Ballina Kryesore Berisha: Kosova nuk ka asnjë metër katror territor të Serbisë, e kundërta...

Berisha: Kosova nuk ka asnjë metër katror territor të Serbisë, e kundërta është e vërtetë!

-Intervista e dr. Sali Berishës – ish kryeministër i Shqipërisë, dhene per Indexonline te Kosoves –

“Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka komentuar për Indeksonline idenë e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimin e territoreve me Serbinë në kuadër të bisedimeve mes dy shteteve. Berisha ka thënë se çdo ide e ngjashme është e papranushme dhe se këto përpjekje destabilizuese të Serbisë duhet të dështojnë.

“Kam qenë dhe mbetem kundërshtar i prerë i çdo ideje për ndarjen e Kosovës. Jam kundër çdo diskutimi për një çështje të tillë, apo tregti territoresh. Mendoj se t’i njohesh te drejten Serbise, fuqise se humbur nga lufta, te paraqese pretendime territoriale ndaj Kosovës është në një fare mënyrë një zhbërje e qëllimit dhe rezultatit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe Natos si dhe kapitullimit të Serbisë në këtë luftë.

Serbia nuk ka asnjë të drejtë për të pretenduar qoftë edhe një metër katror territor të Kosovës. Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë, asnjë metër katror territor të saj. E kundërta është e vërtet. Republika e Kosovës është shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijtë e saj aktual ndërkombetar” ka thënë Berisha.

Ish kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka thënë se Dokumenti i Ahtisarit i garanton minoritetit serb të gjitha të drejtat, andaj Serbija nuk ka të drejt të kërkojë asnjë tregti, shkruan Indeksonline.

“Te pranosh idenë e ndarjes së Kosovës, në një menyrë apo në një tjetër mbështetë idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës. Në rajonin tonë zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kerkojnë serbët në Mitrovicë do minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin.

Minoritetit serb në Kosovë, në përputhje me Dokumentin e Ahtisarit, i janë garantuar të drejta që nuk i ka asnjë minoritet në Europë. Keshtu që pretendimi i Serbisë për tre Komunat e Mitrovicës nuk ka të bëjë aspak me garantimin e lirive dhe të drejtave të serbëve por ka te bëjë vetëm me vazhdimin e idesë së serbomadhisë dhe është pretendim territorial ndaj një shteti sovran të pavarur me qëllim zhbërjen e Kosovës! Nuk ka asnjë dallim edhe në rastin e “shkembimit” të territoreve. E verteta është se në këtë rast Serbia kërkon të bëjë tregti, të përdorë si plaçk tregu territore shqiptare. Ajo është e shqetësuar nga zgjimi gjithnjë e më i madh i vetëdijes kombëtare tek banorët shqiptar të Pazarit te Ri.

Për të gjitha këto jam kategorikisht kundër dhe kam bindje se këto përpjekje destabilizuese të Serbise do të dështojnë.
Çdo marreveshje dhe çdo zgjidhje duhet të jete një marrëveshje midis dy vendeve të pavarura që njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njëri tjetrit. Në rast se Serbia nuk pranon këtë parim vetkuptohet që ajo nuk kërkon marrëveshje por konfliktualitet dhe destabilizim” ka thënë Berisha për Indeksonline”