Nga Çapajev Gjokutaj
Mbrëmë, ndërsa hëna përgjakej nga eklipsi, buisën dhjetra mesazhe. Teksti i njëjtë: televizioni i Singaporit paskësh njoftuar se, nga ora kaq në orën aq, duheshin fikur celularët. Ndryshe rrezatime të shtuara kozmike mund të na dëmtonin rëndë.
NASA, ku punojnë kozmologët më të mirë të rruzullit, thoshte të kundërtën. Eklipsi nuk do të sillte rrezatim të shtuar.
Qindra mesazhe miqsh përsërisnin lajmin e rremë, me rrezatim e rreziqe. Pothuajse asnjë lajmin e saktë.
Kur vemi në market përpiqemi të zgjedhim mall të mirë dhe shmangim në maksimum mallrat skarco. Pse kur është fjala për lajme, jemi përgjithësisht të prirur të bëjmë të kundërtën?
Po ta shohësh këtë problem në sipërfaqe mund të thuash se kemi të bëjmë me një prirje tej njerëzores. E liga përhapet vetiu, e mira dhe e dobishmja duan mund e djersë. Gruri e do bujkun në këmbë, me kujdesje e me shërbime; kurse barishtet e këqija mbijnë e rriten vetë, përhapen e shtohen edhe pse i luftojmë.
Veç këtij shpjegimi, gjithsesi sipërfaqësor, ka edhe një tjetër lidhje të brendshme. Lajmet e rreme, si ky me rrezatim e rreziqe, ngjallin frikë dhe emocion. Çdo gjë e frikshme dhe emocionuese krijon më shumë reagime dhe përcillet shpejt e gjerë.
Jo vetëm kaq. Pothuajse asnjëherë nuk mungojnë institucionet që nxisin përhapjen e lajmit të rremë, për një arsye a tjetrën. Në rastin e lajmit me eklips dhe rrezatim psh, ngjan se nxitjen e kanë bërë njerëz që janë të interesuar të kenë sa më shumë mesazhe e klikime në rjetet e tyre.
Lajmet më traumatike të kronikës së zezë merren e rimerren, fryhen e stërfryhen duke shtuar ditë pas dite detaje të reja, si të ishin telenovela. Ndodh kështu jo thjesht se njerëzit kanë interes dhe i lexojnë e i klikojnë, por edhe se mund të luajnë rolin e tymuesit: të tërheqin vemendjen nga plagë më të thella dhe diskretituese për këtë apo atë klan politik.
Eklipset, tërmetet, zjarret masive etj., prej natyre ngjallin frikë, ankth, kërshëri etj. Është kjo arsyeja që, pothuajse në çdo kohë janë përdorur për të rritur ndikimin mbi njerëzit.
Kur isha i vogël të moshuarit tregonin se kur përgjakej hëna nga eklipsi, burrrat shtinin në ajër për të përzenë lanetin. Pastaj vinte radha e klerikut të shpallte fajtorët e të trembte miletin.
Këto ditë një imam shqiptar u kujtonte besimtarëve lëkundjet e përsëritura të tërmeteve dhe u thoshte se edhe më keq do bëhej, po qe se do vazhdonin të pinin alkol e t’i linin gratë të xhvisheshin nëpër plazhe.
Një hierark i kishës greke shfrytëzoi tragjedinë me zjarret për të sulmuar ateistët. Perëndia po na dënon, predikoi, nga që kemi zgjedhur një ateist për kryeministër.
Parë kështu lajmet e rreme nuk rriten e përhapen vetiu, si barishtet e këqia. Meqë kanë materie që ngjall kërshëri dhe emocion, kthehen lehtë në instrumenta që i shërbejnë kësaj apo asaj kauze. Herë më hapur e herë më fshehur.
Vetëkuptohet sa të mbrojtur e të lirë jemi, kur edhe gjëra thellësisht personale si emocionet, frika etj., thirren në shërbim të kësaj apo asaj kauze, të këtij apo atij ustai.
( Nga cikli ‘ Dritëhijet e racionales’ )