Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në funksion të transparencës dhe informimit të opinionit publik, Presidenti i Republikës bën me dije se sot më datë 27 korrik 2018, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, mbështetur në argumentet e mëposhtme:
- Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.
- Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.
- Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.
- Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
- Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.
- Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.
- Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
- Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.
- Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Arsyet e kthimit të ligjit nr. 37/2018
“Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”.
Të nderuar deputetë,
Në seancën plenare të datës 5 korrik 2018, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. Ky ligj i është dërguar Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje në datën 10 korrik 2018.
Sipas relacionit që ka shoqëruar projektligjin dhe sipas përmbajtjes së dispozitave të miratuara nga Kuvendi, ky ligj ka për objekt dhe qëllim të tij përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me një palë private me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës urbane në qytetin e Tiranës ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Institucioni i Presidentit të Republikës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji me Kushtetutën, duke bërë një analizë të kujdesshme të përmbajtjes së tij, për sa i takon efekteve pozitive të aplikimit të kësaj norme të re ligjore që, sipas argumentit kryesor të qeverisë dhe Kuvendit, është ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar me kosto zero, në raport me respektimin e parimeve kushtetuese, interesit publik, si dhe ruajtjes së vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar.
Në shqyrtim të kësaj çështjeje, Presidenti i Republikës, ka ndjekur me vëmendje dhe ka vlerësuar të gjitha qëndrimet publike, të shprehura pro, apo kundër miratimit të këtij ligji.
Presidenti i Republikës ka ndjekur me vëmendje të gjithë qëndrimet publike: të Bashkisë së Tiranës, qeverisë dhe përfaqësuesve të Kuvendit në lidhje me këtë çështje.
Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, Presidenti i Republikës çmon se ky ligj, i paraqitur për shpallje, nuk është në përputhje me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që ka ratifikuar; gjithashtu fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare.
Për këto dhe të tjera arsye të parashtruara në vijim, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj, i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, mbështetur në argumentet e renditura si më poshtë:
I. Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë mishëron dhe mbron më së miri parimet dhe vlerat më të larta të funksionimit të një shoqërie demokratike. Në nenin 11, pika 1 të saj, parashikohet se: “Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.”. Zbatimi i këtyre parimeve kushtetuese në praktikë nënkupton që ligjvënësi dhe qeveria do të duhet të nxjerrin akte ligjore dhe nënligjore që bëjnë të mundur zhvillimin ekonomiko-shoqëror, bazuar në mundësi të barabarta zhvillimi, ku nën një klimë të përshtatshme dhe të garantuar për biznesin, të nxitet konkurrenca, sipërmarrja e lirë dhe që, në tërësi, të krijohen garancitë e nevojshme ligjore që krijojnë besueshmëri tek çdo qytetar i vendit, apo investitor vendas apo i huaj, se ky regjim juridik nuk do të ndryshojë .
Këto standarde të larta të zhvillimit shoqëror i mbron Kushtetuta e vendit e cila, në nenin 18 të saj, ka përcaktuar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
Kjo nënkupton se veprimtaria legjislative e Kuvendit duhet të jetë shumë e kujdesshme në mënyrë që ligjet e reja që miratohen të mos bien ndesh me sistemin ligjor aktual, për të mos krijuar kështu trajtim jo të barabartë, pasi në të kundërt, kjo do të cenonte funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në zbatim të ligjit themeltar të shtetit, është detyrë e ligjvënësit që të miratojë akte, të cilat krijojnë një sistem të përgjithshëm ligjesh që rregullojnë veprimtarinë e gjithë shoqërisë brenda një shteti dhe që janë të zbatueshme nga të gjithë. Ky është sistemi ligjor që Republika e Shqipërisë ka ndërtuar deri më sot ku ligji ka karakter të përgjithshëm, nëpërmjet të cilit mbrohen dhe rregullohen të gjitha marrëdhëniet juridiko-shoqërore për të gjitha shtresat e shoqërisë. Nëse ky sistem ligjor i përgjithshëm cenohet dhe veprimtaria e ligjvënësit orientohet shpesh e më shpesh për të miratuar ligje që rregullojnë një marrëdhënie të caktuar me një individ apo subjekt të caktuar ekonomik, atëherë roli rregullator i shtetit individualizohet nëpërmjet trajtimit preferencial, dhe si rrjedhim, në mënyrë të pashmangshme, duke sjellë kështu pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike. Pra në këtë formë funksionimi, shteti nëpërmjet ligjeve të posaçme që nxjerr, del nga zbatimi i parimit të përgjithshëm të shtetit të së drejtës dhe individualizon trajtimin e shoqërisë nëpërmjet normave ligjore të ndryshme.
Pikërisht ligji i miratuar nr. 37/2018, referuar mënyrës sesi ka përcaktuar të trajtojë kompaninë private propozuese, duket se shkel, njëkohësisht, parimin e barazisë përpara ligjit dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve. Në rastin konkret, rezulton se kërkesa për shprehje interesi e paraqitur nga kompania propozuese, është vlerësuar a priori si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer se ky është propozimi më i mirë, por në rastin konkret, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.
Konkretisht, paracaktimi i drejtpërdrejtë me ligj nga Kuvendi i një operatori ekonomik, me të cilin shteti ka zgjedhur të bashkëpunojë për të kryer një punë publike, duke shfrytëzuar dhe tjetërsuar pasurinë publike, pa iu nënshtruar më parë një procesi transparent të hapur konkurrimi, shkel parimin e barazisë përpara ligjit dhe cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë lirinë e veprimtarisë ekonomike.
Trajtimi preferencial që i bëhet me ligj të veçantë kompanisë propozuese, në raport me shtetasit dhe subjektet e tjerë, që do të dëshironin të ishin pjesë e një konkurrimi të ndershëm për të hartuar qartë propozimet e tyre me qëllim që në të ardhmen t’u krijohej mundësia për të ndërtuar një partneritet me autoritetet publike për zhvillimin e tyre ekonomik, është shkelje e hapur dhe e drejtpërdrejtë e këtyre parimeve kushtetuese.
Republika e Shqipërisë ka të miratuar dhe në fuqi një sërë normash ligjore dhe akte nënligjore që rregullojnë procedurat e konkurrimit për sipërmarrjet private të punëve publike.
Legjislacioni mbi prokurimin publik, apo ai i partneritetit publik privat, parashikon se çdo propozim parashtrohet dhe krahasohet me nevojat që autoriteti publik ka; pra, me termat e referencës, ku sipas procedurave bazuar në kritere jo diskriminuese dhe transparente konkurrimi, përzgjidhet operatori që ka ofertën më të leverdisshme dhe që mundëson realizimin e një kërkese të entit publik për mallra, shërbime apo ndërtime etj.
Aktualisht, ekziston baza ligjore e plotë për të realizuar çdo investim publik që kërkohet të realizohet.
Krijimi i precedentëve të tillë, siç është ligji nr. 37/2018, për të dalë nga zbatimi i këtyre rregullave të përgjithshëm dhe për të krijuar rregulla të veçanta ligjore që i adresohen rregullimit të një marrëdhënie të caktuar, për një operator ekonomik të përzgjedhur subjektivisht, jo vetëm që përbën trajtim të pabarabartë, por do të krijonte prirjen e operatorëve në treg që të kërkonin në vijimësi që gjithkush të kishte një trajtim preferencial për të operuar në një mjedis ligjor të personalizuar.
