon u bind se ardhja e Esatit në Paris do të kënaqte serbët. Sa për italianët, gjykonte ai, ata do të preferonin ta shihnin pashain të lutej për ndihmë në Paris sesa të komplotonte në Ballkan.
Esati zbarkoi në portin e Tulonit më 30 mars 1919 me anijen-spital Asie. Me të ishte Pavli Terka, që Esati i kishte dhënë titullin e ministrit të jashtëm. Më 1 prill, pashai arriti në Paris, ku u vendos në hotel Continental, sot Westin Hotel, në rrugën “Castiglione”. Me të mbërritur, iu tha gazetarëve se kishte ardhur për të kërkuar respektimin e të drejtave, që u kishte dhënë shqiptarëve Konferenca e Londrës në vitin 1913. “Përpjekjet e mia do të jenë që këta kufij të vendosen mbi një bazë të shëndoshë, -tha Esati. -Por, nëse ata zmadhohen, aq më mirë”.
Kur u pyet për delegacionin e Turhan Pashës, Esati tha se këta të ashtuquajtur delegatë e kanë kaluar pjesën më të madhe të luftës në Vjenë, Stamboll dhe gjetkë. “Nuk e di se ç’mund të bëjnë ata në Paris, -tha ai. Por, kur unë luftoja në krye të trupave të mia përkrah Antantës, këta zotërinj nuk lodheshin fare për të ndihmuar aleatët. Sot ata mund të cilësohen më saktë si të dërguar të Hohenzollernve, apo të Habsburgëve se sa përfaqësues të Shqipërisë. Por nuk kam aspak ndërmend të merrem me punët e tyre”. Turhan Pasha reagoi menjëherë. Në një letër drejtuar kryetarit të konferencës, Kryeministrit të Francës, George Clemenceau, ai shkruante se Esat Pasha nuk ka të drejtë ta quajë veten kryetar të qeverisë dhe përfaqësues të popullit shqiptar, sepse qeveria ishte zgjedhur nga Kongresi i Durrësit më 25 dhjetor 1918. “Nuk mund të jetë ndryshe, -shkruante Turhani, -po të kihet parasysh popullariteti i ulët i Esat Pashës në Shqipëri, për shkak të politikës së tij antikombëtare”. Protestuan me një letër të përbashkët edhe delegacionet e kolonive shqiptare që kishin ardhur në Paris: Halil pashë Alizoti, ish-ministër i jashtëm turk, për shqiptarët e Turqisë, Charles Telford Erickson, misionar amerikan, për Vatrën e Amerikës dhe Princ Gjika për shqiptarët e Rumanisë. Anëtarët e delegacionit të Turhan Pashës ishin të gjithë dakord se Shqipëria nuk qe në gjendje të vetëqeverisej dhe kishte nevojë për ndihmën e një fuqie të huaj, siç e kishin treguar ngjarjet e viteve 1914-1915, që e kishin zhytur vendin në anarki. Ata ndaheshin në çështjen se cila do të ishte kjo fuqi e huaj. Turhan Pasha, arkipeshkvi i Lezhës Luigj Bumçi, Mustafa Kruja dhe Luigj Gurakuqi formonin grupin pro-italian të delegacionit. Grupi tjetër, ai i Mehmet Konicës dhe Mihal Turtullit, besonte se duhej kërkuar mbrojtja e Amerikës, të cilën ata e shihnin si të parrezikshme. Sipas tyre, protektorati italian duhej kundërshtuar ashpër.
Pa u mbushur java nga mbërritja në Paris, Esati mundi të rregullojë një takim në Quai d’Orsay me ministrin e jashtëm Stéphen Pichon, të cilin e falënderoi që ia kishte bërë të mundur udhëtimin për në Francë. Biseda zgjati rreth 40 minuta: ESAT PASHA: Përfitoj nga kjo vizitë për t’ju folur mbi gjithçka që ka të bëjë me mua dhe me vendin tim. Desha t’ju vija në dukje se disa njerëz, të cilët gjatë luftës kanë vepruar kundër aleatëve, sot hiqen sikur janë në pozitën për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve, ndërsa unë mbetem si të isha i huaj.
STEPHEN PICHON: Besnikëria e Esat Pashës është e padiskutueshme dhe shërbimet e tij nuk vihen në dyshim. Esat pasha nuk duhet të shqetësohet nga fakti që Turhan Pasha dhe të tjerët nën mbrojtjen e Italisë janë dëgjuar nga konferenca. Ne e dimë se gjatë luftës, ky kryeministër i Princ Vidit dhe suita e tij kanë vepruar kundër aleatëve. Është Italia që e mbron dhe ajo dëshironte që fjala e tij të dëgjohej në konferencë. Por ju nuk duhet të merakoseni. Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Ne i njohim shërbimet e Shkëlqesisë Suaj dhe letra, që ju kishit shkruar për të marrë pjesë në konferencë, i shkoi njeriut të duhur.
