Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira këndoi dy netë më parë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, pas të cilit mori edhe çelësin e Bashkisë së Tiranës. Koncerti i saj u mbajt ndërsa në Greqi zhvillohej tragjedia e madhe e mijëra njerëzve me zjarret.
Ndaj dhe Eleni, e cila jeton dhe u rrit si artiste në Greqi, vendosi të ndihmojë njerëzit në një ditë të keqe si kjo. Me anë të një postimi në Instagram, ajo ka thënë se të gjitha paratë që mori në koncert do t’i dhurojë për viktimat e zjarrit.
Eleni nuk është e vetmja që po i gjendet pranë grekëve. Shqiptarë të shumtë që jetojnë në Athinë kanë strehuar në shtëpitë e tyre njerëz që kanë mbetur të pastrehë nga djegia e shtëpive. Ndërsa shumë të tjerë kanë ofruar ushqime dhe çdo gjë që ata kanë pasur nevojë, duke i lehtësuar sado pak dhimbjen.