Ky regjim rregullator i paracaktimit të operatorit ekonomik nëpërmjet Kuvendit, krijon pabarazi të shtetasve përpara ligjit, sepse diskriminon çdo person fizik, apo juridik që do të dëshironte të ushtronte të drejtën e veprimtarisë së lirë ekonomike, duke konkurruar bazuar në rregullat ekzistuese të njëjta, por që nuk mundet, pasi ligji i sapo miratuar apo çdo ligj tjetër i kësaj natyre, ia heq këtë mundësi, sepse përcakton, paraprakisht, kush është subjekti me të cilin shteti do të bashkëpunojë.
Kjo mënyrë përmbys hapur zbatimin e parimeve evropiane të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ku ligji është i barabartë për të gjithë dhe përpara tij janë të gjithë të barabartë.
Për këto arsye, Presidenti i Republikës, në kushtet kur në Republikën e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale dhe kontrolli kushtetues i çdo norme të re, nuk mund të realizohet nga një gjykatë tjetër, vlerëson me shumë seriozitet situatën e krijuar nga miratimi i ligjit nr.37/2018 dhe ka vendosur kthimin e tij në Kuvend, duke sugjeruar rishqyrtimin e tij, në vlerësim të konstatimeve të mësipërme.
II. Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 3 të saj, parashikon: “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.”.
Populli Shqiptar ka vendosur trashëgiminë kombëtare si një nga parimet themelore, mbi bazën e të cilit ngrihet dhe funksionon shteti. Nëpërmjet institucioneve të tij, nga ai më i larti në hierarkinë shtetërore deri tek institucioni më i ulët i administrimit të funksionit publik, shteti ka për detyrë ta respektojë dhe ta ruajë këtë parim, si gjithë parimet e tjera të parashikuara në Kushtetutë.
Procedurat e propozimit të këtij projektligji dhe miratimi i tij nga Kuvendi rezulton të jetë realizuar me procedura të përshpejtuara. Nga relacioni shoqëres i kësaj nisme propozuese të qeverisë, por dhe nga shqyrtimi i raporteve të komisioneve parlamentare, është e dukshme se gjatë gjithë këtij procesi nuk janë evidentuar apo vlerësuar siç duhet vlerat e trashëgimisë kulturore që mbart me vete kompleksi ekzistues i Teatrit Kombëtar, vlera këto që ky objekt ka krijuar që nga ndërtimi i tij në vitet 1938 dhe më tej nëpërmjet ekzistencës dhe funksionimit ndër këto 80 vite.
Në relacionin e qeverisë që shoqëron projektligjin parashtrohet:
“Objekti i Teatrit Kombëtar, vlerësuar nga ekspertët e fushës, nuk mbart vlera të spikatura të arkitekturës së kohës në të cilën është ndërtuar, kjo edhe për faktin se: a) objekti është ndërtuar në vitin 1938, si një objekt i përkohshëm për të plotësuar shërbimet e kërkuara për një kryeqytet; b) objekti asnjëherë nuk është vlerësuar me status mbrojtjeje, si shumica e objekteve të ndërtuara në këtë periudhë në qytetin e Tiranës. Për sa më sipër, godina e Teatrit Kombëtar, referuar vlerësimit të ekspertëve jo vetëm që nuk plotëson asnjë standard bashkëkohor lidhur me anën funksionale, sigurinë e strukturës, sistemet e ruajtjes nga zjarri, ato elektrike, të ngrohjes, etj., por edhe nëse kryhet rikonstruksioni i saj, sado i kushtueshëm dhe i thellë të jetë, nuk e sjell atë në kushtet optimale teknike të sotme, sipas kodeve të projektimit.”
Presidenti i Republikës, çmon se këto konkluzione që janë arritur mbi vlerat e kompleksit ekzistues të godinave të Teatrit Kombëtar të lidhura me nevojën për ndërtimin e një godine të re, janë bërë bazuar në një vlerësim jo të plotë e të thelluar, duke u fokusuar vetëm tek cilësia e ndërtimit të objektit aktual ku ushtrohet veprimtaria e Teatrit Kombëtar, sa i takon anës funksionale aktuale të tij apo arkitekturës së përdorur.
Ndërkohë që, vlerësimi i kompleksit të Teatrit Kombëtar, duhet të përfshinte patjetër dhe veprimtarinë kulturore, arsimore, arkivin e gjithë veprimtarisë së krijuar ndër vite, ngjarjet, veprimtarinë njerëzore dhe institucionale, pasurinë artistike që ka krijuar, elemente këto që duhet patjetër të merreshin në konsideratë dhe nuk mund të përjashtohen nga vlerësimi i një çështje me kaq rëndësi dhe sensitivitet për trashëgiminë kulturore kombëtare.
Në asnjë prej dokumenteve që shoqërojnë këtë ligj qoftë relacionin e qeverisë, qoftë në raportet e Kuvendit të komisioneve përkatëse, nuk citohet nëse ekziston ndonjë dokument shkencor i plotë për ti dhënë përgjigje shteruese pyetjes, nëse godinat e Teatrit Kombëtar përbëjnë një trashëgimi kulturore në vlerësim dhe të veprimtarisë që aty është krijuar, apo realizuar ndër vite.
Kjo çështje nuk mund të shtrohet duke i vlerësuar godinat a priori, në mënyrë të veçuar, vetëm për nga cilësia aktuale e funksionimit të një objekti ndërtimor; ky vlerësim është shumë herë më kompleks dhe duhet të lidhë të gjitha elementet bashkërisht si: arkitektura, funksionaliteti ndër vite, i lidhur me veprimtaritë artistike, arsimore, kulturore që janë zhvilluar aty dhe janë ngulitur në mendjen e shqiptarëve dhe se pikërisht për këto arsye, ky objekt paraqet vlera që përbëjnë histori të trashëgimisë kombëtare kulturore. Si i tillë, ai gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta dhe aktet e tjera të institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria ka aderuar apo ka ratifikuar.
Nëpërmjet një konkursi transparent mund të sigurohet paraprakisht një studim i plotë dhe objektiv mbi vlerat e trashëgimisë kombëtare e kulturore të këtij objekti, duke vlerësuar njëkohësisht dhe mundësinë e restaurimit dhe rikonstruksionit të të gjithë kompleksit të Teatrit Kombëtar, përpara se të kalohej në një vendim ekstrem për shembjen e tyre dhe hyrjen në një proces të tjetërsimit të pasurisë publike me vlera kombëtare.
Kompleksi i godinave të Teatrit Kombëtar, për 80 vjet të funksionimit në dimensione të ndryshme, ka krijuar kujtesën e tij dhe e bën atë padyshim përfaqësues të denjë të historisë kulturore, artistike, arsimore, sociale, albanologjike dhe politike të shtetit shqiptar; pra, të trashëgimisë kombëtare, e cila në këtë këndvështrim është pronë e të gjithëve dhe pikërisht për këto arsye gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta.
Ligji nr. 37/2018, bie ndesh jo vetëm me parimet themelore të Kushtetutës, por njëkohësisht dhe në kundërshtim të hapur me objektivat socialë që Kushtetuta ka përcaktuar në nenin 59, pika 1, germa “g”, të saj, në të cilën parashikohet se shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore… .