ESAT PASHA: Më habit fakti që qeveria e Italisë, e cila është një fuqi e madhe, denjon të mbrojë disa agjentë të Austrisë, që kanë qenë kundër aleatëve dhe madje kundër vetë Italisë. Mustafa Kruja, për shembull, që është mes këtyre të deleguarve, ka qenë dënuar me 15 vjet burg nga qeveria ime në marrëveshje me Italinë, sepse iu gjetën dokumente kundër aleatëve.
STEPHEN PICHON: Nuk ka pse habiteni, kur bëhet fjalë për politikë.
ESAT PASHA: Por kjo është një politikë e pandershme. Më falni që po flas kështu, por unë jam më tepër ushtarak dhe nuk marr vesh shumë nga politika. Kur i hyra kësaj lufte, ose më mirë përpara se të shkoja në Selanik, italianët më thanë se kishin një marrëveshje me Francën për Shqipërinë. Atëherë e pyeta sinqerisht qeverinë franceze nëse vërtet ekzistonte një traktat i tillë. Përgjigjja ishte “jo, Franca nuk ka asnjë marrëveshje me Italinë” dhe se duhet të shkoja në Selanik. Për shkak të kësaj deklarate i prisha marrëdhëniet me Italinë dhe shkova në front.
STEPHEN PICHON: (hesht për pak çaste) A do të rrijë gjatë në Paris Shkëlqesia Juaj?
ESAT PASHA: E ku të shkoj? Do të qëndroj në Paris deri sa të përfundojnë këto punë. Vendi im është i pushtuar nga italianët, të cilët ndalojnë të gjitha hyrje-daljet dhe ndëshkojnë ashpër cilindo që shqipton emrin tim. Nuk kam asnjë lajm nga pronat e mia dhe nga përkrahësit e mi,
që janë keqtrajtuar nën pushtimin austriak. Unë shpresoj në mbështetjen tuaj. Tani po largohem, sepse nuk dua të shpërdoroj dashamirësinë që ju tregoni, pasi minutat tuaja janë tepër të çmuara.
Takim me Presidentin amerikan
Duke filluar nga 24 marsi, Konferenca e Paqes kishte shënuar një kthesë të rëndësishme me themelimin e Këshillit të Katërshes, që përbëhej nga Woodrow Wilson i SHBA, Georges Clemenceau i Francës, David Lloyd George i Anglisë dhe Vittorio Emanuele Orlando i Italisë. Ky Këshill do të merrej me çështjet më të rëndësishme, krahas një Këshilli të Dhjetëshes. Italianët shpresonin të siguronin nga konferenca Fiumen dhe disa porte e ishuj në Adriatik. Ata kërkonin sidomos zbatimin me disa ndryshime të klauzolave të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që ishte shpërblimi për hyrjen në luftë të Italisë në anën e Antantës. Në këtë pikë, Italia kishte hasur në kundërshtimin e rreptë të Presidentit Wilson, i cili ishte kundër traktateve të fshehta.
Në Paris, Presidenti amerikan banonte në rezidencën Prince Murat, një pallat i kohës napoleoniane në rrugën Monceau. Në studion e tij bëheshin praktikisht të gjitha mbledhjet e Katërshes. Në shkallët, që të çonin në katin e dytë, ku ndodhej studioja, ngjiteshin çdo ditë disa prej njerëzve më të njohur të botës: presidentë, krerë kabinetesh, ambasadorë, shkencëtarë dhe shkrimtarë, që shoqëroheshin deri sipër nga oficerë me uniformë lufte.
Wilsoni shihej si simboli i drejtësisë dhe si mbrojtësi i madh i kombeve të vogla. Për t’i paraqitur presidentit idealist çështjet e tyre, këta njerëz përshkonin një korridor të ngushtë e të qetë, i cili dukej sikur zgjatej pa fund, për shkak të reflektimit të shumëfishtë të llampëzave të murit nga njëra pasqyrë te tjetra.
Esati ishte njëri prej atyre që kishin shprehur dëshirën për ta takuar presidentin amerikan dhe lutja e tij u dëgjua. Audienca me pashain u përfshi në axhendën e datës 17 prill të presidentit dhe ishte lënë për në orën 12 e 45 pasdite. Sipas publicistit E. J. Dillon, Wilsoni kishte dëgjuar nga shqiptarët e Amerikës fjalë jo të mira për karakterin e Esatit dhe iu kishte thënë miqve se kishte pak besim në aftësinë e pashait për të ngritur institucione demokratike në Shqipëri. Duhet përmendur se edhe Esati kishte kritikat e tij për shqiptarët e Amerikës. Në një rast ai ishte shprehur: “Në Amerikë ka rreth 40-50 mijë shqiptarë. Shpresoj që z. Wilson nuk do të harrojë t’i çojë këta shqiptarë për të vepruar për çlirimin e vendit të tyre, që ata të mos e kalojnë kohën duke lexuar gazeta, por të kryejnë detyrën e tyre të shenjtë në fushën e betejës, ashtu siç po bëjnë vëllezërit e tyre bashkëpatriotë që prej tre vjetësh, duke derdhur gjakun pa u ndalur, duke luftuar në Frontin e Ballkanit, kundër barbarizmit dhe militarizmit”. Pesë minuta përpara takimit me Wilsonin, Esati ndodhej në paradhomën e studios së presidentit bashkë me përkthyesin Stavro, i cili përveç shqipes, fliste mirë frëngjishten, greqishten dhe turqishten.
