Ekrem Lluka e Bujar Musa në listën e zezë të SHBA, u pasuruan kundërligjshëm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç disa politikanëve, definitivisht nuk duan t’i shohin fare në territorin e tyre as disa prej biznesmenëve apo oligarkëve më të fuqishëm në Kosovë, të pasuruar papritmas dhe në rrugë jotransparente pas luftës.

IndeksOnline merr vesh se tanimë në listën e zezë të SHBA-ve është edhe biznesmeni pejan Ekrem Lluka dhe milioneri Bujar Musa, si dhe disa biznesmenë të tjerë, që së fundmi u është refuzuar edhe viza për udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arsyeja pse këta dy biznesmenë milionerë janë në listën e zezë, sipas burimeve të IndeksOnline, ndërlidhet direkt me pasurinë e pajustifikueshme të tyre brenda dhe jashtë vendit.

Biznesmenët Ekrem Lluka dhe Bujar Musa, si dhe disa të tjerë të njohur për redaksinë, përfshirë edhe partneri tjetër i tyre, Akan Ismaili, vazhdojnë të jenë nën hetime që një kohë të gjatë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për shkak të mospagesës së 15 milionë eurove si garancë bankare kur kishin fituar tenderin për hyrjen e telefonisë IPKO në Kosovë.

Por, Lluka, Musa dhe Ismaili, tash e 11 vite i kanë mbetur borxh ATK-së 15 milionë euro dhe vazhdojnë të mos e kryejnë këtë obligim, përkundër që një çështje e tillë ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, si dhe kishte reagime edhe nga organizata joqeveritare dhe media.

Mësohet se kjo vlerë monetare prej 15 milionë euro fillimisht ishte vendosur si garancë bankare nga biznesmeni Ekrem Lluka, i cili edhe e kishte fituar tenderin, por që më pas ishte tërhequr kundërligjshëm, duke ua lënë Musës dhe Ismailit.

Bashkë me tërheqjen e Llukës ishte tërhequr edhe garanca bankare, e cila nuk u pagua më asnjëherë prej tyre dhe falë lidhjeve politike i kishin ikur gjithnjë edhe pagesës së saj.

Ish-partnerët e Llukës, Bujar Musa dhe Akan Ismaili, deri më tani nuk e kanë mbuluar këtë garancë bankare.

Përveç Ekrem Llukës dhe Bujar Musës, nga burime të sigurta mësohet se Qeveria e Kosovës ishte detyruar që edhe biznesmenin Akan ismaili, të cilin e kishte emëruar ambasador, ta tërhiqte nga SHBA-ja për shkak të refuzimit të Uashingtonit për të bashkëpunuar me të.

Musa dhe Ismaili, për shkak të ngatërresave ligjore janë detyruar tash e një kohë që të jetojnë jashtë vendit, ndërsa Lluka vetëm është zhvendosur nga Kosova në Slloveni. /IndeksOnline/