Ndërkohë, duket se, në një kohë shumë të shkurtër vendimmarrja e Kuvendit në rastin e miratimit të ligjit nr.37/2018, nuk ka treguar koherencë me qëndrimet e tij. Konkretisht: në zbatim të objektivave socialë të vendosura në Kushtetutë, Kuvendi ka miratuar më datë 17.05.2018 ligjin nr.27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Ndërkohë nga ana tjetër, me procedurë të përshpejtuar Kuvendi brenda një kohe të shkurtër me ligjin nr. 37/2018, shpreh një tjetër vullnet, duke vendosur në fakt që këto objekte të identitetit kombëtar e historisë së kulturës shqiptare të mos ekzistojnë. Kjo vendimmarrje e Kuvendit, bie ndesh edhe me qëllimet e përcaktuara në nenin 1, të ligjit nr.27/2018, të miratuar vetëm një muaj më parë.
Argument kryesor i përdorur nga Kuvendi në miratimin e ligjit nr.37/2018 është se vendi ka nevojë për një Teatër të Ri Kombëtar. Është fakt i gjithëpranuar, se Tirana si kryeqyteti i Shqipërisë, ka nevojë për mjedise të reja për artin e kulturën, përfshi këtu dhe ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar.
Për këtë çështje qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa dëmtuar trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen.
Presidenti Republikës, vlerëson se në lidhje me këto çështje kaq të ndjeshme, të gjitha argumentet duhet të ballafaqohen vetëm me studime shteruese shkencore, teknike dhe ligjore në ruajtje të trashëgimisë dhe vlerave historike kombëtare.
Kompleksi aktual i godinave të Teatrit Kombëtar, sipas mendimit të një pjese të mirë të bashkësisë së aktorëve, të studiuesve, akademikëve, historianëve, arkitektëve, inxhinierëve duhet ruajtur dhe mirëmbajtur, pasi vlerat e trashëgimisë dhe identitetit kulturor që ky kompleks ndërtimor ka krijuar ndër vite, nëpërmjet zhvillimit historik të artit dhe kulturës shqiptare, janë të jashtëzakonshme për identitetin kombëtar.
Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vlerëson që, për arsyet e mësipërme, ligji i miratuar nr. 37/2018, duhet të rikthehet në Kuvend për rishqyrtim, me qëllim që kjo çështje, të marri kohën dhe vëmendjen e duhur, dhe të vlerësohet përsëri nga Kuvendi.
III. Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.
Me ligjin nr. 9490, datë 13.03.2006 Kuvendi i Shqipërisë, ka ratifikuar konventën “Për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, e miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, “UNESCO”, në Paris në datën 17 tetor 2003. Me ratifikimin dhe botimin saj në “Fletoren Zyrtare”, dispozitat e kësaj konvente janë bërë pjesë e legjislacionit të brendshëm dhe zbatimi i normave të saj, ka epërsi mbi legjislacionin vendas dhe, sidomos, mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.
Nisur nga përmbajtja e ligjit nr. 37/2018 dhe pasojave që ai do të mundë të sjellë në praktikë, referuar trashëgimisë kulturore, vihet në dukje se ky ligj është në kundërshtim edhe me parashikimet e kësaj konvente. Në nenin 2 të kësaj konvente parashikohet, veç të tjerash, se: “Me “trashëgimi kulturore jomateriale” kuptohen: praktikat, paraqitjet, shprehjet, njohuritë dhe dijebërja (savoir-faire), si dhe veglat, objektet, artefaktet dhe hapësirat kulturore që bashkëshoqërojnë ato, që bashkësitë, grupet dhe, kur është rasti, individët, i pranojnë si pjesë përbërëse të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo trashëgimi kulturore jomateriale, përcjellë brez pas brezi, është rikrijuar në vijimësi nga bashkësitë dhe grupet në funksion të mjedisit të tyre, të ndërveprimit të tyre me natyrën dhe të historisë së tyre, dhe u jep atyre një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie, duke ndihmuar kështu për nxitjen e respektit për diversitetin kulturor dhe të krijimtarisë njerëzore.”.
Gjithashtu, në dispozitat vijuese të nenit 3 të Konventës përcaktohet: “Trashëgimia kulturore jomateriale”, siç është përcaktuar në paragrafin 1, shfaqet sidomos në traditat dhe shprehjet gojore, përfshirë këtu edhe gjuhën si vektor i trashëgimisë kulturore jomateriale; artet e shfaqjes (spektaklit); praktikat sociale, ritualet dhe ngjarjet festive…..”.
Ndërkohë, në nenet 11 dhe 13 të po kësaj konvente, është përcaktuar se roli dhe detyra e shtetit palë të kësaj Konvente është që të sigurohet: ruajtja, zhvillimi dhe vënia në pah e trashëgimisë kulturore jomateriale, e pranishme në territorin e tij, ku çdo shtet palë, veç të tjerash, të përpiqet që:
– të nxisë studime shkencore, teknike dhe artistike, si dhe metodologji kërkimore për një ruajtje të efektshme të trashëgimisë kulturore jomateriale, në veçanti të trashëgimisë kulturore jomateriale në rrezik;
– të miratojë masat ligjore, teknike, administrative dhe financiare përkatëse me synim favorizimin e krijimit ose të forcimit të institucioneve për formimin në administrim të trashëgimisë kulturore jomateriale, si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie përmes forumeve dhe hapësirave të destinuara për paraqitjen dhe shprehjen e saj.
Gjithashtu, në nenin 14 të kësaj konvente përcaktohet si detyrim i shtetit palë, pra edhe i Shqipërisë, e cila e ka ratifikuar këtë konventë, që të përpiqet me të gjitha mjetet përkatëse për të promovuar edukimin për mbrojtjen e hapësirave natyrore dhe të vendeve historike, ekzistenca e të cilave është e nevojshme për shprehjen e trashëgimisë kulturore jomateriale.
Siç u parashtrua më sipër, kompleksi aktual i godinave të Teatrit Kombëtar dhe veprimtaria artistike dhe sociale e krijuar aty, që në ndërveprim me historinë dhe kohën, i japin njëra-tjetrës në mënyrë të përbashkët një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie të krijimtarisë njerëzore ndër vite, përbëjnë atë që në vetvehte mund të konsiderohet trashëgimi kulturore jomateriale.
Ekzistenca e këtyre godinave të kompleksit të Teatrit Kombëtar, është pjesë e pandashme edhe e trashëgimisë kulturore jomateriale, pasi në këtë hapësirë është prodhuar ndër vite art skenik, që siç citohet vet në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave, përbën një shkollë të vërtetë të artit teatror kombëtar, duke kultivuar me dekada vlerat më sublime të kulturës shqiptare në mbarë hapësirën shqiptare, që përbëjnë trashëgimi kulturore.
Pra, rezulton se ligji nr. 37/2018, i miratuar nga Kuvendi, bie ndesh edhe me parimet e kësaj Konvente, ndaj ai duhet të kthehet për rishqyrtim edhe për këtë arsye.
Në kundërshtim me detyrimet që parashikon Konventa, Kuvendi i Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, ka miratuar një propozim të iniciuar fillimisht nga Bashkia e Tiranës dhe të propozuar nga qeveria, duke i hapur rrugë kështu shembjes së godinave të Teatrit Kombëtar, pa një studim të mirëfilltë shkencor për një ruajtje të efektshme të kësaj trashëgimie jomateriale, ndërkohë që konventa parashikon se shteti palë duhet të miratojë: masat ligjore, teknike, administrative dhe financiare përkatëse me synim favorizimin e krijimit ose të forcimit të institucioneve për formimin në administrim të trashëgimisë kulturore jomateriale, si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie përmes forumeve dhe hapësirave të destinuara për paraqitjen dhe shprehjen e saj.