Kur ishte duke pritur, Esati u kujtua se presidenti Wilson nuk dinte frëngjisht, prandaj e porositi Stavron të shkonte e të merrte një përkthyes të anglishtes në Hotel de Crillon, ku kishte selinë delegacioni amerikan i paqes. Njëri prej sekretarëve e ndali dhe i tha: Presidenti vërtet nuk e flet frëngjishten, por e kupton, prandaj një përkthyes i dytë do të ishte i panevojshëm. Kur u bë takimi, Esati foli shqip dhe Stavroja përkthente në frëngjisht. Ishte një monolog, ku Wilsoni dëgjonte në heshtje. Ata që ndodheshin në dhomë krijuan përshtypjen se ai e kuptoi thelbin e kritikës së ashpër që Esati i bëri sjelljes së Italisë. Por, për të qenë i sigurt, presidenti i kërkoi vizitorit ta hidhte në letër çdo gjë që I kishte thënë dhe t’ia dërgonte.
Esati u kthye në Continental dhe i diktoi përkthyesit këtë tekst: “Esat Pasha e quan për nder që u prit nga Presidenti. Atij i vjen keq që mosnjohja e anglishtes e detyroi të shprehej në shqip dhe është kureshtar të dijë nëse u kuptua e gjitha ajo që tha… Gjatë tërë periudhës së luftës, Esat pasha ka luftuar kundër armikut të përbashkët. Si kryetar i qeverisë shqiptare i shpalli luftë Austrisë, por meqenëse armiku ishte më i fortë, iu desh të ikë nga atdheu. U strehua në Itali, pastaj në Francë dhe, pas një marrëveshjeje, vendosi në Selanik qeverinë dhe ushtrinë e tij shqiptare, e cila kreu atje detyrën. Siç e kanë pranuar vetë aleatët, besnikëria e Esat Pashës nuk u ka munguar kurrë. Megjithatë, kur u vendos të mbahej konferenca e paqes, neve nuk na ftuan të marrim pjesë si përfaqësuesit e shteteve të tjera. Përse? Sepse Italia intrigon pranë Fuqive. Ajo përpiqet të sigurojë një traktat për të marrë protektoratin e Shqipërisë. Mirëpo Shqipëria ka luftuar 500 vjet kundër turqve, të cilët deshën t’i imponojnë një “protektorat” tjetër, që ajo nuk e dëshironte. Ajo kërkon të krijojë një shtet plotësisht të pavarur dhe është e aftë të vetëqeveriset. Si ka mundësi që konferenca, e cila synon të çlirojë kaq shumë kombe të tjera, guxon ta vërë përsëri nën zgjedhë Shqipërinë që, për shkak se shpalli luftë, ka vuajtur po aq sa edhe Belgjika? Si mund të bëhet pazar me shpërblimin që ajo e ka merituar plotësisht?
Ajo ka të drejtën e pavarësisë. Por Italia as që e çan kokën për drejtësi; ajo është kundër garantimit të një paqeje të pakufishme në Ballkan dhe i bëhet pengesë përparimit të Shqipërisë drejt së ardhmes. Protektorati italian, i urryer nga të gjitha pikëpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i besohej një fuqie të painteresuar, do të ishte diçka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”. Për presidentin amerikan, problemi shqiptar ishte një ekuacion me shumë të panjohura. Italia kërkonte Vlorën dhe mundësisht një protektorat mbi Shqipërinë. Ndërkaq, kërkesat e saj ishin të lidhura me rivendikimet e tjera që ajo kishte në Adriatik. A duhet të shërbente Shqipëria si monedhë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth kufirit mes Italisë dhe mbretërisë së sapokrijuar serbo-kroato-sllovene? Vërtet Wilsoni kishte dalë me parimin e kombësive, por në delegacionin amerikan idetë për Shqipërinë ishin të ndryshme; ato i ishin paraqitur presidentit disa muaj para se të fillonte konferenca e paqes dhe varionin nga copëtimi i plotë e deri te pavarësia. Këto ide modifikoheshin pa pushim. Për shembull, në një memorandum të datës 14 prill, Wilsoni doli me propozimin për t’i lënë Italisë “në ruajtje” portin e Vlorës, në shkëmbim të lëshimeve që ajo duhet të bënte në Adriatik. Memorandumi e zemëroi shumë Italinë, aq sa delegacioni i saj vendosi të kërkojë ekzekutimin e Paktit të Fshehtë të Londrës.13 Përfundimisht, më 24 prill, delegacioni i Orlandos iku nga Parisi, duke shkaktuar një ndërprerje të përkohshme të bisedimeve. Wilsoni kishte dyshime tek një protektorat italian mbi Shqipërinë. Më 6 maj ai tha në Këshillin e të Katërve se Shqipëria duhet të bëhej e pavarur.