Ballina Aktualitet Tuzi, komunë e pavarur në shtator 2018?!

Tuzi, komunë e pavarur në shtator 2018?!

Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka miratuar në mbledhjen e saj të enjten Propozim ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi, me të cilin parashikohet që Tuzi të fitojë statusin e komunës së pavarur.
Në deklaratën për shtyp nga mbledhja e Qeverisë së Malit të Zi thuhet se në diskutim është theksuar se në këtë mënyrë forcohet e drejta e qeverisjes lokale të qytetarëve nga treva e Tuzit dhe ndërtohet shoqëria mbi bazën e parimeve të decentralizimit, si një prej parimeve themelore të Kartës Evropiane për vetëqeverisje lokale.
Në bazë të Propozim ligjit, ai pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator 2018.
Me qëllim të harmonizimit me këtë ligj, Qeveria ka miratuar edhe Propozim ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për kryeqytetin.
Miratimi i Propozim ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi nga Qeveria e Malit të Zi është përshëndetur nga partitë shqiptare të koalicionit “Shqiptarët e vendosur”, që janë pjesë e koalicionit qeverisës.
Në faqen e tij në facebook, kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, ka thënë se në këtë mënyrë po ia dalim që të përmbushim një ndër kërkesat kryesore të shqiptarëve të Malit të Zi, duke realizuar gjithashtu një premtim të kahmotshëm të Forcës së Re Demokratike.
“Unë ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që na keni dhënë. Falë votave tuaja ne kemi mundësuar që të vëmë në jetë aspiratën e popullit tonë për të pasur komunën e dytë me shumicë shqiptare në Mal të Zi”, është shprehur ai.
Nga ana tjetër, Nikollë Camaj, kryetar i Degës së LD në MZ në Malësi dhe ish kryetar i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, është shprehur skeptik në lidhje me vendimin e ri të qeverisë së Malit të Zi.
Në një reagim të tij, Camaj e ka cilësuar këtë si një mashtrim të ri dhe shantazhim të qytetarëve të Malësisë.
“Se është fjala për një mashtrim të ri dhe shantazhim, flet edhe fakti se banorët e Malësisë, për këtë ‘fitore’, do të duhet t’i shërbejnë ‘prijësit’ dhe ta përkrahin në zgjedhjet e ardhshme të Kryeqytetit, në zgjedhjet presidenciale, e sipas të gjitha gjasave edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka thënë ai, duke e quajtur këtë jokorrekte dhe me qëllim për t’i përulur edhe një herë qytetarët e Malësisë.
Propozim ligji mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi pritet që së shpejti të hyjë në procedurë për miratim në Kuvendin e Malit të Zi.
Komuna e plotë e Tuzit (Malësisë) është një ndër kërkesat themelore të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, duke filluar që nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe partitë tjera që janë themeluar më vonë.
Megjithëse pushteti ka premtuar disa herë komunën e pavarur për qytetarët e Malësisë, deri tani kjo nuk është bërë realitet, pasi që Tuzi vazhdon të jetë komunë urbane në kuadër të kryeqytetit Podgoricë. (F. Gjokaj. Koha Javore).