Mbrojtja e kësaj trashëgimie kërkon që mjediset, në të cilat ajo është krijuar, të forcohen, jetësohen edhe më shumë, pasi janë të lidhura me kujtesën që lidhet me vendin ku ato janë krijuar, pra me godinat, të cilat nëse prishen dhe nuk ekzistojnë më, përbëjnë një rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to, të humbasë.
Ky është një argument i fortë që gjen mbështetje jo vetëm në parashikimet e neneve të Konventës mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore jo Materiale, por në pjesën hyrëse (preambulën) e kësaj konvente ku citohet se, trashëgimia kulturore jomateriale dhe trashëgimia materiale kulturore dhe natyrore janë të ndërvarura nga njëra-tjetra.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës, bazuar në argumentet e mësipërme, ka vendosur që të kthejë ligjin nr. 37/2018, në Kuvend, me qëllim rishqyrtimin e tij, duke marrë në konsideratë dhe detyrimet e Republikës së Shqipërisë në kuadër të konventës së UNESCO-s, tetor 2003 “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale”, ratifikuar zyrtarisht me ligjin nr.9490, datë 13.03.2006.
IV. Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Kushtetuta ka vendosur tashmë se pushteti vendor funksionon bazuar mbi parimet e decentralizimit dhe autonomisë. Bazuar mbi këto parime themelore, është krijuar jo vetëm kuadri kushtetues, por dhe ai ligjor që përcakton se organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat dhe organi ekzekutiv i bashkisë, është kryetari i saj.
Kushtetuta, në nenin 6, përcakton: “Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe.” Gjithashtu, në nenin 13 të Kushtetutës parashikohet: “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.”
Bazuar në këtë frymë decentralizuese dhe autonomie në vendimmarrje, Kushtetuta në nenin 113 të saj, përcakton se këshillat bashkiakë ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike.
Mbi këto parime kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligj që rregullon në mënyrë shumë të qartë veprimtarinë dhe strukturat vendimmarrëse shtetërore në nivel vendor. Ky ligj është pikërisht një nga ato akte, për të cilat Kushtetuta në nenin 81, pika 2, germa “a” parashikon se miratohet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit; pra, me një shumicë parlamentare të cilësuar (84 vota) përkundrejt shumicës së thjeshtë, me të cilin është miratuar ligji nr. 37/2018, apo që kushtetuta parashikon se mund të miratohet një ligj i kësaj natyre.
Në nenin 54, të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, janë parashikuar kompetencat e këshillit bashkiak, ku në pikën 1, germa “e”, është e përcaktuar se këshilli bashkiak ka për detyrë dhe për kompetencë që të miratojë tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve, vendime këto që, sipas nenit 55 pika 4, të po këtij ligji, merren me jo më pak se tri të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.
Ndërkohë në nenin 64 të ligjit nr. 139/2015, janë përcaktuar dhe kompetencat e Kryetarit të Bashkisë, i cili veç të tjerave, ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës.
Pra, nëpërmjet ligjit nr. 139/2015, ligjvënësi ka parashikuar se vendimmarrja për tjetërsimin e pronës publike, që është në pronësi të pushtetit vendor, konsiderohet me rëndësi për autonominë e pushtetit vendor dhe vendimmarrja mbi to duhet të realizohet nëpërmjet një shumice të cilësuar votash, duke diktuar kështu një mekanizëm monitorues dhe shprehës të vullnetit të qytetarëve mbi veprimtarinë e pushtetit vendor.
Ligjvënësi ka qenë i kujdesshëm që për këto çështje, kontrolli dhe balanca brenda funksionimit të vetë organeve të qeverisjes së pushtetit vendor të parashikohet me ligj dhe për këtë, funksionimi dhe zbatimi i ligjit me objektivitet do të rrisë transparencën në vendimmarrje të kësaj natyre.
Në kundërshtim me frymën e këtyre parimeve kushtetuese dhe kërkesave që parashikon ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, mbi të cilin sot organizohet dhe funksionon pushteti vendor, duke vlerësuar praktikën dokumentare që ka shoqëruar fillimin e kësaj nisme propozuese deri në propozimin dhe miratimin e ligjit nr. 37/2018 nga Kuvendi, rezultojnë disa shkelje kushtetuese qoftë në veprimtarinë organizative, qoftë në atë vendimmarrëse.
Sipas relacionit shoqërues të Këshillit të Ministrave dhe raporteve të komisioneve përkatëse në Kuvend, evidentohet se në zonën ku propozohet të zhvillohet projekti, trualli në ponësi të shtetit ka një sipërfaqe prej 8465 m², nga të cilat rreth 2100 m² janë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave, apo raporteve të komisioneve në Kuvend, që kanë shoqëruar këtë nismë legjislative, bazë për inicimin e këtij projektligji ka qenë shkresa, e paraqitur nga Bashkia e Tiranës pranë Ministrisë së Kulturës lidhur me shprehjen e interesit për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit “Fusha”, sh.p.k”. Bashkia e Tiranës ka paraqitur shkresën me nr. 6848/1, datë 23.2.2018, pranë Ministrisë së Kulturës për shprehje interesi për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit ku subjekti privat angazhohet që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, në përputhje me një projekt që do të miratohet nga të gjitha strukturat përkatëse. Pra, në rastin konkret, propozimi konsiston në shfrytëzim e gjithë pronës publike, përfshi këtu ndërtesat dhe truallin prej 2100 m², në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Nisur nga fakti që, propozimi i mbërritur kishte për objekt tjetërsimin e pronës publike “truall dhe ndërtesa”, të cilat pjesërisht janë në pronësi të Bashkisë Tiranë, në zbatim të nenit 113 të Kushtetutës, dhe neneve 54, 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ishte e detyrueshme që Kryetari i Bashkisë së Tiranës këtë shprehje interesi të subjektit privat duhet ta parashtronte, paraprakisht, për diskutim përpara Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili kishte dhe ka kompetencën për të shprehur vullnetin për tjetërsimin e sipërfaqes prej 2100 m² në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Nga shqyrtimi i praktikës dokumentare, që ka shoqëruar projektligjin, rezulton se ky proces i detyrueshëm ligjërisht, nuk është kryer. Pikërisht këtu fillon problemi kushtetues e ligjor, pasi është çasti i parë procedural që rezulton të jetë shmangur vendimmarrja e autoritetit publik vendimmarrës të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që Kushtetuta dhe ligji i ka njohur.
Presidenti Republikës, vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese dhe ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim propozues, i cili kërkonte patjetër një shprehje të vullnetit nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë, pra, Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Ndërkohë, në dokumentet parlamentare në lidhje me këtë devijim fillestar, nuk ka asnjë shpjegim apo përpjekje për të marrë vendimin apo qëndrimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nëse ky këshill dëshironte apo jo, që prona publike në pronësi të Bashkisë së Tiranës të përfshihej në të tilla procedura tjetërsimi, sipas propozimit të paraqitur nga një subjekt privat.
Në kundërshtim me këtë fakt, qeveria dhe Kuvendi nëpërmjet një procedure të përshpejtuar ka miratuar ligjin nr.37/2018, duke realizuar kështu dhe një cënim të bazës ligjore dhe kompetencave kushtetuese të Këshillit Bashkiak, duke anashkaluar parashikimin e drejtpërdrejtë kushtetues dhe të ligjit organik që rregullon veprimtarinë e organeve të qeverisjes vendore.
Kuvendi ka vendosur me ligj që prona e Bashkisë së Tiranës do të duhet të tjetërsohet dhe autoriteti që do ta realizojë dhe udhëheqë këtë proces është Kryetari i Bashkisë apo personi i autorizuar prej tij. Pra, shkelja antikushtetuese e Kuvendit, në këtë rast, është e dyfishtë. E para, sepse Kuvendi me procesin legjislativ ka vendosur a priori tjetërsimin e pronës publike të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kjo është kompetencë e Këshillit të Bashkisë; dhe e dyta, sepse në përcaktimet e ligjit të ri nr.37/2018, Kuvendi ka përcaktuar se atributet sesi kjo pronë tjetërsohet dhe zhvillohet nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate përfundimtare, janë në kompetencë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës apo personit të autorizuar prej tij.
Nga shqyrtimi i këtij ligji dhe relacionit apo raporteve shoqëruese të tij rezulton:
– Kryetari Bashkisë së Tiranës, në ndjekjen e këtij procesi dhe mbështetjen e propozimit të bërë për tjetërsimin e pronës prej 2100 m², pronë e Bashkisë së Tiranës, ka anashkaluar vendimmarrjen dhe vullnetin që duhet të shprehte Këshilli i Bashkisë së Tiranës. Hyrja në një marrëdhënie të tillë e Kryetarit të Bashkisë të Tiranës, pa siguruar autorizimin e Këshillit Bashkiak, kur bëhet fjalë për çështje të ushtrimit të së drejtës së pronës publike dhe tjetërsimit të saj, nuk është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe tejkalon kompetencat e Kryetarit të Bashkisë, duke ndërhyrë tek kompetencat e një organi tjetër.
– Kuvendi nëpërmjet ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, ka shmangur autoritetin e Këshillit Bashkiak në këtë vendimmarrje. Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës, pasi ka ndërhyrë në autonominë vendimmarrëse të tij nëpërmjet procesit legjislativ, duke e kaluar me ligj këtë pronë të pushtetit vendor në funksion të tjetërsimit të vlerësimit të tij.
Shmangia e autoritetit të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, bie ndesh edhe me nenin 4, 7, 13, 109, të Kushtetutës, të cilët garantojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tre pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese.
Duke qenë se Këshilli Bashkiak është një organ i parashikuar nga kushtetuta, ndërhyrja e qeverisë nëpërmjet propozimit të projektligjit dhe bërja fakt nga Kuvendi me miratimin e ligjit nr.37/2018 ka realizuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e Këshillit Bashkiak, duke bërë kështu që Këshilli Bashkiak i Tiranës të humbasë “de facto” të drejtën e shprehjes së vullnetit në ushtrimin e drejtës së pronës prej 2100 m², që sipas nenit 113 të Kushtetutës dhe nenit 54, 55 të ligjit nr. 139/2015, është në kompetencë të tij.
Kuvendi nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, me një ligj me shumicë të thjeshtë ka anashkaluar kështu zbatimin e kuadrit ligjor bazë, të miratuar me tri të pestat e votave e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, siç është ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Për më tepër, ligji nr. 37/2018, bie në kundërshtim dhe jurisprudencën kushtetuese të krijuar nga vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese, e cila në disa raste, ka interpretuar dispozitat kushtetuese, sa i takon funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe ushtrimit të kompetencave prej tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore. (shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.3, datë 2.02.2009, dhe nr. 29, datë 21.12.2006).
Parimi i autonomisë vendore është një prej parimeve bazë të mbrojtur nga Karta Europiane të Autonomisë Vendore, dokument ky i miratuar nga Këshilli i Europës, dhe i ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 8548, datë 11.11.1999 “Për ratifikimin e “Kartës Europiane të Autonomisë Vendore”.
Në një kohë kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka parashikuar brenda saj mbrojtjen dhe respektimin e parimeve të Kartës së Autonomisë Vendore, ashtu sikundër dhe ligjin nr.139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, ka rregulluar qartë kompetencat dhe ushtrimin e tyre nga Këshillat e Bashkisë, për çështje të tjetërsimit të pronës, rezulton që miratimi i ligjit nr.37/2018, sjell cenim të kushtetutës, pasi në realitet ky ligj jo vetëm shmang respektimin e këtyre parimeve, duke kundërshtuar drejtpërdrejt parimet dhe jurisprudencën kushtetuese, por dhe vet Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, e cila është pjesë e legjislacionit të brendshëm.
Në vlerësim të sa më sipër, konstatohet se jo vetëm ligji nr. 37/2018 është antikushtetues referuar parimeve të sipërcituara, por edhe vet inicimi i këtij procesi përmban elemente antikushtetues, të cilët do të duhet të rivlerësohen edhe një herë nga Kuvendi, në rishqyrtimin e këtij ligji.
V. Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.
Shqipëria, ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, akt ky të cilin Kuvendi e ka ratifikuar me ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bashkësive evropiane e shteteve të tyre anëtare”. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Republika e Shqipërisë është angazhuar, ndër të tjera, që të përmirësojë legjislacionin e brendshëm të saj, me qëllim përafrimin me atë të bashkësisë evropiane.
Ndër detyrimet dhe angazhimet që shteti shqiptar duhet të përmbushë sipas kësaj marrëveshjeje, është dhe parashikimi se, shteti shqiptar duhet të ndjekë dhe konsolidojë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë që kontratat publike t’i nënshtrohen konkurrencës së lirë dhe transparencës.
Me miratimin e ligjit nr. 37/2018, ky standard i Bashkimit Evropian i detyrueshëm për t’u zbatuar, vlerësoj së është cenuar.
Nëpërmjet këtij ligji dhe parashikimeve të vendosura në dispozitat e tij, konstatohet se nuk ka pasur një proces konkurrimi të hapur midis ofertave të ndryshme dhe të bazuar në transparencë, ku do të mund të ishte përzgjedhur propozimi më i mirë për realizimin e një vepre apo investimi publik.
Nisur nga objekti dhe qëllimi i ligjit nr. 37/2018, si dhe mënyra sesi ky ligj rezulton të jetë shqyrtuar nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar, nuk rezulton që kjo nismë ligjvënëse t’i përgjigjet gjendjes reale dhe kushteve objektive të një situate pamundësie reale apo të jashtëzakonshme dhe, në këtë mënyrë, ky ligj bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Për këto arsye, ndërthurur dhe me argumentet e mësipërme, Presidenti i Republikës, e kthen ligjin nr. 37/2018, për rishqyrtim në Kuvend.
VI. Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.
Në propozimin e këtij projektligji, Këshilli i Ministrave, në relacionin që shoqëron projektin, arsyeton ndër të tjera: “Ministria e Kulturës është shprehur që nuk disponon mjetet e mjaftueshme financiare për realizimin e këtij investimi; për më tepër, nuk e ka parashikuar këtë investim as në PBA (2018-2020)”.… Grupi i punës ka gjykuar se Ministria e Kulturës e ka të pamundur të parashikojë fond investimi për objektin e Teatrit Kombëtar, duke pasur parasysh edhe tavanet buxhetore. Pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8465 m², nga të cilat, rreth 2100 m² janë pronë e Bashkisë së Tiranës. … Sipas këtij bashkëpunimi me partnerin privat, dobia kryesore është që shteti realizon ndërtimit e Teatrit të ri Kombëtar në një kohë shumë të shpejtë (3 vjet), vetëm nëpërmjet dhënies së të drejtave për zhvillim dhe pa asnjë financim publik apo fond buxhetor, duke realizuar, në këtë mënyrë, përmbushjen e një ëndrre të artistëve për të luajtur në kushte dinjitoze për ta, por edhe për publikun artdashës. “Projektligji parashikon financim tërësisht me fonde private të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe që godina t’i dhurohet shtetit shqiptar. Vlera e pronës shtetërore, përfshirë edhe godinat të angazhuara nga ana e shtetit shqiptar, është rreth 6 milionë euro, ndërsa vlera e godinës së Teatrit Kombëtar, që do të përfitohet, është rreth 30 milionë euro”.
Të njëjtat argumente gjenden dhe në dokumentet parlamentare, raportet e komisioneve ku është shqyrtuar ky projektligj ku, veç të tjerave, ky projektligj është mbështetur dhe me këto argumente:
– Në rastin konkret, asnjë prej institucioneve publike të parashikuara për ndjekjen e procesit dhe përfaqësimin e administratës publike nuk kanë dhe nuk do të shpenzojnë asnjë lek nga buxheti i shtetit dhe nga fondet publike;
– Ky shkëmbim maksimizon vlerën e asetit publik apo privat që ka në dispozicion;
– Bën optimiste vlerën e zhvillimit në qendër të Tiranës dhe të nevojës publike për teatër e shërbime të tjera;
– Maksimizon vlerën e financimit të sipërmarrjes dhe transferon të gjitha rreziqet te zhvilluesi.
Duke mbajtur në vëmendje shkeljet kushtetuese dhe ligjore në miratimin e këtij ligji të vëna në pah më sipër, në krahasim me argumentet ekonomiko-financiare, mbi të cilat është propozuar nisma, rezulton se ligji nr. 37/2018, paraqet mangësi të theksuara, dhe paqartësi në aspektin e leverdisë ekonomike dhe financiare, në raport me interesin publik.
Konkretisht:
– Në dokumentacionin që shoqëron projektligjin theksohet se ai do t’i paraprijë një “Masterplani” për zhvillimin e kësaj zone urbane. Konceptualisht, gjithmonë dhe kudo, “Masterplani” i paraprin çdo projekti tërësor në përbërje të tij dhe jo e kundërta. Në këto kushte, mungon një Masterplan për këtë zonë që përcakton mënyrën e zhvillimit urban të saj, mbi të cilin dhe brenda parametrave të tij, do të mund projektohet apo ndërtohet zhvillimi konkret i një hapësire; në rastin konkret, kryesisht pronë publike.
– Kërkesa për shprehje interesi nga investitori privat “Fusha sh.p.k”, nuk është shoqëruar me asnjë dokument shterues të autoritetit publik, përmes të cilit të bëhej një analizë ekonomike-financiare mbi leverdinë e tij. Në relacion përmendet shifra 30 milionë euro, e cila referohet si vlera që do të ketë Teatri ti ri Kombëtar, por kjo shifër nuk mbështetet në asnjë dokument (pa asnjë preventiv projekti). Ndërkohë, në relacionin e qeverisë, por dhe raportet e komisioneve, vihet në dukje se vlera e pronës publike që vendoset në dispozicion është 6 milionë euro, por e pashoqëruar me një analizë të qartë dhe të plotë tregu mbi këtë çështje.
– Nga informacioni i bërë publik rezulton se problematika midis institucioneve shtetërore dhe grupeve të shoqërisë civile dhe aktorëve, është diskutuar në vijimësi mbi mundësinë e realizimit të dy projekteve të ndryshme ku: njëri është projekti i Teatrit të ri Kombëtar me funksion dhe interes publik, jo tregtar apo ekonomik dhe pa përfshirë ndërtimin e godinave private dhe tjetri është ndërtimi, kryesisht në pronë shtetërore me sipërfaqe trualli rreth 8465 m² ku realizohet zhvillimi i zonës edhe me ndërtesa te tjera me karakter tregtar për interes të investitorit privat “Fusha” shpk, me të cilin shteti ka vendosur a priori të bashkëpunojë. Nuk rezulton i evidentuar ndonjë dokument mbi ekzistencën e këtyre dy projekteve apo ndonjë analizë mbi leverdinë ekonomiko-financiare.
– Ligji nr.37/2018 i miratuar, në rastin konkret, nëpërmjet “Partneritet-Publik-Privat” i konsideron të ndërthurur realizimin e këtyre dy projekteve, sikur të jetë një projekt i vetëm; por nga ana tjetër, ligji nuk merr në konsideratë legjislacionin në fuqi për “P.P.P”, ku edhe propozimet e pakërkuara apo kërkesat për shprehje interesi nga një investitor privat duhet t’i nënshtrohen një konkurimi dhe një tenderi publik të hapur.
– Mungesa e një gare ku të paraqiteshin projekte alternative është e pajustifikuar nga ana ekonomike dhe financiare, përveç se është antikushtetuese, siç është arsyetuar më sipër në këtë dokument. Pra, në këtë mënyrë dhe në këto kushte siç është vlerësuar ky propozim, cilido autoritet që ka përcaktuar a priori se propozimi i “Fusha sh.p.k” është alternativa më e mirë e mundshme, nuk mbështetet në asnjë vlerësim objektiv, sidomos në mungesë të një masterplani apo projekti konkret mbi zhvillimin e zonës.
– Argumenti i përdorur se buxheti i shtetit nuk paguan asnjë “lekë” dhe, për rrjedhojë, ligji nuk mund të vlerësohet në kornizën e ligjit të koncesioneve apo “P.P.P.”, është i gabuar dhe i pambështetur. Edhe në rastin e koncesioneve të HEC-ve apo në sektorin hidrokarbur qeveria nuk kontribuon me “para” nga buxheti i saj, por në “natyrë” me burime natyrore dhe licencat përkatëse, kështu detyrimisht, të gjitha projektet kalojnë përmes tenderit të hapur publik për të marrë ofertën më të leverdisshme.
– Ndërkohë dhe argumenti i pamundësisë së shtetit për të parashikuar fonde investimi për Teatrin Kombëtar nuk është bindës. Konkluzionet e arritura për pamundësinë financiare të Ministrisë së Kulturës, e krahasuar me PBA apo me tavanet buxhetore, është një vlerësim që mbështet vetëm idenë e tjetërsimit të pronës publike tek persona të tretë dhe lë jashtë vlerësimit tërësinë e argumenteve të tjera, që kanë peshën kryesore në këtë çështje. Asnjë dokument, që ka shoqëruar këtë nismë ligjore, nuk argumenton në mënyrë shteruese nëse janë eksploruar të gjitha mundësitë financiare të shtetit për ndërmarrjen e një iniciative tërësisht publike.
Është i pamjaftueshëm, deklarimi i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që të propozojë një projektligj të kësaj natyre, duke argumentuar në relacion se një institucion përbërës i qeverisë dhe në varësi të tij, nuk ka mundësi financiare, ndërkohë që është po vetë Këshilli i Ministrave, organi vendimmarrës më i lartë politik i ekzekutivit, që përcakton drejtimet dhe programin politik, si edhe mbështetjen buxhetore për realizimin e tyre.
Është fakt që në pesë vjetët e fundit qeveria, me të drejtë, i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe mbështetje ekonomike të vazhdueshme projekteve të investimeve në projektet e “Rilindjes Urbane” dhe tashmë edhe të “Rilindjes Rurale”, projekte këto që kanë kërkuar angazhime qoftë të fondeve të qeverisë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, apo donatorëve të ndryshëm.
Nëpërmjet këtyre projekteve, janë rivitalizuar disa qendra historike të qyteteve si: Berati, Shkodra, Tirana, Korça, Kruja, Gjirokastra, etj., që përmbajnë në vetvete trashëgimi kulturore të vendit. Të gjitha këto projekte kanë sjellë zhvillime pozitive, duke përmirësuar qoftë infrastrukturën, pasuritë private, pasurinë publike, nxitjen e turizmit kulturor dhe administrimin me efiçensë të hapësirës publike.
Nisur nga ky tregues, deklarimi i qeverisë se Ministria e Kulturës nuk ka mjete të mjaftueshme ekonomike për Teatrin Kombëtar është i pambështetur, krahasuar me mbështetjen e projekteve të tjera. Pikërisht vendimmarrja që qeveria të lërë jashtë vëmendjes së saj rivitalizimin e Kompleksit të Teatrit Kombëtar, që siç u parashtrua më sipër, përbën kujtesë historike dhe të qenësishme të trashëgimisë kulturore kombëtare, në dukje tregon për një zgjedhje të nxituar në miratimin e ligjit nr. 37/2018.
Siç u arsyetua edhe më sipër, është detyrë parësore e një shteti që të ruajë dhe zhvillojë pasuritë e tij publike, sidomos kur ato paraqesin vlera historike me karakter kombëtar. Për këtë shteti duhet të marrë të gjitha masat që, në varësi të rëndësisë, të investojë me përparësi për këtë qëllim. Prona e kompleksit të Teatrit Kombëtar ku përfshihen si të pandashme pasuria truall dhe ndërtesat, është pronë e paluajtshme publike, që përmbush funksione themelore dhe të pandashme të shtetit dhe që sjell përfitime në funksion të publikut të gjerë, pra të të gjithë shoqërisë. Si e tillë, ajo nuk mund të tjetërsohet me ligj të veçantë, sipas kushteve të përcaktuara në ligjin nr.37/2018, por duhet të vijojë të qëndrojë publike.
Presidenti i Republikës, në vijimësi, ka përcjellë mesazhe në adresë të institucioneve përgjegjëse për diskutim dhe dialog mbi këtë çështje. Hapësira e gjithë truallit publik në pronësi shtetërore të Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave, siç deklarohet, ka një sipërfaqe prej 8465 m². Institucioni i Presidentit të Republikës, vlerëson se Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave, Qeveria dhe gjithë bashkësia e artistëve, mund të zhvillonin bisedime shteruese që të arrihej në një vendimmarrje objektive në interes të publikut të gjerë ku prona publike trualli dhe ndërtesat ku përfshihen dhe që janë pjesë dhe ajo e Kompleksit të Teatrit Kombëtar të mos tjetërsohen, por në truallin publik, nëpërmjet një plani financimi publik me afate të mirëpërcaktuara, projekti të mirëstudiuar dhe të miratuar, të mundësohet ndërtimi, edhe i godinës së Teatrit të Ri Kombëtar, por pa cenuar absolutisht kompleksin e godinave aktuale të Teatrit Kombëtar, por duke i mirëmbajtur dhe restauruar ato.
Presidenti Republikës vlerëson se trualli publik për nga vendndodhja e tij në qendër të qytetit të Tiranës, nuk duhet të tjetërsohet, pasi për sipërfaqen që ai paraqet mund të studiohet dhe shfrytëzohet mundësia për ndërtimin edhe të një Teatri të ri Kombëtar me fonde publike, duke krijuar kështu një mjedis të përshtatshëm për shfrytëzim për të ardhmen, por duke ruajtur njëkohësisht dhe historinë, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore të krijuar në kompleksin aktual të godinave të Teatrit Kombëtar, të cilat duhet të mirëmbahen dhe restaurohen. Vetëm në këtë mënyrë kjo trashëgimi do të ruhej dhe do ti transmetohej brezave të ardhshëm.
Për këto arsye, Presidenti i Republikës, ka vendosur kthimin e ligjit nr. 37/2018 për rishqyrtim në Kuvend.
VII. Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë
Në relacionin e qeverisë që shoqëron këtë projektligj dhe në raportet e komisioneve parlamentare vlerësohet se modeli ekonomik i propozuar mbështetet në disa praktika të aplikuara më parë nga qeveria, përgjatë tre vjetëve të fundit 2016-2018, si mënyra të reja që i japin zgjidhje optimale nevojave/kërkesave të palëve të përfshira, duke përmendur disa praktika ligjore të tilla, si:
– Ligji nr. 41/2015, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/P.P.P., me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërisë “China State Construction Company”;
– Ligji nr.77/2016, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”;
– Ligji nr.4/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.
Siç konstatohet, qëllimet publike mbi të cilat është zhvilluar nisma propozuese e ligjeve të mësipërme, ka qenë realizimi i veprave publike në fushën e transportit rrugor, ajror dhe detar,si: Rruga e Arbrit, Porti i Karpenit, Aeroporti i Vlorës, të cilat vërtet mund të kërkojnë një angazhim financiar që buxheti i shtetit shqiptar, e ka të vështirë, apo të pamundur për t’i përballuar për një periudhë të caktuar kohe.
Me gjithë këtë arsyetim, që qeveria e parashtron si argument në mbrojtje të kësaj nisme ligjore, vlen të vihet në dukje se institucioni i Presidentit të Republikës, në vijimësi, ka qenë hezitues në lidhje me natyrën e këtyre akteve, përdorimi i të cilëve mund të jetë në raste të skajshme përjashtimore, kur në mënyrë shteruese janë vlerësuar objektivisht se mundësitë e tjera për të rregulluar një fushë të caktuar, nuk ekzistojnë. Rezulton se jo vetëm për të tre aktet ligjore të sipërcituara por dhe për akte të tjera të kësaj natyre Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është shprehur me dekret për shpalljen e tyre.
Ndërkohë, që nëpërmjet këtyre ligjeve, Kuvendi ka shprehur vullnetin duke krijuar rregulla të veçanta për ndërtimin me partneritet publik privat të veprave të reja të infrastrukturës që lidhet me portet, rrugët, aeroport, me ligjin nr. 37/2018, synohet hyrja në negociata me propozuesin më të parë, për të tjetërsuar një tokë publike për ndërtimin, nga njëra anë, objekte shumëkatëshe me aktivitet ekonomik privat dhe, nga ana tjetër, shteti merr si këmbim një godinë të re të Teatrit Kombëtar, por duke humbur trashëgiminë kulturore me interes kombëtar dhe ndërkohë që përllogaritja e interesit ekonomik të shtetit për truallin nuk mbështetet në studime të plota, transparente dhe shteruese.
Ndërkohë, siç dhe arsyetuam ligji nr. 37/2018, cenon barazinë para ligjit, nismën dhe veprimtarinë e lirë ekonomike, duke anashkaluar parimet dhe detyrimet për konkurrim të hapur dhe transparent të parashikuara qoftë në Kushtetutë, por dhe në ligjin nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe ligjin nr. 125/2013 “Për partneritetin publik privat”, i ndryshuar.
VIII. Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.
Në relacionin shoqërues të projektligjit Këshilli i Ministrave, arsyeton ndër të tjera: “Nga Bashkia e Tiranës është paraqitur kërkesa me nr. 6848/1, datë 23.2.2018, pranë Ministrisë së Kulturës, për shprehje interesi për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit “Fusha”, sh.p.k.” Në përbërje të kësaj kërkese, subjekti privat angazhohet që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, në përputhje të një projekti që do të miratohet nga të gjitha strukturat përkatëse.” ……. Pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8465 m², nga të cilat, rreth 2100 m² janë pronë e Bashkisë së Tiranës… .Po kështu, krahas teatrit, zhvillohet edhe e gjithë zona në afërsi të qendrës, duke i sjellë vlerë të shtuar kryeqytetit dhe duke përmbushur të drejtat/kërkesat legjitime të pronarëve privatë për zhvillim……”.
Ndërkohë, në Raportin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit si komision përgjegjës për shqyrtimin e këtij projektligji, ndër të tjera, citohet se: “Pyetjeve të deputetëve lidhur me sipërfaqen e pronës shtet, e cila do të vihet në dispozicion në shkëmbim të zhvillimit të projektit dhe me pronësinë e kësaj sipërfaqeje, iu përgjigj nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Arbjan Mazniku, i cili sqaroi se pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8465,2 m², nga të cilat 5522,7 m² janë të teatrit, sipërfaqe e cila do të vazhdojë të mbetet e teatrit edhe pas ndërtimit të godinës së re, dhe rreth 2100 m² janë pronë e Bashkisë së Tiranës… .
Ndërkohë, në nenin 3, të ligjit nr. 37/2018 parashikohet: “Projekti” është ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimi i zonës ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, sipas propozimit të paraqitur nga partneri privat, ndërkohë që në nenin 4 parashikohet se në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të këtij ligji, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme.
Referuar dokumentacionit shoqërues të projektligjit të qeverisë dhe Kuvendit, konstatohet se këto organe nuk kanë siguruar më parë një informacion ligjor të plotë dhe sipas ligjit, të regjimit pasuror të pasurisë së paluajtshme shtetërore apo private, që përfshihet në këtë çështje. Sipas parashikimeve të ligjit të miratuar, rezulton se e gjithë prona publike truall apo ndërtesë, e cila ndodhet ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, do të përfshihet në zhvillim, por pa bërë transparente se cila është realisht pasuria publike që preket nga kjo iniciativë ligjore. Siç dihet, brenda kësaj zone ka dhe ndërtesa të tjera me funksion publik. Ndërkohë, mungon dhe harta kadastrale e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në të cilën do të duhej të bëheshin transparente për publikun kufijtë dhe pozicioni gjeografik i pronave që janë propozuar për tjetërsim dhe për tu përfshirë në këtë iniciativë sipas kërkesës për shprehje interesi.
Referuar dokumenteve në dispozicion, rezulton se organi publik që ka shqyrtuar nismën nuk ka siguruar një informacion të plotë ligjor dhe hartografik nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi bazën e të cilit do të mund të vlerësohej nëse mbi godinat, truallin rezulton i regjistruar ndonjë kufizim, e drejtë parablerjeje, peng hipotekor, apo marrëveshje kufizuese, që mund të sjellë pasoja në realizimin e projektit. Kjo është një mangësi në vlerësimin e këtij projektligji, pasi pa ditur me përpikmëri të drejtat e pronësisë publike apo/dhe private qoftë mbi truallin dhe ndërtesat, kufizimet e ndryshme që mund të rëndojnë mbi to, nuk ka sesi të vlerësohet hyrja a priori në një procedurë të tillë negocimi dhe të vlerësohet rezultati i tyre.
Kjo çështje lidhet gjithashtu edhe me një fakt të bërë publik: origjina e pronës truall, mbi të cilin është ndërtuar kompleksi i Teatrit Kombëtar, i cili sipas informacionit të bërë publik, rrjedh nga një kontratë shitblerjeje, e vitit 1938 nga familja Libohova si shitës, tek përfaqësuesi shtetëror i kohës si blerës ku, vullneti i pronarëve privatë, në momentin e shitjes së pronës truall (viti 1938) ka qenë shitja me destinacion ndërtimin dhe përdorimin për veprimtari kulturore nga shteti. Pikërisht përfshirja sot me ligj e gjithë sipërfaqes së truallit në një tjetërsim të kësaj natyre me një subjekt të tretë dhe për interesa kryesisht private, mund të krijojë rrezikun e ngritjes së pretendimeve civile mbi rikthimin e sendit, apo të drejtave të zhvillimit mbi të, çka do të përbënte një pasiguri juridike për mbrojtjen e interesave shtetërorë duke krijuar hapësirë për cenimin e të drejtave të pronës publike.
Për më tepër, në zonën e trajtuar nga ligji nr.37/2018 mund të rezultojnë të drejta private pronësie mbi ndërtesa apo truall, gjë e cila duhet të ishte vënë në dukje dhe trajtuar në këtë propozim përpara se ky t’i paraqitej qeverisë dhe Kuvendit. Përfshirja a priori me detyrim nën një zhvillim të tillë nëpërmjet ligjit, përbën në vetvete cenim të sigurisë juridike. Kjo pasiguri buron nga fuqia e drejtpërdrejtë që Kuvendi, nëpërmjet ligjit të veçantë, detyron zhvillimin e një zone të caktuar edhe mbi të drejta pronësie private, por jo për interesa publike, por kryesisht për interesa ekonomike private.
Pra rezulton që, përveç se një nga pronarët e pasurisë publike siç është Këshilli Bashkiak i Tiranës, është shmangur në përcaktimin e këtij vullneti, por dhe pronarit/ët privatë që mund të ekzistojnë në këtë zonë, u është imponuar një mënyrë zhvillimi sipas shprehjes së interesit të një partneri privat.
Mbrojtja e veçantë që parashikon neni 41 i Kushtetutës, në të cilën parashikohet se e drejta e pronës private është e garantuar dhe se ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë, rezulton e cenuar, pasi çdo pronar privat që posedon një titull pronësie në zonën që përfshihet në zhvillim, është i detyruar me ligj ta përfshijë pronën e tij për zhvillim të detyruar sipas ligjit nr. 37/2018. Në këtë mënyrë rezulton se ligji i miratuar krijon pasiguri juridike/ligjore. Gjykata Kushtetuese, në shumë vendime të saj, ka arsyetuar: “Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohet i dhunuar, nëse mohohen ose shkelen siguria ligjore, stabiliteti ligjor dhe mbrojtja e pritshmërive të ligjshme. Për të kuptuar dhe zbatuar drejt këtë parim, kërkohet që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të… . (shih vendimin nr. 36, datë 15.10.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
Nga sa më sipër, rezulton se ligji nr.37/2018, cenon jo vetëm parimin e sigurisë ligjore, por ai trondit edhe stabilitetin/ligjor aktual, mbi të cilin rregullohen marrëdhëniet e pronësisë dhe zhvillimit të saj, referuar akteve ligjore në fuqi.
IX. Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Referuar sa më sipër, me qëllim respektimin e parimeve kushtetuese dhe për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të ketë një trajtim të parapëlqyer nga qeveria nëpërmjet Kuvendit, duke vënë në shfrytëzim dhe tjetërsuar pasuri publike me rëndësi historike të vlerave të artit dhe kulturës të shtetit shqiptar, kam vendosur ta kthej për rishqyrtim në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”.
Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese, nuk ushtron funksionet sublime të saj, të kontrollit kushtetues të normave që nxirren nga qeveria dhe Kuvendi apo të interpretimit të Kushtetutës, roli i Presidentit të Republikës, për të vlerësuar nismat ligjvënëse merr një përgjegjësi tjetër, pasi mbetet institucioni i fundit ku veprimtaria legjislative mund të kontrollohet mbi pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën.
Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka vendosur që ky ligj duhet të rikthehet edhe një herë në Kuvend, me qëllim që kjo çështje, të marri kohën dhe vëmendjen e duhur, për tu vlerësuar përsëri nga Kuvendi.
Me respekt
Ilir META